2015-03-28 17:59:00

Në OKB, britma e të krishterëve dhe e pakicave të tjera të persekutuara


Britma e të krishterëve dhe pakicave të tjera të Lindjes së Mesme tundi dje sallën ku mbahej takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për herë të parë pas fillimit të dhunës së milicëve të Shtetit të vetëshpallur Islamik. “Mizoritë e kryera kundër pakicave nga Is, tha sekretari i përgjithshëm Ban Ki-moon, kërkojnë përgjigje urgjente. Duhet t’i jepet fund sa më shpejt dhunës dhe mizorive të padënuara”. “Pranvera arabe, theksoi në fjalën e tij patriarku kaldeas, Louis Raphael Sako, pati pasoja të dëmshme për të krishterët”.

U fol, më pas, për një plan aksioni lidhur me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm si dhe me mbrojtjen e pakicave në Lindjen e Mesme. “Do ta paraqesin Kombet e Bashkuara në shtator”, tha sekretari i përgjithshëm Ban Ki-moon gjatë takimit të Këshillit të sigurimit të OKB-së, kushtuar persekutimeve të të krishterëve. Në takim patriarku kaldeas i Bagdadit pohoi: “Po jetojmë një situatë katastrofike, që i nxit familjet tona të marrin arratinë”.  Pas, patriarkut, gjendjen e tmerrshme e përshkroi me nota dramatike Vian Dakhil, parlamentare irakiane, që u ndalua posaçërisht tek tmerret e sulmit të Is mbi pakicën jazide, gushtin e kaluar: “Trimijë vajza u shitën. I blenë xhihadistët, duke paguar 18 dollarë për secilën”, dëshmoi. Ministri i jashtëm francez Fabius nënvizoi rrezikun që pakicat të zhduken nga Lindja e Mesme. E ambasadori italian, Cardi, siguroi se Italia do të angazhohet në ndihmën shëndetësore e psikologjike, në rindërtimin e shkollave si dhe në  rifillimin e veprimtarisë  edukative e shoqërore në favor të të krishterëve në Irak.








All the contents on this site are copyrighted ©.