2015-03-28 15:15:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së Larit 'B'


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së Larit, me të cilën fillon Java e Shenjtë e Madhe e Pashkëve.

Ja përsëri sё bashku për tё medituar mbi leximet e sё dielës. Në kёtё tё diel liturgjia na jep rastin tё reflektojmë mbi mundimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Quhet ndryshe edhe e diela e Larit. Tё dy emrat e kësaj tё diele pasqyrojnë dy ngjarje qё nё kremtojmë nё kёtё liturgji. 
Sё pari e diela e Larit. Lari ёshtё një pemë qё nё zonat tona sё bashku me degat e ullirit sillet nё kёtё meshë nga besimtarët dhe bekohet. Para fillimit tё meshës meshtari fton tё gjithë tё pranishmit që nё procesion t’i mbajnë gjethet e larit apo degat e ullirit tё ngritura për tё kujtuar entuziazmin e turmave qё shoqërojnë Jezusin nё hyrjen e tij nё Jeruzalem. Jezusi hyn nё Jeruzalem i rrethuar nga dishepujt e tij, mbi njё gomar si mbret i pёrvujtё e i rrethuar nga turma njerëzish qё bërtasin “Hozana birit tё Davidit. I bekuar qoftё ai qё vjen nё emër tё Zotit.” Kjo ёshtё pjesa e parё e liturgjisё. 
Pjesa e dytë ёshtё kremtimi i mundimeve tё Zotit tonё Jezu Krishtit e për kёtё arsye quhet edhe e diela e mundimit. Për veç dy leximeve tё para dhe Psalmit nё kёtё tё diele në tё gjitha Kishat lexohet Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit nga Ungjilli i Markut. Ёshtё një lexim mjaft i gjatë dhe në liturgji e lexojnë mё shume se një person përveç meshtarit. Ёshtё një rrëfim i kësaj ngjarje që ndryshoi rrjedhën e jetës njerëzore, pasi Zoti i gjithëpushtetshëm u dorëzohet njerëzve, vdes për mëkatet e tyre dhe ngjallet për shëlbimin e njerëzimit.
Lavdi në amshim Ty, o Krisht, Mbret Shpëtimtar
Është një dhuratë e madhe të ndalojmë në dëgjesë e në kundrim përballë Mundimeve. Zemra do të mbushet me mirënjohje. Jemi të pranishëm në dy skena : e para ajo e gëzimit, hyrja e Jezusit në Jeruzalem, i brohoritur si mbret i një turme entuziaste; tjetra ajo e dhimbjes, tregimi i mundimeve të Zotit, një thesar i madh i paharrueshëm. Ditët e fundit të jetës së Shpëtimtarit vënë në dukje dashurinë e pakufishme të tij për ne. Jezusi vetë kishte thënë: “Askush nuk ka një dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë e vet”. Kënga e shërbëtorit të vuajtur të Isaisë na bën të parashikojmë ndjenjat e Krishtit që përballet me mundimet e tij: ankthi dhe vetmia, por edhe guximi dhe besimi në fitoren përfundimtare. Shën Pali na flet për “poshtërimin” e Krishtit, i cili “poshtëron vetveten duke u bindur deri në vdekje dhe në një vdekje në kryq”. Në mundimet e tij, Biri i Hyjit njeh pafundësinë e poshtërimit më të thellë: i arrestuar, i gjykuar dhe i dënuar me vdekje, i detyruar të çojë kryqin deri në Kalvar, vdes në kryq për ne. Por fitorja është tashmë sh-më afër: do të ringjallet të tretën ditë! Ne-ve Jezusi nuk na kërkon asgjë tjetër vetëm të mbajmë kryqin tonë bashkë me të. Tregimi i mundimeve sipas Markut na dërgon përpara kryqit, që edhe ne siç i ndodh Centurionit romak, të rinjohim në atë burrë të kryqëzuar Birin e Hyjit. Kryqi, i mbjellë mbi tokën tonë, bëhet vegla e vetme dhe vlefshme e shpëtimit njerëzor. 

 PËRKUJTIMI I HYRJES SË ZOTIT NË JERUSALEM

Vëllezër e motra: Qysh prej fillimit të kreshmëve i përgatitëm zemrat tona me pendesë dhe me vepra dashurie; sot jemi bashkuar, që me mbarë Kishën t’i bëhemi gati misterit të Pashkëve të Zotit tonë, domethënë: mundimeve dhe të ngjallurit të tij, për të cilën gjë edhe hyri në Jerusalem, qytetin e vet. Prandaj ta ndjekim Krishtin me fe të gjallë dhe përkushti duke e përkujtuar këtë hyrje shpëtimprurëse. Me anë të hirit u bëmë pjesëtarë të Kryqit, të kemi kështu pjesë edhe në të ngjallur në jetë.
Të lutemi
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shenjtëroi me bekimin + tënd këta rremba, kështu që ne, të cilët me gëzim po e përcjellim Krishtin Mbret, nëpër të të mund të arrimë në Jerusalem e amshuar. Ai që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!

Ungjilli Mk 11, 1-10
Një profet duhet të vdesë në Jeruzalem: është pikërisht kjo arsyeja që Jezusi hyn në qytetin e vet ku do të kryhet fati i tij. Paraqitet si një Mesi i varfër; nuk përdor një kalë të fuqishëm si atë të mbretërve por një gomar të zakonshëm. Fitorja e Jezusit në thjeshtësinë dhe varfërinë e tij tërheq rreth vetes ligësinë dhe arrogancën e të mëdhenjve. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Kur iu afruan Jerusalemit, te Betfaga e te Betania, afër Malit të Ullinjve, Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha: “Shkoni në fshatin që është para jush. Posa të hyni, do ta gjeni një gomar të lidhur, të cilit askush ende nuk i hypi në shpinë. Zgjidheni e ma bini. Po qe se ndokush ju pyet: ‘Çka po bëni ashtu?’ – përgjigjuni: ‘Po i duhet Zotërisë’, dhe ai menjëherë do ta kthejë prapë këtu.” Ata shkuan, e gjetën gomarin e lidhur përjashta te dera në rrugë dhe e zgjidhën. Disa që ndodhën aty i pyetën: “Çka po bëni? Pse po e zgjidhni gomarin?” Nxënësit përgjigjën si u kishte thënë Jezusi. Nuk i penguan. Ata ia çuan gomarin Jezusit, qitën mbi të petkat e veta dhe Jezusi hypi në të. Shumë njerëz i shtrinë petkat e veta udhës e disa tjerë gemat që këputnin nëpër ara. Si ata që shkonin para Jezusit, si ata që i shkonin pas, klithnin: “Hosana! Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit! Qoftë bekuar Mbretëria që po vjen e atit tonë Davidit! Hosana në qiejt më të lartat!” Fjala e Zotit. Lavdi Ty, o Krisht!

Të lutemi
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që, për t’i dhënë njerëzimit shembullin e përvujtërisë, deshe që Shëlbuesi ynë të mishërohej dhe të vdiste në kryq: bëj në mirësi që t’i përngjajmë atij në duresë, e të marrim pjesë në të ngjallurit të tij. Amen!

                                                                       Liturgjia e Fjalës Hyjnore
Leximi i parë Is 50, 4-7

Profeti Isaia shumë vjet më parë prezanton shërbëtorin e Zotit që pranon persekutime për dashurinë e popullit të tij. Ai mëson nga Hyji si të reagojë duke përdorur forcën e jo dhunës, ai i beson mbrojtjen e tij vetë Hyjit. Kështu i ndodhi Jezusit gjatë mundimeve të tij: pranoi poshtërimet për të çliruar zemrën e njeriut nga errësirat e urrejtjes.

Lexim prej Librit të Izaisë profet
Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin. Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi. Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
 

Psalmi 22
O Zot, o Zot, përse hoqe dorë prej meje?


Gjithkush më shikon, më përqesh,
shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:
“Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,
le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”

Më rrethuan qen me shumicë,
turmë bakëqijsh më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët,
mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi.

Petkat e mia ndër vete i ndajnë,
e mbi petkun tim qeshin short.
Por ti, o Zot, mos rri larg meje,
fuqia ime shpejto të më ndihmosh!

E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, do të të lavdëroj në kuvendin e dheut: “Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë, mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!
Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë.”

Leximi i dytë: Fil 2, 6-11
Shën Pali tregon se Jezusi ka pranuar plotësisht vdekjen në kryq. Ai u bë njeri me anë të mishërimit dhe u bë shërbëtor i njerëzve me anë të mundimeve. Jezusi duke pranuar lirisht dhe për dashuri planin e Atit gjatë mundimeve ka arritur fitoren e amshuar të ringjalljes.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Krishti Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi, dhe i dha emrin që është mbi çdo emër.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Mk 14, 1 – 15, 47
Marku paraqet Jezusin në Ungjill si Mesi që është i rrethuar nga qetësia dhe fshehtësia. Jezusi e jeton këtë vetmi në Gjetseman, gjatë mundimeve dhe mbi kryq. Vdekja e tij është e karakterizuar nga kjo vetmi e plotë. 

Më shumë mund të dëgjoni këtu mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele..








All the contents on this site are copyrighted ©.