2015-03-27 11:12:00

Papa përshëndet 150 të pastrehë në Kapelën Sikstine


Kur nuk e priste askush, 150 të pastrehët, të cilët dje vizituan Muzetë e Vatikanit, panë të vinte drejt tyre Papa Françesku. Habia dhe gëzimi u përzienë në fytyrën e tyre, kur vunë re Atin e Shenjtë, që kapërceu pragun e Kapelës Sikstine, etapa e fundit e vizitës së tyre në Muze, pasi kishin përshkuar pavionin e Karrocave, atë të Shandanëve dhe të Hartave Gjeografike e, para se të shkonin në darkën e ofruar për ta nga Lëmoshtaria Apostolike.

         Papa nuk deshi fotografi zyrtare, as formalitete; “është takim në familje”, u tha të pastrehëve, udhëhequr nga Lëmoshtari, imzot Konrad Krajevski. “Është një përkëdhelje e vogël – vijoi – sepse kjo është shtëpia e të gjithëve, është shtëpia juaj. Portat janë gjithnjë të hapura për të gjithë… Faleminderit për dëshminë tuaj të durimit”. Pastaj, Ati i Shenjtë falenderoi edhe Lëmoshtarin e u kërkoi të pastrehëve të luten për të. “Kam nevojë për lutjen e njerëzve si ju”, u tha, para se t’i bekonte. “Zoti ju ruajttë, ju ndihmoftë në udhën e jetës e dhashtë që ta ndjeni dashurinë plot ëmbëlsi të Atit Qiellor”, përfundoi Papa Françesku. Balsam, fjalët e Papës, për të pranishmit, që nuk e kanë të lehtë jetën e shpesh, kanë humbur gjithçka të dashur, si Karla, së cilës i afruam mikrofonin:

         Më shpërtheu bombola me gaz në shtëpi e vdiq e gjithë familja, para tre vjetësh. Me paratë që më dhanë si dëmshpërblim bleva një shtëpi, që tani ka rrezik të bjerë brenda, prandaj jetoj rrugëve. M’i hapi dyert një kuvend i françeskanëve në Valmontone: shumë dhimbje, shumë vuajtje, por më kanë ndihmuar shumë e tani jam mirë.

         I lumturuar nga vizita e Papës edhe kreu i zyrës së Lëshmotarisë, imzot Diego Ravelli:

         Është vërtet bukur të shohësh atë buzëqeshje e atë dashuri, që rrezaton edhe prej tyre, sidomos gjatë takimit me Papën. Dolën nga Muzetë me zemrën plot gëzim e kjo është vërtet gjëja më e bukur.








All the contents on this site are copyrighted ©.