2015-03-26 16:54:00

Ucesm në Tiranë: imzot Massafra për Vitin e jetës rregulltare


“Dëshiroj të mendoj për Vitin e Jetës Rregulltare si rast  i përshtatshëm për ju, që të keni edhe një arsye tjetër për risim, e edhe për Kishën mbarë, për “t’i dhënë shije” me praninë tuaj të përvuajtur, por vendimtare”. Janë këto fjalët me të cilat imzot Angelo Massafra, kryetar i Konferencës ipeshkvnore shqiptare e zëvendës-kryetar i Ccee (Këshillit të konferencave ipeshkvnore evropiane), iu drejtua pjesëmarrësve në Asamblenë e përgjithshme të Ucesm (Bashkimi i Konferencave Evropiane të Eprorëve e Eproreve të Mëdha), mbledhur për takimin e  përvitshëm në Tiranë, nga e hëna, 23 e deri më 28 mars.

Ipeshkvi duhet të ndihmojë për zhvillimin e karizmave

Në Vitin e Jetës Rregulltare, prelati e përqendroi fjalën e tij mbi shpjegimin korrekt të marrëdhënieve të ipeshkvit me realitetet e ndryshme kishtare. “Ipeshkvi, në ushtrimin e atësisë së tij shpirtërore, karakteristike për shërbesën e ngarkuar, theksoi, ka si detyrë kryesore të dallojë, të njohë, të pranojë e të favorizojë zhvillimin e karizmave, frymëzuar nga Shpirti Shenjt, si në mes të popullit të vet, ashtu edhe ndër njerëz të veçantë, në Institutet e Jetës së Kushtuar, në Lëvizjet e Shoqatat.

Shpirti i Rrëshajëve, në antitezë me Babelin

Imzot Massafra kujton se  Kisha ka si qëllim kryesor “të jetë ai bashkim, që Shpirti Shenjt e realizoi për Rrëshajë, në antitezë me Babelin”. Është të jetosh e të riprodhosh në mënyrë të veçantë atë bashkim, që  ekziston në jetën e Trinisë…”. Kështu kryeipeshkvi i Shkodrës fton për t’u rinisur nga rishqyrtimi dhe ripërcaktimi i roleve brenda Kishës, duke filluar pikërisht nga vetëdija e identitetit institucional ose karizmatik, pa harruar, natyrisht, dokumentet e shumta, që ofrohen, qysh nga Koncili II i Vatikanit e në vijim. Në të vërtetë, ngulmoi zëvendës-kryetari i Ccee, nuk është  e lejueshme të mendohet për jetën rregulltare si për një model tjetër të Kishës (një lloj Kishe brenda Kishës). Jeta rregulltare duhet parë si ajo pjesë e Kishës që, me shpirtin profetik, e vë në lëvizje mbarë korpin kishtar në ndjekjen e përkryer të Mësuesit, në situatat e kohëve në ndryshim.

Modeli i lidhjes së ipeshkvit me kongregatat, institucioni familjar

Për imzot Massafrën, modeli që pasqyron më shumë lidhjen e ipeshkvit me kongratatat ose me institutet e jetës rregulltare, si dhe vetë marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të këtyre realiteteve kishtare, është institucioni familjar. “Dihet si dështon lidhja prind-fëmijë, kur këta të fundit detyrohen të bëhen ashtu si  dëshirojnë prindërit e tyre: kur, në vend që të favorizojnë  e të  kanalizojnë aftësitë e secilit, prindërit i detyrojnë fëmijët të sillen e të zgjedhin rrugë, që e rrënojnë dhuratën e bërë nga Zoti; një dhuratë e cila duhet zbuluar, duhet pranuar e duhet favorizuar në zhvillimin e fëmijës: prirja personale. E pikërisht kjo është detyra kryesore e prindit për fëmijët.

Të favorizohen pikat e takimit të rregulltarëve me ipeshkvijtë

Prandaj, vijoi zëvendës-kryetari i Ccee, është e rëndësishme që bashkësia e jetës së kushtuar, familja e ipeshkvi të gjejnë e të zbatojnë pikat e takimit, që i ndihmojnë marrëdhëniet: do të krijohej, kështu, një jetë kishtare plot gjallëri, e aftë për të shfrytëzuar pasuritë e secilit, përmes vlerësimit të thirrjeve e karizmave. Pyes veten: si është e mundur që ende sot, pas viteve të studimit, të kuvëndimeve, të sinodeve e të dokumenteve, nuk është arritur akoma në atë harmoni ndërmjet pjesëve të korpit kishtar, të cilën e ëndërrojmë, e dëshirojmë dhe e urojmë të gjithë? Një problem, përfundoi imzot Massafra, që ndoshta nuk duhet zgjidhur në terma doktrinore, por në kuadrin e një humanizmi që karakterizohet nga përshpirtëria.








All the contents on this site are copyrighted ©.