2015-03-26 12:27:00

Papa: gëzimin nuk e jep doktrina e ftohtë, por besimi në Jezusin


Nuk është doktrina e ftohtë, ajo që jep gëzim. Gëzimin e japin feja e shpresa, që burojnë nga takimi me Jezusin. Besimtari, që nuk di ç’është gëzimi, është gjithnjë i trishtuar. Kështu u shpreh sot Papa gjatë homelisë, mbajtur në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke u përqendruar tek besimi i patundur i Abrahamit.

E pikërisht gëzimi i Abrahamit, që mbushet me shpresë, kur merr vesh se do të bëhet baba, siç i kishte premtuar Zoti, i priu reflektimit të Papës në komentin e leximeve të ditës. Abrahami është plak, e plakë është edhe fati i tij, Sara, por ai beson, zemra e tij është gjithnjë e hapur për shpresën, është plot me ngushëllim. Jezusi u kujton doktorëve të ligjit se Abrahami galdoi në ditën e ëndërruar e hovi nga gëzimi, kur pa dritën djali, aq shumë i dëshiruar, i premtuar nga Hyji.

E pikërisht këtë nuk e kuptonin doktorët e ligjit. Nuk e kuptonin gëzimin, që gurron nga premtimi; gëzimin, që buron nga shpresa, gëzimin e besës së lidhur me Zotin. Nuk kuptonin! Nuk dinin ç’është gëzimi, sepse e kishin humbur kuptimin e atij gëzimi, që vjen vetëm nga feja. Ati ynë, Abrahami, u gëzua, sepse ishte plot me fe. U bë i drejtë, përmes fesë! Përmes besimit të plotë në Zotin. Por ka edhe më: doktorët e kishin humbur ligjin! Sepse qendra e ligjit është dashuria, dashuria për Hyjin e për të afërmin.

Kështu u shpreh Papa, e vijoi:

“Kishin vetëm një sistem doktrinash të sakta, të cilat i saktësonin edhe më shumë çdo ditë, që të mos guxonte t’i prekte askush. Njerëz pa fe, pa ligj, të kapur me doktrina, pas të cilave shpesh viheshin një mori pikëpyetjesh: ‘Duhet a s’duhet t’i paguhen taksat Çesarit? Kjo grua, që u martua shtatë herë, kur të shkojë në qiell do të jetë gruaja e të shtatëve, apor vetëm e njërit? E nëse e njërit, e cilit do të jetë?’. Kazuistikë…Dyshim i lindur ndërmjet zërit të ndërgjegjes e zërit të ligjit. Kjo ishte bota e tyre, botë krejtësisht abstrakte, botë e akullt, pa dashuri, botë pa fe, botë pa shpresë, botë pa besim. Botë pa Zot! E prandaj edhe nuk mund të gëzoheshin. Gëzimi ishte i huaj për ta”.

Ndoshta doktorët e ligjit, vërejti me ironi Papa, edhe mund dëfreheshin, por pa gëzim, madje me frikë. Kjo është jeta pa besim në Zotin, pa shpresë në Zotin. E zemra e tyre ishte bërë gur. E trishtë, theksoi Françesku, të jetosh pa gëzim. E gëzim nuk mund të kesh, kur nuk ke fe. Nuk mund të kesh gëzim, kur nuk ke shpresë. Nuk mund ta kesh, kur s’ka ligj, por vetëm rregulla, doktrinë të akullt:

“Gëzimi i fesë, gëzimi i Ungjillit, është guri i provës, që flet për fenë e njeriut. Pa gëzim, njeriu nuk mund të jetë besimtar i vërtetë. Të kthehemi në shtëpi, por përpara të kremtojmë këtu me fjalët e Jezusit; ‘Abrahami ati juaj, galdoi në shpresë, duke parë ditën time. E pa e u mbush plot me gëzim’. E t’i kërkojmë Zotit hirin  të galdojmë në shpresë, hirin që të mund ta shikojmë ditën e Jezusit, kur të jemi me Të, përplot me hirin e gëzimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.