2015-03-26 12:34:00

Papa bekon operën moderne “Krishti im”


Ungjill i kënduar, në një vepër muzikore moderne, e cila ngre në art figurën e Jezusit, treguar nga ai, që i jetoi ngjarjet ungjillore. Opera, pra, me përmbajtje e me  personazhe të Ungjillit. Me Marinë, nënën, që jeton me gaz e dhimbje, shprehur me tinguj të ëmbël, të butë e tragjikë. Jozefin, njeriun që lufton për një bir, të cilin e do si të ishte i tiji. E pastaj Pilatin, Herodin, Judën, Madalenën... E edhe Kryeengjëllin Gabriel e Shejtanin, që interpretohen me fjalë e nota në mënyrë hyjnore e njerëzore thellësisht prekëse.

Krishti në prag të së Dielës së Larit ngjitet përsëri në skenë: në skenën e operas e në skenat e zemrave njerëzore. Në teatro operash e në të gjithë elterët e botës së krishterë, posaçe, në ato të viseve ku ndodhën historikisht ngjarjet e operës, kompozuar nga italiani Beppe Dati, me regji të Pierpaolo Paçinit, që i këndon jetës së Mesisë e të Palestinës, nga viti 60 para Krishtit, deri te Ringjallja e Jezusit.

Kompozitori pohon se nuk është besimtar, por në kërkim të diçkaje, që ta mbush plot zemrën e zbrazur. Prandaj në operën e tij përpiqet të vërë në dukje ato tipare të Jezusit të Nazaretit, që e bëjnë edhe sot e kësaj dite tejet aktual mesazhin e tij, parë si pikë e çmuar referimi, për ata që kërkojnë të Vërtetën.

Duke vërejtur kohën tonë kaq të varfër në vlera, edhe artistike, kompozitori ia hyri kësaj pune të vështirë, me mendimin se mund t’i shërbente shumëkujt për të rigjetur rrugën e humbur a të harruar, në labirintin e udhëve të këtij shekulli, ku ka shumë zhurmë për asgjë, e pak muzikë. Krijoi, kështu, një opera të re, moderne, në të cilën ndërthuren me art të madh, nga ai që krijohet aq rrallë sot, muzika, letërsia, historia, jeta shoqërore e deri gjeografia. Art, që realizohet plotësisht edhe falë një grupi këngëtarësh e aktorësh si dhe të një kori prej 20 vetash.

Prandaj autori e pa të arsyeshme t’ia dhuronte edhe Papës Françesku  veprën, në tri cd, shoqëruar me një letër, ku nuk e mohon se ecën në një rrugë të vështirë, në kërkim të fesë. E jo si besimtar, edhe kur shkruan tingujt e veprës së re muzikore, me titull kuptimplotë: “Jezusi im”.

E Françesku i kthen sakaq përgjigje, duke e falënderuar për peshtafin me cd-të, me notat e me fjalët.

Një opera moderne për Jezusin. Në prag të së Dielës së Larit tingëllon si ftesë për kompozitorët, që t’u kujtohet përsëri e përsëri Jezusi, gurrë e pashterrshme frymëzimi për artistët e të gjitha kohëve. Papa Françesku e inkurajoi muzikantin të japë me guxim dëshmi e ta kumtojë gjithnjë karakterin e shenjtë të çdo njeriu, krijuar nga Hyji sipas shembëllimit të Tij e shëlbuar nga Krishti në Kryq! Lajtmotiv i operës.

Kujtojmë se “Krishti im” po shfaqet me sukses nëpër qytetet kryesore të Italisë, aq të ndjeshme ndaj muzikës, e edhe se të ardhurat që do të mblidhen, do t’i dorëzohen Fondacionit Cure2Children, që merret me mjekimin e fëmijëve të botës, të prekur kryesisht nga leucemia.








All the contents on this site are copyrighted ©.