2015-03-25 14:05:00

Papa në Torino më 21-22 qershor: Sindona, valdezët, drekë familjare


Papa Françesku do të shkojë dy ditë në Torino të Italisë, më 21 e 22 qershor, me rastin e ekspozimit të Sindonës, pra, të pëlhurës ku ka mbetur gjurma e korpit të Krishtit. Sot, në Vatikan u mbajt një konferencë shtypi për të shpjeguar veprimtaritë gjatë ekspozimit të Sindonës, e cila do të mund të shihet nga publiku prej 19 prillit deri më 24 qershor, por edhe për të paraqitur programin e vizitës së Atit të Shenjtë.

Papa do të fillojë vizitën duke takuar “botën e punës”, të dielën paradite në sheshin Reale. Pikat e tjera kulmore do të jenë një vizitë në Tempullin Valdez, të hënën paradite, e para e një pape në një vend kulti të kësaj besojme të krishterë protestante, si edhe takimi me disa familjarë të vet, në formë private, për kremtimin e meshës e për drekën. Kujtojmë se Horhe Mario Bergoljo ka origjinë piemonteze e në këtë zonë, jetojnë akoma kushërinj të tij.

Po ja programi më i detajuar, paraqitur në konferencën e sotme të shtypit, në Vatikan, nga kryeipeshkvi i Torinos, imzot Cesare Nosiglia:

Papa Françesku mbërrin në orën 8.00 në aeroportin Torino Caselle. Siç e thamë, në orën 8.30 takohet me botën e punës në sheshin Reale. Këtu e përshëndesin një punëtore, një bujk dhe një afarist. Më pas, Ati i Shenjtë shkon në këmbë në katedrale, ku ndalet në lutje para Sindonës, si edhe para elterit të të Lumit Pier Giorgio Frassati. Në orën 10.45, kremton meshën dhe thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot, në sheshin Vitoria.

Në orën 13.00, dreka me disa të rinj të burgosur në Burgun “Ferrante Aporti”, me disa emigrantë e të pastrehë, si edhe me një familje romësh. Në orën 14.30, Papa shkon në formë private, në shenjtëroren e Zojës së Ngushëllimit e pastaj, në bazilikën e Zojës Ndihmëtare, ku takohet me salezianët dhe me salezianet. Kujtojmë se ekspozimi i Sindonës bëhet pikërisht në 200 vjetorin e lindjes së shën Gjon Boskos, bir i Torinos, pajtor i të rinjve.  Por Papa dëshiron të takojë edhe të vuajturit. Pas bisedës me familjen saleziane, Ati i Shenjtë shkon me makinë në Cottolengo, ku takohet me të sëmurët dhe të gjymtuarit. Në orën 18.00, impenjimi i fundit publik për Papën Françesku: takimi me të rinjtë në sheshin Vittoria.

Të nesërmen, pra ditën e hënë, më 22 qershor, vizita në Tempullin Valdez, ku Ati i Shenjtë do të mbajë një ligjëratë. Pas këngës korale, parashikohet që të gjithë të pranishmit të lusin së bashku “Atynën”.

Pasi kthehet në kryeipeshkvi, Ati i Shenjtë takohet privatisht me familjarët e vet, thotë meshën në kapelë dhe e kalon drekën me ta. Po në kryeipeshkvi, në orën 16.30, Papa bën një takim të shkurtër me anëtarët e Komitetit për Ekspozimin e Sindonës, me organizatorët dhe me mbështetësit e vizitës. Në orën 17.00, niset për në aeroport. Gjatë rrugës, e përshëndesin të rinjtë e “Estate Ragazzi”, nismë verore për të rinjtë, lindur në Bolonjë në vitin 1989.








All the contents on this site are copyrighted ©.