2015-03-25 14:38:00

Muzetë e Vatikanit: vizitë e veçantë për 150 të pastrehë


Vizitë e veçantë në Muzetë e Vatikanit dhe në Kapelën Sikstine për një grup prej 150 të pastrehësh. Me nismën e Lëmoshtarisë Apostolike, të udhëhequr nga kryeipeshkvi Konrad Krajevski, më 26 mars, bukuritë artistike vatikanase do të admirohen edhe nga të pastrehët, që zakonisht e njohin shën Pjetrin vetëm nga shkallët përreth sheshit, mbi të cilat ngrihen shtyllat e Berninit.

Udhë e veçantë, para arritjes në Muze

         Vizita do të bëhet pasdite, njofton gazeta “L’Osservatore Romano”. Vizitorët e pazakonshëm do të hyjnë nga porta e Vatikanit, që quhet “Petriano”, ku do të ndahen në tre grupe. Secili grup, me një guidë e me kufie për ta dëgjuar, do të përshkojë krejt territorin e Shtetit të Vatikanit, për të arritur në portën e brendshme, që çon në Muze.

Pas vizitës, darka

         Pjesa e parë e Muzeve, që do të shihet nga të pastrehët, është pavioni i Karrocave, pastaj, përmes Shkallës Simonetti, vizitorët do të shkojnë në galeritë e epërme (të Shandanëve dhe të Hartave gjeografike) për të arritur në Kapelën Sikstine. Kryevepra e Mileanxhelos u është rezervuar krejtësisht të ftuarve të Lëmoshtarisë Apostolike. Vërtet, me këtë rast, Kapela do të mbyllet më shpejt për publikun, i cili mund të hyjë deri në orën 16.00. Pas shpjegimit të guidave dhe lutjes së përbashkët, krejt grupi do të shkojë për darkën e ofruar nga Lëmoshtaria, në një nga ambientet e Muzeve. Fundi i vizitës parashikohet për orën 19.30.








All the contents on this site are copyrighted ©.