2015-03-25 12:24:00

Festa e Familjes në dioqezën e Sapës


Nën organizimin e Komisionit Dioqezan të Familjes, të dielen e V të kreshmeve dioqeza e Sapës kremtoi Festën e Familjes nën moton “Dy prej tyre po shkonin…” marrë nga Ungjilli sipas Lukës. Shumë familje të ardhura nga famullitë, edhe nga zonat më të largëta të dioqezës u mblodhën në sallën e ipeshkvisë për të bashkëndarë së bashku disa orë dëgjimi dhe lutjeje rreth porosisë së Kishës për familjen. Të dëgjojmë informacionin e bashkëpunëtores sonë, Violeta Marashi...

"Përgjegjësi baritor i familjes, karmelitani Atë Adolfo Scandurra kishte ftuar ipeshkvin e vendit, Imzot Avgustinin, i cili e ka fort për zemër që të punojmë së bashku në fushën baritore për familjen, duke u bërë kështu ndërtues të së mirës, duke ia kthyer në vendin e duhur që e ka pasur gjithmonë, dinjitetin martesës dhe familjes, e cila sot është e plagosur apo edhe e rrënuar në disa vlera morale dhe njerëzore.

Ipeshkvi në ligjëratën e mbajtur me këtë rast paraqiti vlerat e familjes, e cila është shkolla më e plotë e njerëzimit, është themeli i çdo shoqërie. Familja e krishterë është çerdhe ku lindin, rriten dhe edukohen qytetarë të përgjegjshëm, të cilët janë e ardhmja e shoqërisë sonë dhe garancia për një shoqëri më të drejtë dhe më paqësore. Një familje që përjeton vlerat e krishtera është e aftë të ndihmojë të gjitha familjet tjera që të vlerësojnë dashurinë, besnikërinë dhe qëndrueshmërinë në jetën martesore, dhe që të konsiderojnë fëmijët si dhuratë të Zotit. Gjithashtu, Imzot Lucjani i mëshoi faktit se nuk mund të mbyllim sytë para problemeve që janë krijuar për jetën martesore dhe për familjen në botën e sotme. E ashtuquajtura “jetë moderne” dita- ditës po bëhet pjesë përbërëse e jetës në familje, dhe me pranimin e saj mjerisht po pranohen edhe shume të këqija të cilat po e rrënojnë familjen. Ndaj të gjithë së bashku të bashkëpunojmë për të gjetur një rrugëdalje apo shërim të kësaj sëmundjeje moderne. Ipeshkvi përfundoi duke ftuar familjet që ta vlerësojmë fenë tonë katolike, t’ia ngulim sytë Kryqit të Krishtit dhe familja nuk do të jetë kurrë vetëm, do gjejë udhën e humbur dhe do të shpëtojë nëpërmjet Jezu Krishtit.

Në këtë takim u paraqiten edhe dy dëshmi të dy çifteve: Aleksandri me Elsen dhe Petriti me Mimozen, të cilët përmes lutjeve dhe një ecjeje me mësimet e Ungjillit kanë zbuluar Zotin brenda vetes, dhe së bashku dashurinë dhe besimin në Zot i kanë vendosur si qendër të jetës së tyre, përmes së cilës kanë formuar kështu dy shtyllat kryesore që i duhen një familjeje për të qenë e shëndoshë. Dhe Zoti i ka bekuar me nga dy fëmijë secilin çift, duke i dhënë edhe më kuptim fjalës “Familje”.  

Festa e familjes kulmoi me kremtimin e Eukaristisë Shenjte të kryesuar nga bariu i Sapës, ku të gjithë së bashku si bashkësi familjare dioqezane vendosën në qendër të lutjeve familjet që gjenden në probleme dhe vështirësi nga më të ndryshmet, sidomos për ato që janë në krizë dhe në prag të divorceve, që drita e Krishtit të ndriçojë mendjet dhe zemrat e tyre, që Shpirti i Shenjtë të veprojë me fuqi që ta mbajnë familjen dhe ta edukojnë me vlerat e krishtera".








All the contents on this site are copyrighted ©.