2015-03-23 16:49:00

Papa e motrat e klauzurës në Napoli (Kuriozitet)


Ditë e jashtëzakonshme, ndoshta e papërsëritshme, për 66 murgesha klauzure, e shtuna e kaluar. E i papërsëritshëm, takimi me Françeskun, të cilit i dhuruan biskota, të gatuara me duart e tyre, e edhe karamele. Të vëna në një kuti, edhe ajo e bërë me duart e tyre të mësuara, që nuk pushojnë kurrë së luturi e së punuari, gjithnjë të mbyllura në kuvendet e tyre mistike. Por të shtunë patën liridalje të jashtëzakonshme! Ishin në katedrale, kur kremtoi Papa e, kur përfundoi kremtimi, u sulën drejt elterit të madh,  për ta takuar Atin e Shenjtë, duke e rrethuar me një entuziazëm, që i çuditi të gjithë. Papën së pari. Sepse i ngjiste shumë skenave biblike.

U desh ndërhyrja e kardinalit Sepe, kryeipeshkëv i Napolit, për të shmangur  ndonjë avari të vogël. “M’u desh t’i qortoja, u tha kryeipeshkvi i Napolit gazetarëve. Pata frikë mos rrëzohej shandani i madh, me qiriun e ndezur, fare pranë relikeve të Shën Gjenarit. Ndonëse s’është për t’u çuditur: është hera e parë e ndoshta edhe e fundit, që dalin kështu nga mbyllja e tyre vullnetare, e përjetshme”.

66 motra, nga shtatë kuvendeve napoletane të klauzurës patën, të shtunën, leje të posaçme nga kardinali Sepe për të dalë e për të marrë edhe ato pjesë, drejtpërdrejt, në gëzimin e mbarë qytetit, mbledhur rreth Papës. U larguan vetëm pas ndërhyrjes së kardinalit kryeipeshkëv. E fundmja që doli nga katedralja, ishte eprorja e njërit nga shtatë  manastiret,  duke marrë me vete, për tërë jetën, gëzimin e këtij takimi të papërsëritshëm! 








All the contents on this site are copyrighted ©.