2015-03-23 18:05:00

Papa, për “vëllain ujë”


Dje, nësa kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i çoi besimtarët e panumërt, që e ndiqnin në Sheshin e Shën Pjetrit, në atmosferën, që pati frymëzuar Shën Françeskun për të krijuar “Këngën e Krijesave”.  Duke e cituar këtë këngë, në sa punon për t’i dhënë dorën e fundit enciklikës së tij të re, kushtuar ekologjisë, solli në Shesh, në ditën e parë të pranverës, jehonën e himnit françeskan, që nis me “Lavdet drejtuar Zotit, për të gjitha krijesat e tij, për vëlla diellin, i cili lëshon dritë e në vend të Tij na shndritë; pasqyrë e Zotit tejet të lartë; për motrën hënë e për yjtë;  për motrën erë e për mot si të ngrysur, ashtu të kthjelltë”. Po Ati i Shenjtë, në Ditën botërore të ujit, themeluar nga OKB-ja, u ndalua posaçërisht tek kjo pasuri, duke theksuar:

“E inkurajoj bashkësinë ndërkombëtare të përkujdeset që ujërat e Planetit të mbrohen si duhet e askush të mos përjashtohet ose të diskriminohet në përdorimin e kësaj pasurie që, për vetë natyrën e saj, është e përbashkët”.

E në përfundim i ftoi besimtarët të thonë së bashku, me Shën Françeskun, vargjet e Këngës së Krijesave, kushtuar pikërisht ujit, që Varfanjaku i Asizit e quajti, në gjuhën e vet “motër”, sepse emër i gjinisë femërore. Po në gjuhën tonë është mashkullor, prandaj, “vëlla”. Të themi, pra së bashku, ftoi Papa: ‘Lavdue kjosh, o Zoti em, për ujin vëllá, / i cili âsht fort i dobishëm e i përvûjtë, i çmueshëm e i kulluet!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.