2015-03-20 11:59:00

Imzot Tomazi: e ligjshme, mbrojtja kundër sulmeve të Isis


Programi “Virus” i televizionit italian RAI 2 ishte mbrëmë rasti për të përsëritur edhe një herë qëndrimin e Selisë së Shenjtë ndaj sulmeve të Shtetit Islamik, Isis, sidomos në Lindjen e Mesme. Në studio, Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit, në selinë e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomasi, theksoi se mbrojtja e civilëve kundër terroristëve, është e ligjshme, pra hyn në njërin nga rastet e rralla, për të cilat Kisha Katolike pranon “të mos e kthejë edhe faqen e majtë, kur e godasin në të djathtën”. “Ekziston mbrojtja e ligjshme – sqaroi ai gjatë transmetimit. Përdorimi i forcës pranohet si rrugë e mundshme, si mjeti i fundit për t’u mbrojtur, sidomos, nga situata genocidi dhe dhunimi sistematik të të drejtave themelore të njeriut”.

“Sigurisht – vërejti diplomati vatikanas – disave nuk u pëlqen as përmendja e kësaj mundësie, por për të bërë diçka duhen marrë vendime operative e këto shqetësojnë. Para kësaj gjendjeje të vështirë, sidomos para përpjekjes së atyre, që kontrollojnë territorin, për të krijuar genocid, për të eliminuar kategori të tëra njerëzish, sepse janë të një besimi, apo të një kulture tjetër, del në pah përgjegjësia e bashkësisë ndërkombëtare, e cila duhet të kërkojë një përgjigje, t’i ndihmojë e t’i mbrojë të pafajshmit, që sulmohen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.