2015-03-19 14:38:00

Ipeshkvi i Tunisit: të ndalen terroristët, por jo dialogu


“Dhimbje, trazim, poshtërim”: këto janë fjalët me të cilat e përshkruan gjendjen e tij shpirtërore kryeipeshkvi i Tunisit, imzot Ilario Antoniazzi, i cili shkoi sot në spitale të ndryshme për të vizituar të plagosurit nga “akti i çmendur i dhunës”, siç e quajti ai atentatin terrorist të djeshëm në muzeun Bardo të kryeqytetit të Tunizisë. Ja ç’na tha, në mikrofonin tonë:

         Para së gjithash dua të them se jemi pranë atyre, që vuajnë, pranë familjeve të viktimave dhe të të plagosurve. Por dua të them edhe se e gjitha kjo nuk është shprehje e popullit tunizin, që nuk e kupton si është e mundur të vriten e të plagosen kështu njerëzit. Populli tunizin është mikpritës dhe i dashur. Rreziku ekziston gjithmonë, sepse edhe këtu kemi celula të Isis, megjithëse nuk dihet ku. Deri tani, si Kishë, nuk kemi pasur ndonjë shenjë lëvizjeje kundër të krishterëve. Ndjekim qëndrimin e Papës: duhet t’i ndalim, por duhet edhe t’i lemë të hapura portat e dialogut. Nuk mund t’i lemë të bëjnë ç’të duan, t’i terrorizojnë njerëzit, por, mendoj se duhet t’i ndihmojmë të zhvillohen. Për vjet me radhë, në kohën e diktaturave, sidomos në atë të Ben Aliut, kush shkonte në xhami nuk shihej me sy të mirë. Rezultati: sot, ka një boshllëk vlerash ndër të rinjtë, një boshllëk fetar, një boshllëk kulture, sepse nuk e njohin mirë historinë e së kaluarës së tyre, e cila është e lavdishme, e bukur. Kur njeriut i mungojnë vlerat, i pari që kalon, ia mbush kokën me ç’të dojë e rreziku, që të arrihet në situata të pashpjegueshme, është i madh. Kështu për shembull, pyetja që i bën tani vetes populli tunizin, i cili është besimtar, plot kulturë, është kjo: si ka mundësi që pikërisht Tunizia i ka mbushur më shumë radhët e Isisit me luftëtarë, bijtë e vet. 








All the contents on this site are copyrighted ©.