2015-03-15 16:45:00

Gruaja në qendër të raportit të fundit të Vëzhguesit Van Thuan


"Njeriu, që e kemi shikuar gjithnjë si projekt, tani bëhet prodhim laboratori, për tregun”. Ky është skenari i përshkruar nga imzot Giampaolo Crepaldi, kryeipeshkëv i Trieshtes dhe kryetar i “Vëzhguesit Van Thuan”, duke paraqitur Raportin 2013 mbi përvetësimin dhe zbatimin e Doktrinës shoqërore të Kishës në botë, titulluar “Revolucioni i gruas, gruaja në revolucion”. Një vit i posaçëm, gjatë të cilit u kalua nga shërbesa papnore e Benediktit XVI, në atë të Papës Françesku. Të shumta, pikat e takimit e të vazhdimësisë në fushën shoqërore, ekonomike dhe etike, duke u nisur nga vëmendja mbi pabarazinë e mbi njerëzit e fundmë të shoqërisë.

Imzot Fabiano Longoni, drejtor i Zyrës për problemet shoqërore dhe i punës pranë Konferencës ipeshkvnore italiane, theksoi:

“Logjika është ajo e misionit. Logjika, ajo e daljes. Logjika, ajo e propozimit. Papa na këshillon se duhet të jemi të aftë për të dalë e për t’i përhapur kudo, përmes dëshmisë, vlerat absolute në të cilat  besojmë”.

Emigracioni dhe liria fetare, sigurimi shëndetësor dhe drama a urisë në botë, problemet kulturore, që krijohen nga përdorimi i internetit dhe kërcënimet e terrorizmit bërthamor. Këto, sfidat më të mëdha të diplomacisë së Selisë së Shenjtë në vitin 2013. Gjithsesi duhet thënë se zbatimi i Doktrinës shoqërore të Kishës nuk është i njëjtë në mbarë botën, shpjegon imzot Crepaldi:

“Po të shkojmë në Jugun e botës, vërejmë se është  thelluar vetëdija brenda mjediseve kishtare. Duhet të them se, për fat të keq, në frontin evropian, në  përgjithësi, kjo vetëdije është më pak e fortë, ka shumë më pak gjallëri. Në viset e Evropës vërehet një farë lodhjeje”.

Sivjet theksi vihet kryesisht mbi gruan, parë si shoqe jete e si nënë, lexohet në Raport. Përhapja e praktikave të fekondimit heterolog dhe mitra me qera rrezikojnë që në botë të krijohet një treg i ri, fare i panjohur në rrjedhë shekujsh: tregu i amësisë. Të dëgjojmë të nderuarën Eugjenia Roccella, një nga autoret e vëllimit:

“Ne gratë kemi qenë gjithnjë roje të jetës, të njeriut. Sot duhet të jemi roje të njerëzores. Rruga, në të cilën po ecim është ajo e çnjerëzimit. Do të thotë ta shkulësh brezninë me gjithë rrënjët mijëravjeçare, domethënë të lidhjes, në radhë të parë, me një trup, e ta çosh në dy vende esencialisht: një vend abstrakt e një konkret: vendi shumë konkret është laboratori, vendi abstrakt, tregu”.

Nën akuzë, edhe teoria e gjinisë. Përsëri e nderuara Roccella:

“Sot ai, që fiton, është keqkuptimi i paparë ndonjë herë, domethënë ai i sheshimit, i barazimit të burrit me gruan; e kështu fiton teoria e gender, domethënë, ideja se identiteti seksual është diçka, që mund të zgjidhet, që mund të ndryshohet me kohë, që nuk lidhet fare me trupin e me ndryshimet biologjike. Besoj se ky është pikërisht fundi i konceptit mbi gruan e mbi amësinë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.