2015-03-12 15:28:00

Papa, ipeshkvijve koreanë: dhembshuria i bën të besueshëm dëshmitarët e Jezusit


Të provojmë dhembshurinë e Jezusit për t’u bërë “dëshmitarë gjithnjë e më të besueshëm të pushtetit të Tij shëlbues”. Ky qe thelbi i fjalëve të Papës Françesku për ipeshkvijtë koreanë, në vizitë ad Limina, në Vatikan. Ati i Shenjtë, që u dorëzoi prelatëve fjalimin e shkruar, pa e shqiptuar, u vuri në dukje se “të kumtosh Krishtin do të thotë të tregosh se të besosh në Të e ta ndjekësh, nuk është vetëm gjë e vërtetë dhe e drejtë, por edhe e bukur”. Papa shprehu gjithashtu vlerësimin për bashkësinë katolike të Mongolisë, vërtet e vogël, por e impenjuar çdo ditë në shpalljen e Ungjillit në një territor  të pamatë.

         Kujtojmë se Ati i Shenjtë e vizitoi Korenë e Jugut nga 13 deri më 18 gusht 2014, me rastin e Ditës VI të Rinisë Aziatike. Në fjalën për ipeshkvijtë, Papa përmend si çast veçanërisht prekës lumnimin e 124 martirëve koreanë, të cilët i dha si shembull e shkollë për t’u ndjekur. I këshilloi ipeshkvijtë të vazhdojnë t’u qëndrojnë pranë të rinjve, duke dhënë shembullin personal për të qenë dëshmitarë të besueshëm të Krishtit e duke u bërë për ta shërbëtorë e baballarë të vërtetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.