Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Françesku: ipeshkvi nuk e mbledh popullin për idetë e veta, por për Krishtin

Papa Françesku në takimin me ipeshkvijtë, miq të fokolarinëve - OSS_ROM

04/03/2015 16:00

Ipeshkvi nuk e mbledh popullin rreth vetes, apo ideve të tij personale, por rreth Krishtit: kështu tha sot Papa Françesku, në takimin me ipeshkvijtë, miq të Lëvizjes së Fokolarëve, në Sallën Pali VI në Vatikan, para audiencës së përgjithshme. Ipeshkvijtë ndodhen në Romë për një takim me temë “Eukaristia, mister i bashkimit”. E pranishme edhe presidentja e Lëvizjes, Maria Voce.

         Bashkimi brenda Lëvizjes së fokolarinëve, u tha Ati i Shenjtë, i ka rrënjët thellë në Eukaristi, e cila i jep atij karakterin e krishterë e kishtar:

         “Pa Eukaristinë, bashkimi do ta humbte polin e tërheqjes hyjnore e do të reduktohej në një ndjenjë e në një dinamikë vetëm njerëzore, psikologjike, sociologjike. Ndërsa Eukaristia na garanton se në qendër është Krishti e se Shpirti i tij, Shpirti i Shenjtë, i lëviz hapat tona e nismat tona për takim e bashkim”.

         Shërbimi themelor i ipeshkvijve, shtoi Papa Françesku, është ai i mbledhjes së bashkësive përreth Eukaristisë, në tryezën e dyfishtë të Fjalës e të Bukës së jetës:

         “Ipeshkvi është bazë uniteti në Kishë, por kjo nuk bëhet pa Eukaristi: ipeshkvi nuk e mbledh popullin përreth vetvetes, ose ideve të veta, por  rreth Krishtit të pranishëm në Fjalën e tij e në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të tij”.

         Kështu ipeshkvi bëhet Ungjill i gjallë, pohoi Papa, bëhet Bukë e thyer për jetën e shumë njerëzve, sidomos me anë të predikimit e të dëshmisë së tij. Kush ushqehet me fenë në Krishtin, Bukë e gjallë, nxitet nga dashuria e tij të japë jetën për vëllezërit, të dalë për të takuar të mënjanuarit, të poshtëruarit. Ati i Shenjtë falenderoi në mënyrë të veçantë ipeshkvijtë e ardhur nga tokat e përgjakura të Sirisë e të Irakut, por edhe ata të Ukrainës:

         “Në vuajtjen, që po e jetoni me njerëzit tuaj, ju provoni forcën e Jezusit Eukaristi, forcën për të ecur përpara, të bashkuar në fe e në shpresë. Në kremtimin e përditshëm të meshës, ne jemi të bashkuar me ju, lutemi për ju, duke ofruar Flijimin e Krishtit; e prej tij, marrin forcë e kuptim edhe nismat e shumta të solidaritetit në favor të Kishave tuaja”.

         Së fundi, Papa Françesku i inkurajoi ipeshkvijtë, miq të fokolarinëve, të punojnë për dialogun ekumenik dhe atë ndërfetar dhe i falenderoi për kontributin e dhënë në bashkimin më të madh ndërmjet lëvizjeve të ndryshme kishtare.

04/03/2015 16:00