2015-03-02 15:29:00

Fjala e Zotit, në viset e kobit


 Lexojmë çdo ditë lajme kobi për të krishterët e lindjes. Dëgjojmë lajme morti e kërcënime, që vijnë nga ato vise, ku nisi të dëgjohej së pari Fjala e një Zoti të vetëm, ZotitDashuri. E të duket sikur njerëzimi rrotullohet pa krye në një rreth vicioz luftërash e vijon të mbytet në gjakun e vet. E të vijnë në mendje kohë të largëta, që duken sikur rikthehen pambarimisht në skenën e historisë së njerëzimit. Kohët e Makabejve. Vitet 300 para Krishtit, kur perandoria e Lekës së Madh ndahej ndërmjet shumë pretendentëve për fronin e formoheshin dy shtete: Siria, me kryeqytet Antiokinë dhe Egjipti, me kryeqytet Aleksandrinë. Ndërmjet tyre, Palestina, ku pas vitit 200 para Krishtit nisnin salvimet, për të vijuar deri në ditët tona. E Libia, skenë tragjedie pa fund. Prej këndej, edhe rezistenca, që u shkrua me shkronja ari në dy Librat e Makabejve, me kulm, bëmat e Judës.Shfleton Biblën e ndjen menjëherë se Fjala e Zotit nuk është e mbyllur në faqet  Librit! Fjala e Zotit është mes njerëzve. Fjala e Zotit është me njerëzit, edhe në çastet më të papërfytyrueshme, që dukeshin si të mbyllura përgjithmonë në rrotullat e pergamenave të lashta.

Bibla nëpër vise e kohë

Shfletojmë Librin e Makabejve e  lexojmë: “Ata i luteshin Zotit t’i sillte sytë e tij kah populli i shkelur prej gjithkujt, të kishte dhimbje për tempullin e dhunuar nga njerëz të prapë… për qytetin e rrënuar, gati–gati të rrafshuar e të shikonte gjakun, që çonte zërin deri tek Ai; të mos e harronte kërdinë e pashpirt mbi foshnjat e pafaje e blasfemitë kundër emrit të Tij e ta tregonte zemërimin e vet kundër së keqes.1  Të duket se  Libri flet për kohët tona, kur në të njëjtat vise njerëzimi, që nuk zu mend në shekuj, gatuan e ndjek të njëjtat skena.

Skena të reja biblike, në globalizimin e botës e të indiferencës

Në të njëjtat vise shikojmë përsëri, sot, në kohët e globalizmit e të indiferencës globale, skena tipike biblike. Dëgjojmë lutjen e nënës së Makabejve e lutjen e nënës së të krishterëve koptë të therur në Libi nga mëria e njerëzve, që duket se duan të kapen me vetë Zotin. Kur Nëna e Makabejve shikon se birin e saj më të vogël po e joshin  të heqë dorë nga feja e vet, pasi kishte parë duke u martirizuar gjashtë vëllezërit, për të mos i rënë mohit Zotit, i flet e i thotë: “Ki dhimbje për mua, që të mbajta nëntë muaj në kraharor, të dhashë gji për tre vjet e të mëkova e të rrita e të përcolla deri në këtë moshë…Mos ki frikë prej këtij kasapi gjakatar, por tregoju i denjë për vëllezërit e tu, pranoje vdekjen, që kështu unë të të kem përsëri pranë në ditën e mëshirës”.2 Asokohe nuk kishte video, që gjithë bota ta shikonte heroizmin një nëne e të  shtatë bijve të denjë për të! Por asokohe u shkrua Bibla, prej faqeve të së cilës Makabejtë, duke vdekur mizorisht, e heroikisht, vijojnë t’i drejtojnë njerëzimit një ftesë të pamort: ftesën e Besës së pathyeshme me Zotin! Duke ua kaluar të gjitha mjeteve të komunikimit modern, lajmet e të cilave kanë vetëm një ditë jetë.

Krenaria e krishterimit

Ndjekim mediat e ditëve tona e dëgjojmë britmat rrënqethëse, që jehojnë viseve biblike: “Na dëbuan nga trojet tona, nga strehët tona; na i sheshuan kishat e na i shkretuan kuvendet . Rrjedh rrëke gjaku ynë e trupat tanë bëhen mish për korba!”. Por në mediat lexojmë edhe: “Sat7 merr një telefonatë nga anëtari i familjes së koptëve të therur prej milicëve të Isis dhe i quan të afërmit “krenari e krishterimit”. Pohon se i gjithë fshati këndon për njerëzit e therur, madje i falënderon vrasësit, që i përhapën në botën mbarë pamjet gjakatare, përmes videos së ekzekutimit”. Njeriu që flet në telefon, nga ana tjetër botës, i quan të vëllezërit  Bishoy Estafanos Kamel (25 vjeç) dhe Samuel Estafanos Kamel (23 vjeç) “simbol i nderit të krishterimit”.

Dëshmia e gjakut, për Besën e Re

Vëllai i dy të martirizuarve,  që i ngjasin aq vëllezërve Makabej, tregon në telefon se kur e pyeti nënën ç’do të bënte, po të takohej me vrasësit e të bijve, mori gjegjen: “Do t’i ftoja në shtëpi, sepse u hapi bijve të mi portat e Mbretërisë së Qiellit”. Nëna, 60 vjeçe, analfabete, tejet e pasur me dijen e zemrës, i fal vrasësit e të bijve në lule të jetës e lutet, që Zoti t’ua hapë sytë, që të shpëtojnë shpirtin! Të duket se fjala e Librit të Makabejve del nga  Bibla e endet rishtas, e përkryer prej Ligjit të Ri, në ato vise ku krishterimi mbytet përsëri në gjak, për të mbjellur pikërisht atje, farën e makabejve të sotëm, që nuk do të shuhen kurrë këtyre trojeve!

Gjaku i martirëve, farë e të krishterëve të rinj!

Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj. Farë, që Bujku Hyjnor po e hedh prej rretheve qiellore, pikërisht viseve, ku u mishërua i Biri. Nuk mund t’i lërë Tokat e Krishtit, pa të krishterë! Ashtu si nuk i la në kohët e Besës së Lashtë, nësa përgatiste Besën e Re e i falte popullit të vet të zgjedhur, nëna si ajo e 7 vëllezërve Makabej. E ashtu si po i fal sot nëna e bij, që të duket sikur nuk dalin nga shtëpitë e  tyre të shkrumbuara, për t’u flijuar përsëri, por nga faqet e Shkrimit Shenjt, për t’i dhënë dëshminë e gjakut një bote, që beson se ngjarje kësisoji janë mite e legjenda. Pa menduar fare se një ditë mund t’u kërkohet e njëjta dëshmi…  Martirët e rinj na ftojnë të ndalemi para Kryqit, duke na bindur se Ungjilli është sinonim i vuajtjes e i mohimit të vetvetes. Por edhe se pas Kryqit, vjen Ringjallja, gëzimi pa fund. Përndryshe, si mund të përsëriten në shekuj skena të tilla? Si mund të mbijetojë krishterimi, në shekuj i mbërthyer në kryq? Duhet t’i kishte humbur emri, po të mos ishte Bujku i Mirë që hedh farë të reja e sjell pranvera të reja e dhuron martirë të rinj, krenari e të krishterëve të të gjitha kohëve! Që do të qëndrojnë aty, tek zanafilla. Besnikë të Besës së lidhur ndërmjet Zotit e Njeriut.

I falim e i duam

I falim, e edhe i duam, armiqtë tanë, tha vëllai i Martirëve në SAT 74 , duke folur anglisht, që ta merrte vesh gjithë bota e kacafytur keqas në ndeshje pa kuptim: “Because the Bible tells us to love our enemies and bless those who curse us.”(Sepse Bibla na mëson t’i duam armiqtë tanë e t’i bekojmë, ata që na mallkojnë!). Ç’qëndrim do të mbante secili nga ne, para kërcënimeve të vazhdueshme e, sidomos, para një hanxhari në dorë të një qenieje që, ashtu krejt e zezë, u ngjet shpendëve mishngrënës me fytyrë njerëzore të përrallave? Që jeton pa drashtë njeri as Zot? Ta mendojmë përgjigjen. Na bën mirë – siç na  kujton shpesh Papa Françesku.

1 Libri II i Makbejve (2 Mak 8. 2-4) 

2  Libri II i Makabejve (2 Mak 7. 25-29).

3 Origjinalin mund ta shikoni në linkun(?Lik apo link) më poshtë: http://www.aleteia.org/en/world/article/video-brother-of-two-martyred-coptic-christians-thanks-isis-on-live-tv-5855955971473408

Shkrimi, titulluar “Vëllai i dy të martirizuarve të krishterë koptë, falënderon ISIS drejtpërdrejt në TV është përkthyer nga atë Shtjefen Dodes SJ

4 Sat 7 – Kanal zyrtar i shërbimit televiziv për të krishterët e Lindjes së Mesme, që transmeton lajme, orare e tarifa publiciteti.

 

 

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.