2015-02-20 17:36:37

Më 20 shkurt 1991 fiton e vërteta e liria mbi diktatorin Enver Hoxha


“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”: parrulla të kujton thirrjet e demonstruesve të 24 vjetëve më parë në Tiranë, kur një lumë njerëzish, duke u nisur nga Qyteti i Studentit, përshkuan bulevardin e kryeqytetit të Shqipërisë për t’u ndalur para bustit të diktatorit Enver Hoxha dhe për ta rrëzuar atë përdhe.

Ata, që ishin atë ditë në sheshin Skënderbej të Tiranës, nuk mund të mos e kujtojnë përshtypjen që bëri oshëtima e shurdhët e shtatores së diktatorit gjakatar, që binte për dhé dhe habinë, kur u pa se brenda ajo ishte bosh – si edhe ideologjia e indoktrinimit bosh, që përhapi me terror për vite të tëra, tashmë e vërteta doli në dritë. E pastaj, shfrimi i lotëve e përqafimi ndërmjet njerëzish krejtësisht të panjohur - gjë e re edhe kjo, për ata qytetarë që regjimi komunist i kishte mësuar të ruheshin e të druheshin madje nga të afërmit, sepse kushdo mund të ishte spiun e armik. Shpresat e mëvonshme e pjesëmarrjet në manifestimet e shumta, kush nuk i mban mend? E fatkeqësisht, edhe zhgënjimet që pasuan.

Për të mos harruar atë çka qytetarët e Shqipërisë ishin dhe përjetuan gjatë diktaturës enveriste të komunizmit ateist, dy vjet më parë
në Muzeun Historik Kombëtar
në Tiranë, u hap Pavijoni i Terrorit Komunist,
ku ekspozohen fotografi, dokumente, objekte personale të të burgosurve, të të pushkatuarve e të të internuarve, me të dhëna tronditëse për ata, që humbën edhe jetën në burgjet e komunizmit. Kjo që e kaluara të mos harrohet, që dhuna e tmerri i atij kalvari që pësoi populli i pafajshëm shqiptar të mos përsërite kurrë më, që gjaku i njerëzve të pafajshëm të ketë farë e mirë për të ardhmen e Vendit.

Pra mirë, për të kaluarën, po sot “Shqypni, pa na thuej si je”? Parrulla e atëhershme “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, akoma rëndon mbi proceset e mbi planet e politikës së Tiranës, larg nga kultura dhe shoqëria më e mirë evropiane, që edhe sot i jep jetë kontinentit, pavarësisht nga vështirësitë në të cilat ndodhet, duke mos lejuar më të sundojnë terrori, diktatura e errësira.







All the contents on this site are copyrighted ©.