2015-02-17 18:25:39

Kadare: Ikja e kosovarëve, mister, e pashpjegueshme


Shkrimtari Ismail Kadare është fitues i Çmimit të Jeruzalemit në Letërsi për vitin 2015. Një ngjarje e tillë shënon një gur kilometrik në rrugën e letërsisë shqipe.
Çmimi i Jerusalemit, që në qarqet letrare botërore, konsiderohet si pararendës i Nobelit për letërsi, iu dha shkrimtarit shqiptar që më shumë se gjysmën e veprës së tij e kishte shkruar në robëri.
Kadare nuk u rrëfye vetëm për letërsinë, për çmimin dhe për librat e tij shumëgjuhësh me gazetaren Rudina Xhunga. Kadare foli si autoritet intelektual për eksodin e shqiptarëve çerek shekulli më parë, për eksodin e shqiptarëve të Kosovës tani në vitin 2015, për debatin e vjetër dhe të ri të hapjes së dosjeve në Shqipëri, për përplasjet globale dhe identitetin e Ballkanit në këto zhvillime dhe për fuqinë e ndriçimit të brendshëm të një populli që po përpiqet të kapërcejë tranzicionin, shkruan Top Channel. Në vijim po japim pjesën ku Kadare flet për Kosovën.
-Në 1999 kam qenë në Paris, në shtëpinë tuaj ndërsa po bombardohej Serbia, atëherë ju kishit frikën e luftës por edhe shpresën e krijimit të shtetit të Kosovës. 16 vjet më pas jemi në Jerusalem, ndërkohë Kosova po zbrazet.
Kadare: Të them të drejtën unë nuk pretendoj të shpjegoj misteret e kësaj bote, për mua është një mister, ose ka pamjen e një misteri, përderisa organizmat që janë përgjegjës për këtë gjë, që duhet të jepnin shpjegime nuk po japin. Kjo është një ethe e pakuptueshme. Si e humbën shpresën këta njerëz të Kosovës kaq shpejt? Ç’duhet të thotë Greqia që ka 300 miliardë borxhe dhe s’di ku do t’i gjejë paratë, e përsëri nuk po e humb shpresën. Pra këtu po ndodh diçka e pashpjegueshme për mua. Thuhet kushtet ekonomike, është e vërtetë që kushtet ekonomike luajnë rolin e tyre, por vetëm marksizmi e shpjegon çdo gjë me kushtet ekonomike. Po ndodh diçka jonatyrale, diçka që është kundërthënëse me tërë atë flijim të madh që bëri Kosova për të fituar lirinë. Nuk ikin njerëz të një kategorie të caktuar, ta zëmë po ikin filozofët, sepse nuk paska nivel të mjaftueshëm filozofik në Prishtinë, për të zhvilluar idetë e tyre, ose po ikin disa kategori njerëzish të caktuar, që paragjykohen normalisht, etj. Këtu po ikin njerëz të të gjitha kategorive, po ikin njerëz të thjeshtë, pleq, fëmijë, gra të martuara, edhe gratë shtatëzëna që është në kundërshtim me atë që thashë në fillim, me ligjin numër 1 të qytetërimit. Çfarë logjike i shtyn? Nuk gjej shpjegim.
-Po serbët duan të thonë se shpjegimi është se shqiptarët nuk e bënë dot shtetin.
Kadare: Serbët sigurisht nga kjo gjë nuk mund të kenë veçse një lloj kënaqësie, që këta njerëz nuk paskan një lloj problemi me lirinë, se lirinë e paskan. Ka disa teori serbe. E para se po bëhet një shtet islamik në Europë, duke u shtuar xhamitë në Kosovë, duke u shtuar predikimet, rrjetet sociale fetare, radikale disa herë, sigurisht është një kënaqësi për serbët që u del një profeci e tyre. Kjo është e çuditshme, paskan vuajtur vërtet shqiptarët nga mungesa e xhamive që ishin të pakënaqur? Jo, shqiptarët kishin mungesë të tmerrshme lirie, nuk kishin mungesë xhamish. Nuk besoj kurrë se problemi mund të jetë shtruar se ka qenë problem fetar, që kosovarët ndjeheshin keq se u ndaluan xhamitë, kosovarët ndjeheshin keq se i priste burgu, se duhet të flinin natën me shtëpi të hapura që të hynte policia. E gjitha kjo është një mashtrim për të krijuar një alibi kundër lirisë, dmth zëvëndësojnë koncetin e lirisë me një koncept fetar, një gjë e pavërtetë krejtësisht. Unë nuk besoj kurrë.
-Por ju i druheni krijimit të një shteti islamik në Ballkan, ku përfshinë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë. I druheni rritjes së numrit të xhamive, financimit?
Kadare: Është një problem shumë delikat, pasi spekulimi që mund të bëhet është sheshit. Çdo diskutim rrezikon të marrë frymën e mashtrimit brenda. Psh për mua flitet shpesh, se Kadareja u ka bërë thirrje shqiptarëve të bëhen katolikë të gjithë. Ky është thjesht një mashtrim dhe të vjen keq, kur e dëgjon nga njerëz me autoritet fetar, nga klerikë në Kosovë, e kam dëgjuar vetë disa herë, bashkë me mallkimet për mua, ky tradhtar i kombit etj. Unë kam thënë absolutisht një gjë që është krejt tjetër. Kam përshkruar një takimin tim me Ramiz Alinë, ku është hapur biseda e fesë, ku unë i thashë shefit të shtetit në atë kohë se Shqipëria është në pozitë të vështirë dhe ndër vështirësitë kryesore ishte afrimi me Europën e ndër to ishte dhe lejimi i fesë.
Unë i thashë filloni nga hapja e kishave për minoritarët grekë, ne e pranojmë që ata janë kombësi greke dhe kanë dyfish të drejtë të kërkojnë të parët, kisha, siç i ka vendi i tyre Greqia. Më pas të vazhdojnë me kishat e tjera, e më pas me xhamitë. Mendimi është që vetvetiu duke u afruar me Europën, mes shqiptarëve do të shtohej numri i ateistëve. Parashikimi im nuk doli, nuk ishte i vërtetë.
-Sepse mesa duket shqiptarët nuk po zgjedhin kombin në vend të fesë...
Kadare: Në Shqipëri është gati akuzë ose turp të përdorësh fjalën komb në mënyrë pozitive. Është në kokën e krimbur të disa pseudomodernëve tanë. Përpara ka qenë toka, atdheu, dalëngadalë ka evoluar, e kombet janë relativisht të rinj, por kjo s’do të thotë se ne nuk kemi të drejtë të themi se jemi komb. Unë mendoj se një nga të këqijat e shqiptarëve është se e duan më pak se të tjerët kombin. Kombi është një strukturë e verifikuar nga historia sot, e pranuar nga historia moderne. Nuk është e përsosur si strukturë. Në emër të tij janë bërë spekulime, por spekulime ka me çdo koncept të shenjtë, spekulime të mëdha janë bërë me lirinë, të gjithë tiranët e përdorin fjalën liri, të gjithë tiranët spekullojnë me fjalën popull, sepse me gjërat e shenjta spekulohet. Pra me fjalën komb janë bërë krime, kjo është e vërteta, por është vërtetuar njëkohësisht që në botën e sotme struktura e kombit është më e përshtatshmja për të mbajtur në këmbë lirinë e një populli, pasi liria është një koncept kaq i brishtë, kaq sublim, kaq madhështor, saqë asnjë strukturë nuk e përballon dot. Sot fjala komb nuk është fjalë turpëruese, Europa zyrtarisht quhet Europa e Kombeve, familja e Kombeve.
-Kombit ju drejtuat në fakt kur ndodhi tragjedia e Charlie Hebdo duke thënë shqiptarët e kanë mirë të qartë se janë europianë. Ç’ishte ajo nevojë për të thirrur në atë moment?
Kadare: Sepse ka një keqkuptim në Shqipëri se çfarë jemi ne. Pas asaj rilindje të ndritur shqiptare që u ndërtua e gjithë për dashurinë e Shqipërisë ndaj kontinentit të vet që e kishte humbur dhe e rigjeti, filloj një proces i kundërt, pas rënies së komunizmit, vënia në pikëpyetje se çfarë janë shqiptarët, ç’identitet kanë. A janë europianë apo nuk janë? Kjo është një tezë thellësisht armiqësore. Është teza bazë e Cubrilovic, shqiptarët nuk janë europianë, duhet të ikin nga Europa. Ai e thoshte hapur duhet të shpërngulen që të shpëtojë Europa nga një rrezik i ardhshëm. T’i bëjmë thirrje sidomos klerikëve të Kosovës që t’i bindin familjet shqiptare të shkojnë në Turqi se atje është më mirë për ta se këtu, me nëntekstin që shqiptarët nuk janë europianë. Nëse është e nevojshme ka thënë Cubrilovic, të sjellim hoxhë nga Turqia që t’i bindim shqiptarët sa mirë është në Turqi, e t’ju bëhen lehtësimet e nevojshme, me trena, transport etj, madje t’i jepet dhe shpërblim për të ikur. Unë mendoj se është urgjent ribotimi i draftit të tij rreth 40 faqe. Është botuar në kohën e Zogut nga një patriot i madh shqiptar, pikërisht për të parë shqiptarët se çfarë i kërcënon. Është e hidhur kjo që po them, por ky është një projekt i vjetër për zbrazjen e trojeve shqiptare nga shqiptarët. Është e njëjta gjë që vazhdon prej qindra viteve.
-Po këtij fataliteti a mos i japin një dorë dhe vetë shqiptarët?
Kadare: Po sigurisht. Sigurisht nuk bëhet asgjë pa shqiptarët, sigurisht janë ata që e nxisin këtë propagandë që ndodh. Kush shkon shtëpi më shtëpi çdo natë që u thotë ikni, nisuni, se ju ndihmojmë ne? Ç’janë këto agjenci që mbushin autobusa? Nuk e di ky shtet se çfarë po ndodh. Nuk e marrë dot me mend. Duhet të rrinte pa gjumë administrata e Kosovës nga kjo gjë, ata që quhen barinjtë e Kosovës, udhëheqësit e Kosovës, unë nuk e di ç’bëjnë, ndoshta rrinë vërtetë pa gjumë dhe po i akuzoj pa të drejtë. (nga QIK-u 17 shkurt 2015)







All the contents on this site are copyrighted ©.