2015-02-17 10:20:24

Egjipt. Patriarku Sidrak: 21 koptët e vrarë, martirë për fe


Pas masakrës së 21 koptëve egjiptianë, të cilëve xhihadistët e Shtetit të vetëshpallur Islamik (Is) ua prenë kokat, patriarku i Aleksandrisë së koptëve katolikë, Ibrahim Isaac Sidrak, i ngushëlloi të gjitha familjet e martirëve, që dhanë jetën për fenë e tyre e, njëkohësisht, e falënderoi presidentin Abdel Fattah al-Sisi si dhe të gjitha institucionet e qeverisë egjiptiane për përgjigjen flakë për flakë, që i dhanë një akti kaq të shëmtuar terrorist.
Ta shikojmë vdekjen e tyre në dritën e fesë
Në deklaratën, besuar agjencisë Fides, përmes bashkëpunëtorëve të tij, primati i Kishës kopto-katolike i fton besimtarët ta shikojnë vdekjen e vëllezërve koptë ortodoksë me sy të ndriçuar nga feja, ndërsa vë theksin mbi faktin se, përballë barbarive gjakatare të xhihadistëve, vendi reagoi me një moto të njëzëshme.
Në Egjipt, tragjedia i bashkoi të krishterë e myslimanë
“Kjo ngjarje tragjike, pohon për agjencinë Fides atë Hani Bakhoum Kiroulos, sekretar i patriarkatit kopto-katolik, po bashkon gjithë vendin, të krishterë e myslimanë. Nëse mendonin ta përçanin, plani i tyre dështoi plotësisht. Dënimi i ashpër i Al Azhar (qendra më e madhe teologjike e Islamit sunnit) ishte e menjëhershme e pa asnjë ngurrim. U fol për veprim barbar, “që nuk ka të bëjë me asnjë fe, me asnjë vlerë njerëzore”. E edhe operacioni i rrufeshëm ushtarak i aviacionit egjiptian kundër bazës së Shtetit Islamik në Libi, tregon se për qeverinë qytetarët egjiptianë janë të gjithë të barabartë e se Egjipti “ndjehet i goditur rëndë si komb, nga kllapia gjakatare e terroristëve”. Presidenca egjiptiane dekretoi 7 ditë zije kombëtare për masakrën e 21 koptëve.










All the contents on this site are copyrighted ©.