2015-02-06 13:56:22

Arrestohen 200 të krishterë indianë. Protestonin për sulmet kundër kishave


Vazhdojnë problemet e të krishterëve në Indi. Në Nju Delhi u arrestuan rreth 200 të krishterë, që protestonin pranë shtëpisë së Ministrit të Brendshëm Singh, duke kërkuar më shumë mbrojtje. Manifestimi u organizua nga kryedioqeza katolike, pas djegjes së një kishe dhe vandalizmit kundër vendeve të krishtera të kultit. Këto episode janë rritur në mënyrë eksponenciale gjatë dy muajve të fundit. Të dëgjojmë komentin e drejtorit të agjencisë AsiaNews, atë Bernardo Cervellera:
Tashmë jemi çdo ditë dëshmitarë të sulmeve kundër kishave, të Hosteve të profanuara, të elterëve të shkatërruar, të ndërtesave të djegura e të të krishterëve të arrestuar me akuzën se kanë detyruar të tjerë të kthehen në fenë e tyre… Jemi vërtet në një situatë, në të cilën, gjithnjë e më shumë, po manipulohet India dhe Kushtetuta e saj, e cila është laike, përkundrejt një nacionalizmi hinduist, që u zë frymën bashkësive të tjera fetare, sidomos të krishterëve dhe myslimanëve.
Mund të themi se duke filluar nga maji i kaluar, kur nacionalistët erdhën në pushtet, është rritur intoleranca fetare?
Është rritur jashtëzakonisht, sepse kryeministri Narendra Modi erdhi në pushtet me përkrahjen e këtyre grupeve nacionaliste e shpesh fundamentaliste, militantë të dhunshëm e të armatosur, që tani po i paraqesin llogarinë Narendra Modit: duan të mbrohen, por, njëkohësisht, ndjehen më të sigurtë dhe sulmojnë më fuqimisht. Dy gjëra shqetësojnë më tepër: e para se duan t’i shtojnë me çdo kusht ligjet kundër kthimit nga hinduizmi në fetë e tjera, ndërsa nuk verifikohet kurrë nëse kthimet nga fetë e tjera në hinduizëm janë bërë përmes presioneve shoqërore, me para apo tjetër. Problemi i dytë është se duan ta rishikojnë krejt kulturën indiane, edukimin e librat e shkollës, që t’u thurin lavde gjithnjë e vetëm hinduizmit e kombit hinduist.








All the contents on this site are copyrighted ©.