2015-02-05 15:15:38

Ekumenizmi. Kardinali Kurt Koch: Françesku po hap shumë porta


“Më jep të pi!”. Këto fjalë të Jezusit drejtuar Samaritanes, të cilën e takoi tek pusi, i prinë Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, mbyllur nga Papa të dielën e kaluar, me kremtimin ekumenik të Mbrëmësoreve në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve. Kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, ndalet pikërisht tek kjo Javë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Comme l’a dit le decret sur l’ecumenisme du Vatican II…
Siç thotë dekreti mbi ekumenizmin i Koncilit II të Vatikanit, ekumenizmi shpirtëror është shpirti i gjithë lëvizjes ekumenike. Prandaj është jashtëzakonisht e nevojshme të lutemi për unitetin, sepse ne, njerëzit, nuk mund ta sigurojmë këtë unitet. Nuk mund ta parashikojmë kohën e as mënyrat: bashkimi është dhuratë e Shpirtit Shenjt e, prej këndej, duhet t’ia hapim zemrat pikërisht Shpirtit të Zotit. Çka ndryshon çdo vit, është tema e Javës së lutjes për bashkim, e cila sivjet u hartua nga një grup i Brazilit, i frymëzuar nga takimi i Jezusit me gruan, që vjen nga Samaria. Pikërisht ky takim e dialogu i tyre na kujton edhe pasojat e dialogut ekumenik: asokohe, në të vërtetë, hebrenjtë nuk kishin asnjë lidhje me samaritanët, por Jezusi e kapërcen këtë problem e flet me këtë grua, duke treguar kështu se dialogu mund të zgjidhë shumë probleme, edhe nga ato, që nuk kanë të bëjnë me situatën ekumenike.

Pyetje: - Fakti që tema u hartua nga një grup brazilian, pra nga Amerika Latine, jep një nxitje të posaçme, që vjen nga katolikët e të krishterët e Amerikës Latine: e nëse mendojmë, pastaj, se Papa është nga Argjentina…

Përgjigje: - Oui, je pense que au Brésil et aussi en Amérique latine nous avons beaucoup de changements…
Po, besoj se në Brazil, ashtu si në gjithë Amerikën Latine, ka shumë ndryshime në situatën ekumenike. Vërejmë lindjen e një mori bashkësish ungjillore, karizmatike, pentekostale… Ndryshim i madh. Duke folur me gjuhën e numrave, pentekostalizmi është realiteti i dytë, pas atij të Kishës katolike: e kjo përbën një sfidë të rëndësishme. Realiteti, që jetojmë sot këtu, në Romë, është ai i hapjes së madhe të portave nga ana e Papës Françesku. E kjo ka shumë rëndësi, sepse në këto grupe, në të kaluarën, ka pasur mjaft paragjykime kundër Kishës katolike e, sidomos, kundër papatit. Prej këndej, nëse ungjillorët e pentekostalët do të kenë mundësi ta takojnë personalisht Atin e Shenjtë, ky mund të jetë rast i mirë për t’i kapërcyer disa nga këto paragjykime. E në këtë drejtim Papa Françesku hap, pa dyshim, shumë porta: porta, që nuk qenë hapur ende krejtësisht.

Pyetje: - Një pyetje të fundit: si e shikoni Ju situatën e përgjithshme të ekumenizmit? Në ç’pikë është, nëse bëjmë një bilanc a një analizë të kësaj Jave? Ku jemi në këtë udhë….

Përgjigje: - On est toujours en chemin…
Jemi gjithnjë për udhë! Ekumenizmi ka përshkuar një rrugë të gjatë, prej 50 vjetësh e shumë gjëra janë bërë gjatë kësaj udhe: mendoj se gjatë këtyre viteve kemi mundur të thellojmë marrëdhëniet vëllazërore e miqësore me shumicën e Kishave dhe bashkësive të tjera kishtare. Por duhet thënë ndershmërisht se nuk kemi arritur ende në fund: nuk e kemi akoma bashkimin e, prej këndej, jemi përsëri për udhë. Duhet thënë edhe se kemi, në të gjitha rastet e dislogëve, një marrëdhënie të posaçme: kemi 15 dialoge të ndryshme e duhet t’i vlerësojmë të gjitha. Nuk është, prandaj, e lehtë, të thuash: “në ekumenizëm jemi në këtë pikë…”. Jemi gjithnjë për udhë.










All the contents on this site are copyrighted ©.