2015-01-31 14:47:11

Papa i uron presidentit Mattarella: shërbim për unitetin dhe harmoninë e Italisë


Papa i dërgoi një telegram presidentit të ri të Republikës italiane, Sergio Mattarella, duke e uruar për zgjedhjen. Françesku uron që kreu i Shtetit ta kryejë detyrën e lartë posaçërisht në shërbim të unitetit e të harmonisë së vendit dhe kërkon mbi personin e tij ndihmën hyjnore për një veprimtari të ndriçuar në shërbim të së mirës së përbashkët, në gjurmët e vlerave njerëzore e shpirtërore të popullit italian. “Me këto urime, përfundon Papa, ju dërgoj ju dhe mbarë kombit, bekimin apostolik”.

Sergio Mattarella u zgjodh sot president i Republikës Italiane, pas votimit të katërt, kur u kalua numri i 505 votave të domosdoshme. Përfundoi, kështu, një debat jo pa tensione në gjirin e shumicës.
Sergio Matarella, president i 12-të në historinë e Republikës Italiane, lindi në Palermo, më 23 korrik 1941. Nga viti 1983 deri më 2008 ishte deputet, një herë për Demokracinë Kristiane, më pas për Partinë Popullore Italiane dhe për Margeritën. Disa herë ministër, që nga viti 2011 kreu detyrën e gjykatësit kushtetues me emërim parlamentar. Është vëllai i Piersantit, që u vra nga Cosa Nostra në vitin 1980, ndërsa ishte kryetar i Rajonit sicilian.
Rezultatet zyrtare:
Sergio Mattarella 665 vota
Ferdinando Imposimato 127 vota
Vittorio Feltri 46 vota
Stefano Rodotà 17 vota







All the contents on this site are copyrighted ©.