2015-01-30 10:37:57

Me 30 janar kalendari kujton Shën Martinën


Sot me 30 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Martinën, martire. Shën Martina, martire, të cilën kalendari kishtar e kujton më 30 janar, na rrëfen se fuqia që del nga Jezu Krishti Zot shëron e jep jetë. Kush është me Të, kush e prek, kush e takon dhe e mikpret, nga Zoti fiton jetën e pasosur.
Historia e kësaj vajze të re, Martinës, fillon nga fundi i jetës së saj, nga varri. Mësojmë se 1.440 vjet pas martirizimit, në vitin 1534, i zellshmi Papa Urbani VIII, i impenjuar në frontin shpirtëror në kundëreformën katolike e në atë material, në rindërtimin e kishave romake, zbuloi në një Kishë në Forin romak sarkofagun me reliket e Shenjtores Martina, gjë që e dëshmonte një epigraf i shkruar mbi kapakun e arkivolit. Ky zbulim ringjalli, kështu, në shpirtin e besimtarëve romakë devocionin për Shën Martinën, duke caktuar 30 janarin si datë të festës së saj, festë që kishte nisur të kremtohej që në shekullin VIII.
Po kush ishte Martina, që pas disa shekuj harrese, u bë përsëri një nga Pajtoret e Romës? Historia flet pak për të. Lajmi më i lashtë që kemi për martiren, është se papa Onori I i kushtoi një Kishë në Forin romak. Pesëqind vjet më pas, gjatë gërmimeve në këtë Kishë, u gjetën varret e tre martirëve. Kaq na tregon historia. Për të ditur diçka më shumë, na duhet t’i drejtohemi gojëdhënës. Sipas traditës, Martina qe diakoneshë, bijë e njërit nga konsujt më të shquar romakë të kohës. U martirizua nën Aleksandër Severin (222-235). Sipas tregimit mbi martirizimin e saj, Martina u zvarrit para një shtatoreje të Apolit, të cilën jo vetëm që nuk pranoi ta adhuronte, por e rrëzoi nga piedestali dhe e bëri copë-copë. Rrëzimi i shtatores – gjithnjë sipas gojëdhënës - shkaktoi një tërmet të fuqishëm që rrënoi krejt tempullin. E nën rrënoja gjetën vdekjen edhe priftërinjtë e perëndisë pagane. Mrekullia u përsërit me shtatoren e Artemidës. Kjo duhet t’i kishte shtyrë persekutorët e saj të reflektonin sadopak; por ata përkundrazi, të tërbuar edhe më keq, vijuan të provonin tortura edhe më mizore mbi gjymtyrët e saj të njoma. Po ajo i përballoi. Atëherë ia prenë kokën me shpatë e gjaku i saj vaditi truallin mbi të cilin do të lulëzonte Kisha romake.







All the contents on this site are copyrighted ©.