2015-01-30 18:17:16

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të gjatë vitit kishtar ‘B’


Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 4-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë.

Fjala e Jezu Krishtit në historinë e Kishës, pra të besimtarëve të krishterë, është pik themelore, pik jetike, pik referimi për ata që duan të rriten në përkatësinë e Krishtit, si gjymtyrë e Trupit të Tij Mistik, që vijon të jetë në kohë e në histori Kisha. Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku (Mk 1,21-18) na flet për fillimin e aktivitetit të Jezusit në Palestinë e pikërisht në sinagogën e Karfarnaumit, duke na bërë të njohim nga afër fuqinë e Tij Hyjnore.
Leximet biblike
të kësaj së diele, pra, janë një vështrim i thellë mbi figurën dhe veprën e Krishtit, që na fton në sofrën e vet, për të na përforcuar në ndërgjegjësimin tonë si dëshmitarë të shpëtimit, të pranishëm përmes Tij, në kohë e në histori.

Leximi parë nga Libri i Ligjit të përtërirë apo Deuteronomia
(Lp 18,15-20) rrëfen përmes gojës së Moisiut, Hyji premton se nuk do ta lë popullin e vet kurrë pa profetin e tij, pa zëdhënësit e tij. Kështu Moisiu paralajmëron: “Hyji do të zgjojë një profet, Atë dëgjojeni”. “Do të ngre ndër ta një profet e në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia”. Moisiu e qorton popullin e Izraelit të mos bie pre e profetëve të rrejshëm, që aso kohe nuk mungonin, e nxit popullit ta dëgjojë të dërguarin e Hyjit. Me fjalë tjera, këtu kemi premtimin e Mesisë, premtim që do të realizohet plotësisht në Krishtin.

Në Leximin e dytë nga Letra e Parë e Palit drejtuar Korintianëve (1Kor 7,32-35), apostulli paraqet arsyet e një jete të pastër, virgjërore kushtuar Zotit, krahas jetës bashkëshortore, jetës martesore.

Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku (Mk 1,21-18) na flet për fillimin e veprimtarisë së Jezusit në Palestinë, duke treguar shkuarjen e tij në sinagogë të Karfarnaumit, e banorët e qytetit që vraponin për t’i dëgjuar fjalët e tij, si nxënës të mirë. E me papritmas zbulojnë në Jezusin një mësues që mëson me autoritet, e që ka pushtet mbi shpirtrat e papastërt.
Marku e paraqet Jezusin si shpëtimtarin që ka ardhur ndër ne dhe na përshkruan një ditë të jetës së tij në mesin e njerëzve, pikërisht në fillim të veprimtarisë së tij publike duke predikuar Fjalën e Hyjit e shëruar të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. Para së gjithash, Marku ungjilltar e përshkruan mahnitjen, habinë që njerëzit provonin para fjalës dhe mësimit të Jezusit. Njerëzit thoshin për Të: “Ja një mësim i ri i pajisur me pushtet”. “Jezusi i mësonte sikurse ai që ka pushtet”. Këtë pse njerëzit dëgjonin nga Krishti fjalë që nuk i kishin dëgjuar kurrë më parë. Zotëria Jezus është mësues i vetëm i asaj urtie e fuqie Hyjnore që na çliron nga çdo e keqe. Në këtë të diele, Krishti na fton ta dëgjojmë me zemër të sinqertë e të jemi të gatshëm ta lejojmë që Ai të na do ne me dashurinë e Tij Hyjnore. Jezusi i Nazaretit, me fjalën dhe autoritetin e tij si Bir i Zotit, imponohet mbi të gjitha fuqitë e së keqes, duke u paraqitur si Shpëtimtar.

Duke i shëruar disa të sëmurë në trup e në shpirt, Jezusi jo vetëm që bën vepra të mira, por dëfton se Ai ka ardhur për të ndërmarrë betejën përfundimtare kundër së keqes e mëkatit, në dobi të njerëzimit. Edhe ne sot duhet të impenjohemi në luftimin e së keqes që shfaqet e mishërohet në forma të ndryshme: sëmundje, uri, vetmi, padrejtësi, egoizëm etj.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Lp 18, 15-20)
Do të ngre ndër ta një profet e në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia
Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Mojsiu foli e tha: “Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji juaj, në popullin tënd, prej vëllezërve të tu, atë dëgjoje! Mu ashtu siç kërkove prej Zotit, Hyjit tënd, në malin Horeb, kur qe bërë tubimi i përgjithshëm e kur the: ‘Nuk dua më ta dëgjoj zërin e Zotit, Hujit tim, dhe nuk dua ta shikoj më atë zjarr të madh, që të mos vdes.’ Atëherë Zoti më tha: “’Folën krejtësisht me vend. Do të ngreh ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty. Në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar atij. Ai që s’ka për t’i dëgjuar fjalët e mia që ai do t’i flasë në emrin tim, atë do ta ndëshkoj. Kurse profeti që do të kishte guximin të fliste, i tradhtuar prej pacipjes, në emrin tim, çka unë nuk i urdhërova të flasë, ose flet në emër të hyjnive të huaja, le të vritet.”Fjala e Zotit!

Psalmi 95
(94)
Ref.
Bëj, o Zot, që ta dëgjojmë zërin tënd
Ejani t’i këndojmë Zotit,
T’i brohoritim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
T’i këndojmë këngë hareje!
___________
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai e ruan.
___________
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
Porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
Kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
Më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.”

Leximi i dytë (1 Kor 7, 32-35)
Virgjëreshat kujdesen për punët e Zotit, për të qenë të shenjta.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, dëshira ime është që të mos keni kokëçarje. I pamartuari kujdeset për punët e Zotit: si t’i pëlqejë Zotit. Përkundrazi, i martuari kujdeset për punët e shekullit, që t’i pëlqejë gruas dhe është i ndarë. Po edhe gruaja e pamartuar dhe virgjëresha kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë me trup e me shpirt; kurse e martuara kujdeset për punët e shekullit, si t’i pëlqej burrit. Këto po ju them për të mirën tuaj, jo për t’ju vënë ndonjë lak, por që të jetoni në mënyrë më të përshtatshme – krejtësisht të përqendruar në shërbimin e Zotit. Fjala e Zotit!

Aleluja,
Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!
Aleluja


UNGJILLI (Mk 1, 21-28)
I mësonte sikurse ai që ka pushtet.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo porsi skribët.
Shi atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej Shpirtit të ndytë dhe bërtiti: “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na zhbish? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”
Jezusi iu kërcënua: “Hesht dhe dil prej tij!”
Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri-tjetrit: Ç’u bë kështu!? Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet! Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!”
E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë. Fjala e Zotit!
Më tepër mund të dëgjoni edhe këtu mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të gjatë vitit, ‘B’..............RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.