2015-01-30 12:50:16

Françesku: kujtesa e shpresa, “parametrat” e të krishterit


I krishteri duhet ta ruajë gjithnjë në shpirt “kujtimin” e takimit të tij të parë me Krishtin e edhe shpresën në Të, që e shtyn të shkojë përpara në jetë, me guximin e fesë. E pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.
Nuk do me gjithë mend, ai që nuk i kujton “ditët e dashurisë së parë”. E i krishteri, që ka humbur kujtesën e takimit të tij të parë me Jezusin, është njeri i zbrazur, me shpirt të flashkët, ashtu si dinë të jenë vetëm njerëzit e “ftohtë”, as mish as peshk.
Të krishterët e akullt janë dështakë
Homelinë e Françeskut e orientoi kryesisht një frazë, me të cilën fillon Letra drejtuar Hebrenjve, në të cilën autori i fton të gjithë të kthehen me kujtesë në ditët e para, kur morën dritën e Krishtit. Posaçërisht kjo ditë e takimit me Jezusin, vërejti Papa, nuk duhet harruar kurrë, sepse është ditë e një gëzimi të madh, ditë, kur në shpirt lulëzojnë dëshirat për të bërë gjëra të mëdha. E njëherësh me kujtimin, nuk duhet harruar kurrë guximi i kohëve të para, e edhe entuziazmi e çiltërsia, që lindin nga kujtimi i dashurisë së parë.
“Kujtesa ka shumë rëndësi, për të mos e harruar hirin e marrë sepse, po ta shuajmë entuziazmin, që buron nga dashuria e parë, lind një rrezik tejet i madh për të krishterët: ftohtësia. Të krishterë të ftohtë! Që rrinë aty, të ngrirë, e po, janë të krishterë, por e kanë humbur kujtesën e dashurisë së parë. E, me të, edhe entuzizamin, durimin, aftësinë për t’i përballuar trazirat e jetës me frymën e dashurisë së Jezusit; këtë durim, këtë aftësi për të mbartur mbi shpinë barrën e vështirësive…. Të krishterë të akullt, të gjorët, janë në rrezik të madh”.
Vëmendje ndaj së keqes, që troket
Kur mendon për të krishterët e ftohtë, dy figura, sa shprehëse, aq edhe të pakëndshme në dukje, e prekin Françeskun. Ajo që kujton Pjetri duke folur për qenin, që kthehet tek të vjellat e veta, e ajo e Jezusit, për të cilin ka njerëz që, duke vendosur të ndjekin Ungjillin, e dëbojnë djallin nga shpirti, por kur rikthehet me forca të reja, ia hapin portën, duke harruar se djalli mund ta pushtojë përsëri shtëpinë, që në fillim ishte e pastruar dhe e bukur. E kjo është njëlloj si të kthehesh tek të “vjellat”, tek ajo e keqe, të cilën në fillim e refuzove. Anasjelltas, pohon Françesku: “I krishteri ka këto dy parametra: kujtesën e shpresën”. Duhet freskuar kujtesa, për të mos e humbur përvojën aq të bukur të dashurisë së parë, që ushqen shpresën. Shumë herë shpresa është e errët, po gjithsesi shkon përpara. Beson, sepse e di që shpresa nuk të zhgënjen, ecën për të gjetur Jezusin. Këto dy parametra janë pikërisht korniza, në të cilën mund ta ruajmë shëlbimin e të drejtëve, që vjen nga Hyji.
Kujtesa e shpresa janë barazi me fenë
Shëlbimi, pohon Papa, duke cituar fragmentin e Ungjillit, duhet mbrojtur, “që fara e vogël e senapit të rritet e të japë fryt”.
Vuan, ndjehesh keq kur kujton të krishterët e shumtë të dështuar në këtë rrugë, gjatë së cilës humbën kujtesën e dashurisë së parë e me të, edhe shpresën.
“Ti lypim Zotit, është lutja përfundimtare e Papës, hirin të na e ruajë dhuratën, dhantinë e shëlbimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.