2015-01-30 12:18:06

Diktatura e mendimit unik “Padroni i Botës”, libër i këshilluar nga Papa Françesku


Papa Françesku, gjatë bisedës me gazetarët, në kthim nga Filipinet, duke folur për “kolonizimin ideologjik”, i këshilloi të lexojnë librin “Padroni i Botës”, shkruar nga Robert Benson, për ta kuptuar më mirë atë, që donte të thoshte.
Është fjala për një vepër shkruar nga fillimi i viteve ‘900, që përshkruan vendosjen e një diktature me vulë humanitariste në vitin 2000. Jemi para një sistemi të ri, që predikon tolerancën universale për të gjithë, përveç Kishës, kundër së cilës nis persekutimin më të egër.
Anglikan, fëmija i katërt i kryeipeshkvit të Canterbury, Robert Benson u kthye në katolicizëm dhe, në vitin 1907, shkroi veprën “The Lord of the World”, që i pëlqen aq shumë Papës.
Jemi para një teksti vizionar, që përshkruan betejën përfundimtare ndërmjet së mirës e së keqes. Sapo nisim shfletimin, hyjmë menjëherë në botën e personazheve antagoniste. Nga njëra anë njihemi me Giuliano Felsenburg, 33 vjeç, që shmang rrezikun e ndeshjes ndërmjet Perëndimit e Lindjes, zgjidhet njëzëri president i Evropës dhe vendos diktaturën e mendimit unik; nga ana tjetër, meshtari Percy Franklin, edhe ai 33 vjeç , papë i ardhshëm.
Ftuam në mikrofonin tonë Claudio Siniscalchin , pedagog i Universitetit Lumsa të Romës, në kursin e gjuhëve moderne:

Përgjigje: - Giuliani është mishërim i antikrishtit. Premton ta çlirojë njeriun nga çdo lloj shqetësimi: nuk do të ketë më luftë, nuk do të ketë dhunë, nuk do të ketë varfëri… Paraqitet si njeri me pamjen e shpëtimtarit, por në të vërtetë synon ta nënshtrojë gjithë njerëzimin. Ta shkelë e ta sundojë. Të bëhet padron. Një komb i vetëm nuk i mjafton. Nuk e ngop më! Dëshiron të ketë nën thembër botën mbarë! E gjëja më e çuditshme është se ky “mesi i rremë” nuk e merr pushtetin me forcë, me grusht shteti, por pikërisht me miratimin e atyre, të cilëve përgatitet t’u mohojë çdo lloj lirie. Organizmi global i tokës ia lëshon pushtetin në dorë, pa asnjë kundërshtim. E natyrisht gjëja e parë që bën, është të zhdukë fenë.
Katolikët e persekutuar
Pyetje: - Benson mendon të krijojë një botë, ku Zoti mbyllet në sferën e ngushtë të individualizmit. Mendon të krijojë entitetin ”Vëllazëria e madhe Universale”, që propagandon paqen dhe largimin nga çdo forcë e dhimbjes…

Përgjigje: - Si mund t’i jepet fund vuajtjes në prag të vdekjes? Me eutanazi! Nuk ka më të majtë as të djathtë. Fe negative, as pozitive: s’ka parti, as sindikata. Benson, i pari, vegon e krijon partinë e vetme totalitare. Kush guxon të kundërshtojë – e natyrisht janë katolikët ata, që i kundërvihen kësaj udhe të shtrembër, që po merr bota - persekutohen. Paqja e Giulianit është paqe e atij, që pranon vetëm çka thotë ai. Kush nuk pranon, mbaron keq. Me krijimin e këtyre personazheve, Benson kërkon t’i kundërvihet një elementi, që rrënoi kombe e njerëz gjatë nëntëqindës: krijimit të njeriut të ri, të përkryer, që synon të ndërtojë parajsën artificiale mbi tokë. Parajsën e ëndërruar në shekuj… Që u bë pastaj, parajsa e humbur. Sepse ky vizon parajsor i botës ka nevojë që traktori i progresit të kalojë mbi gjithçka e të rrënojë gjithkënd.
Propaganda e mashtrimit
Pyetje: - Këtë mënyrë ndërtimi të parajsës mbi dhe, Papa e quan “kolonializim ideologjik”. Në emër të lumturisë pa cak, të mirëqenies për të gjithë, pa dallim, duhet shkatërruar gjithçka, për t’u rindërtuar nga e para….Pse?

Përgjigje: - Sepse ndeshen forca e mashtrimit me forcën e së vërtetës. Propaganda bën që njeriu t’i nënshtrohet një skllavërie të re. Vëllazërimi në botë është tejet i rëndësishëm, por haraçi, që kërkon antikrishti, i padurueshëm. Njerëzit e asaj ane të botës, që i kundërvihen, sepse e shikojnë rrezikun e vërtetë, trajtohen krejt në kundërshtim me atë që premtohet për mbarë njerëzimin.

Rrënimi i Romës
Pyetje: - Teksti flet për rrezikun e ndeshjes ndërmjet Lindjes e Perëndimit, për sulme kamikaze…. Benson arrin të hamendësojë deri shkatërrimin e Romës….

Përgjigje: - Ky libër u shkrua kryesisht për të thënë: “Kini mendjen, po ecni në rrugë të gabuar!”.

Padroni i botës nuk do të ngadhënjejë
Pyetje: - Po kush e fiton betejën në librin e Bensonit?

Përgjigje: - Padroni i botës nuk do të ngadhënjejë kurrë, sepse në librin e Benson ka një vizion që i besohet plotësisht gjithëfuqisë së Hyjit, i cili nuk do ta lërë vetëm njeriun. Do ta ndihmojë. Do të ketë vuajtje të jashtëzakonshme, njeriut do t’i duhet t’i përballojë, por, në fund të fundit, e mira do të ngadhënjejë. Benson nuk ka vizione të zeza.







All the contents on this site are copyrighted ©.