2015-01-30 14:44:29

Afrika Jugore: ipeshkvijtë nderojnë kujtimin e misionarëve të vdekur


“Burra e gra, që ia kushtuan gjithë jetën Zotit e të afërmit, themeluan Kishën vendase në dioqezat tona e në shumë nga famullitë tona, duke e vënë gjithë jetën në shërbim të njerëzve të të gjitha tipeve e në të gjitha mënyrat”- pohojnë, në Letrën e tyre Baritore kushtuar Vitit të Jetës Rregulltare, ipeshkvijtë e Konferencës ipeshkvnore jugafrikane, në të cilën bëjnë pjesë ipeshkvijtë e Afrikës Jugore, të Swazilandit e të Botswan-ës.
Peng nderimi për misionarët, që pushojnë në paqe në tokat e misionit
“Është peng nderimi, kujtimi i rregulltarëve të vdekur, pasi i shërbyen gjithë jetën viseve tona e pushojnë në paqe trojeve tona. Shpesh, në varre të panjohura, ose të harruara. I vlerësojmë lart këta rregulltarë, që erdhën këtu në lule të rinisë, e u plakën e vdiqën ndër ne, pas një jete shembullore, gjatë së cilës dhanë dëshmi të ndritura në ndjekjen e Krishtit”, vijon dokumenti, botuar nga agjencia Fides.
Pasuria e rregulltarëve në të katër anët e botës
Ipeshkvijtë, pasi kujtojnë se misioni ungjillëzues është detyrë e çdo njeriu, i cili ia kushton gjithë jetën Zotit e robit, nënvizojnë pasurinë që buron nga prania e rregulltarëve e rregulltareve të ardhur nga të katër anët e botës. “Dëshmia e dhënë nga jetë me përmasa ndërkombëtare e shumëkulturore, është mburojë kundër nacionalizmit të tepruar. Shembulli konkret i kujdesit për tjetrin, duke kapërcyer kufijtë e moshës e të kulturave të ndryshme e i dëgjimit me respekt të tjetrit, i inkurajon të gjithë të jetojnë sipas Ungjillit, duke i ndihmuar t’ia hapin zemrën misterit të Hyjit, që e kanë në shpirt”.
“Ia besojmë vëllezërit e motrat tona të kushtuara, në mënyrë të posaçme, lutjeve e dashurisë së Nënës sonë, Zojës së Bekuar, duke uruar që ajo ta ndajë bashkë me ta e edhe me ne, dashurinë, që u pati dhënë guxim ta dhurojnë çdo ditë të jetës së tyre për Krishtin e të bashkëpunojnë me Të për shëlbimin e botës”, përfundojnë ipeshkvijtë.










All the contents on this site are copyrighted ©.