2015-01-29 13:24:47

Patriarkët e Lindjes: të ndalet terrorizmi, të ndihmohen refugjatët


Takim i patriarkëve dhe i krerëve të krishterë të Lindjes, që u mbajt në Bkerke, seli e Patriarkatit libanez për të diskutuar mbi gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme e për t’i kërkuar bashkësisë arabe e ndërkombëtare të mos e mbështesin terrorizmin, të ndihmojnë refugjatët e të punojnë për kthimin e tyre në atdhe. U kërkua edhe impenjimi për gjetjen e zgjidhjes së krizës izraelito-palestineze.

Gjendja e refugjatëve sirianë
Patriarku Beshara Raji tha se objektivi i mbledhjes është të njohë më nga afër gjendjen e refugjatëve të krishterë e atë të besimtarëve, që kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre, pavarësisht nga lufta e vështirësitë. Është urgjente, tha ai, t’u garantohet atyre punë, shkollë për fëmijët, strehim, që të vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e tyre e të ruajnë traditën e misionin e tyre të krishterë.

Bashkësia arabe e ajo ndërkombëtare të ndihmojnë refugjatët, jo terroristët
Objektivi tjetër është thirrja për bashkësinë arabe e atë ndërkombëtare, që të ndihmohen refugjatët, me anë të ndërtimit të shtëpive, në mënyrë që të mund të kthehen në atdhe. Është e nevojshme, nënvizoi Patriaku, t’i jepet fund luftës në Siri e në Irak me mjete paqësore, përmes bisedimeve politike e dialogut serioz ndërmjet palëve, duke neutralizuar organizatat terroriste. Kjo mund të arrihet nëse bashkësia arabe dhe ndërkombëtare nuk i mbështesin më terroristët me financime e armë, duke mbyllur kufijtë, aty ku duhet penguar qarkullimi i mercenarëve. Planet politike dhe ekonomike nuk i justifikojnë këto sulme të tmerrshme kundër njerëzimit.

Të zgjidhet kriza izraelito-palestineze e arabo-izraelite
Për patriarkët e për krerët e krishterë është e nevojshme të punohet për të zgjidhur krizën izraelito-palestineze, mbi bazën e formulës “dy popuj, dy shtete”, që do t’u jepte mundësinë refugjatëve të ktheheshin në shtëpitë e tyre. “Është e qartë – pohoi patriarku Raji – se dy konfliktet, ai izraelito-palestinez e ai izraelito-arab, janë në zanafillën e fatkeqësive që përjetojmë në Lindjen e Mesme”.

Thirrje për lirimin e të gjitha pengjeve
Liderët e krishterë kërkojnë përpjekje më të mëdha nga qeveritë dhe organizatat jo qeveritare në favor të refugjatëve. Gjithashtu, kërkojnë lirimin e të gjitha pengjeve, civilë ose jo, ndër të cilët dy ipeshkvijtë, ai greko-ortodoks i Halebit dhe ai siriako-ortodoks, që ndodhen në duart e grupeve fundamentalistëve në Siri, prej dy vjetësh.

Mendim për Libanin
Pati një mendim edhe për gjendjen në Liban, që nga maji i kaluar pa president, ku grupet politike të krishtera e myslimane, që bojkotojnë zgjedhjen.

Pjesëmarrësit në takim
Në takim morën pjesë partiraku greko-ortodoks, Youhanna Yazigi; patriarku siro-ortodoks, Mar Aghatios Afram; patriarku greko-katolik, Gregorio III Laham; patriarku siro-katolik, Mar Aghnatios Youssef III Younane; përfaqësuesi i Katolikosëve armenë të Cilicës, Joseph Arnaout; ipeshkvi kaldeas i Libanit, Michel Kassargi; pastori Sélim Sahyoun, kryetar i Këshillit të Lartë të bashkësisë ungjillore të Libanit e Sirisë; nunci apostolik Gabriele Caccia; përfaqësues të ndryshëm të organizmave bamirëse katolike, ortodokse dhe protestante.








All the contents on this site are copyrighted ©.