2015-01-29 13:22:32

Papa: nuk ndjekin rrugën e Jezusit elitat kishtare, që i përbuzin të tjerët


Nuk e ndjekin rrugën e re, të hapur nga Jezusi, ata që e privatizojnë fenë, duke u mbyllur në “elita”, në grupthe, që mendojnë se janë ajka e shoqërisë e që i përbuzin të tjerët: këtë pohoi Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kryesuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan.
Feja nuk duhet privatizuar
Duke kometuar Letrën drejtuar Hebrenjve, Françesku pohoi se Jezusi është rruga e re, e gjallë, të cilën duhet ta ndjekim sipas formës që dëshiron Ai vetë. Sepse ka edhe forma të gabuara të jetës së krishterë. Ka edhe kritere për të mos ndjekur modelet e gabuara. E një nga këto modele të gabuara është të privatizosh shëlbimin:
“Është e vërtetë, Jezusi na shëlboi të gjithëve, por jo në përgjithësi. Të gjithëve, po secilin, me emër e mbiemër. E ky është shëlbimi personal. Vërtet unë u shëlbova, Zoti më pa, dha jetën për mua, ma hapi këtë portë, këtë udhë të re. E hapi “Për mua”. Gjithsesi ekziston edhe rreziku të harrojmë se Ai na shpëtoi një nga një, por në gjirin e një populli. Në një popull. Nga çasti kur e thërret Abrahamin, i premton pikërisht të bëjë një popull. E Zoti, pastaj e shpëton këtë popull. Prandaj autori i Letrës thotë: “T’i kushtojmë vëmendje njëri-tjetrit”. Shëlbimi nuk është vetëm për mua. Nëse e kuptoj kështu shëlbimim gaboj; gaboj rrugë. Privatizimi i shëlbimit është udhë e gabuar.
Tre kritere: të komunikohet feja, shpresa, dashuria e krishterë
Tri janë kriteret për të mos e privatizur shpëtimin: “besimi në Jezusin, që na pastron; shpresa, që na bën t’i shikojmë premtimet e të ecim përpara; dashuria e krishterë, vëmendja për njëri- tjetrin, nxitja e anasjelltë për të bërë vepra të mira:
“E kur unë jam në një famulli, në një bashkësi, cilado qoftë, unë mund ta privatizoj shëlbimin e të jem aty paksa e vetëm shoqërisht. Por për të mos e privatizuar duhet ta pyes veten nëse flas, e komunikoj fenë; flas, e komunikoj shpresën; flas, e komunikoj dashurinë e krishterë. Nëse në bashkësinë e krishterë nuk flitet, nuk ngjallet frymëzim për thellimin e këtyre tre virtyteve, anëtarët e kësaj bashkësie e kanë privatizuar fenë. Secili kërkon shëlbimin e vet e jo shëlbimin e të gjithëve, shëlbimin e popullit. E Jezusi e shpëtoi secilin, por në gjirin e një populli, që është Kisha”.
Grupe të vogla kishtare, që i përbuzin të tjerët
Autori i Letrës drejtuar Hebrenjve, vijoi Papa, jep një këshillë praktike shumë të rëndësishme: “Nuk duhet t’i braktisim takimet tona, siç e kanë zakon të bëjnë disa”. Kjo ndodh kur ne jemi në ndonjë takim, në famulli, në grup, e nisim t’i gjykojmë të tjerët. Ndjehet një lloj përbuzjeje ndaj të tjerëve. E kjo nuk është porta, nuk është rruga e re, e gjallë, që Zoti e hapi, e përuroi”:
“I përbuzin të tjerët; e braktisin bashkësinë në përgjithësi, braktisin popullin e Hyjit; e privatizojnë shëlbimin: shëlbimi është vetëm për mua e për grupthin tim, por jo për mbarë popullin e Hyjit. E ky është gabim shumë i rëndë. Është ai, që e quajmë dhe e shohim: “elitat kishtare”. Kur në gjirin e popullit të Hyjit krijohen këto grupthe, mendojnë se janë të krishterë të mirë, e ndoshta e kanë vërtet vullnetin e mirë, por gjithsesi mbeten grupthe, që e privatizojnë shëlbimin.
Hyji na shpëton në popull, jo në elita
Hyji, nënvizoi Papa, na shpëton në popull, jo në elitat, që i bëjmë vetë, me filozofitë tona, me mënyrën tonë të kuptimit. E këto nuk janë hire të Hyjit.
Prej këndej, Papa na fton të pyesim veten:
“Unë a kam prirje ta privatizoj shëlbimin për vete, për grupthin tim? Për elitën time? Apo nuk e braktis popullin e Hyjit, nuk largohen nga populli i Hyjit e flas gjithnjë në bashkësi, në familje, me gjuhën e fesë, të shpresës, me gjuhën e veprave të dashurisë së krishterë?”.
Në përfundim të homelisë Papa u lut: “…që Zoti të na japë hirin të ndjehemi gjithnjë popull i Tij, të shpëtuar personalisht. Kjo është e vërtetë: Ai na shpëton me emër e mbiemër, por na shpëton në një popull, jo në grupet që bëjmë vetëm për vete”.









All the contents on this site are copyrighted ©.