2015-01-29 13:23:00

Kryqe e emra martirësh në shkretëtirën e Arabisë Saudite


Një pyll me kryqe, skalitur mbi shkëmbinjtë e shkretëtirës së Arabisë Saudite, shenjë e pranisë së një bashkësie të krishterë plot gjallëri, rreth shekullit V pas Krishtit; një sërë emrash të krishterë biblikë, ndoshta martirësh, mbytur gjatë ndonjë persekutimi, gjithnjë në shekullin V. Sipas njoftimit të agjencisë AziaNews, u zbuluan nga një grup arkeologësh franko-sauditë, kryesuar nga Frédéric Imbert, profesor i Universitetit të Aix-Marseille.Zbulimi mbi faqe të një shkëmbi
Në një konferencë në Universitetin amerikan të Beirutit, për të cilin njofton L’Orient-Le Jour, profesor Imbert i paraqiti zbulimet e tij mbi faqe të shkëmbit të Jabal Kawkab (Mali i Yllit), në zonën e Arabisë Saudite, në emiratin Najran. Zona quhet Bir Hima o Abar Hima, emër që na kujton një zonë pusesh, njohur që në lashtësi. Për arkeologun, ka shumë mundësi që zona të jetë vendndalimi për sigurimin e ujit të nevojshëm për karvanet, që shtegtonin nga Jemeni, në Najran. Gjithnjë sipas Imbert, kryqet dhe mbishkrimet janë “libri më i lashtë i Arabëve”, shkruar mbi gurët e shkretëtirës, një faqe tejet interesante e historisë së Arabëve e njëkohësisht, edhe e historisë së krishterimit.
Tekste në gjuhën arabe paraislamike
Kryqet, pohon Imber, nuk janë të vetmet, që njihen në Arabinë e jugut e të lindjes. Por janë, pa asnjë dyshim, kryqet më të lashta të krishtera, në një kontekst datuar 470 vjet pas Krishtit. Mbi kryqet ngërthehen edhe tekstet. Mbishkrimet, në tërësi, shtrihen për më se një kilometër, me një sërë emrash, në një formë, që mund të quhet gjuhë aramajke vendase. I përkasin gjuhës arabe-paraislamike, ose, më saktësisht, gjuhës “nabateo-arabe”. Mbishkrimet i përkasin periudhës së sundimit të mbretërisë himairite të Shurihbil Yakkuf, që e qeverisi Arabinë e jugut nga viti 470, në vitin 475. Gjatë sundimit të kësaj mbretërie nisën persekutimet kundër të krishterëve. Është interesante të shënojmë se ndërmjet emrave të shkruara mbi kryqet, lexohen edhe emrat Marthad e Rabi, që të dy shkruar në listën e martirëve të Najran, në të ashtuquajturin “Libri i Himairitëve”.
Krishterimi në gadishllin arabik u përhap falë misionarëve persianë e siriakë
Krishterimi në Arabi nisi të përhapej duke nisur nga shekulli IV, ndërsa në viset e Gjirit, në zonat bregdetare të Jemenit e të Najranit, lulëzoi posaçërisht në shekullin VI. Krishterimi u përhap në këto vise, falë veprimtarisë së misionarëve persianë të perandorisë sassanide dhe misionarëve siriakë (që nuk e pranonin Koncilin e Kalçedonisë, mbi dy natyrat-hyjnore e njerëzore të Jezu Krishtit). Dy ipeshkvijtë e shuguruar në vitet 485 e 519, që i përkisnin bashkësisë siriake, ka shumë mundësi të kenë ardhur këtu nga Iraku.









All the contents on this site are copyrighted ©.