29 janar 1622 imzot Pjetër Budi i dhuron “Doktrinën e Kërshtenë” Bibliotekës së
Vatikanit
Kujtojmë se si sot, më 29 janar të vitit 1622, ipeshkvi e shkrimtari shquar shqiptar,
imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës Apostolike të Vatikanit kopjen origjinale të
veprës së parë të tij “Doktrina e Kërshtenë “ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit
të Shën Robert Belarminit që u botua në Romë më 1618. Në fund të faqes së veprës shkruan
"Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë
kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622. Veprat
e ipeshkvit të jashtëzakonshëm imzot Pjetër Budit (1618-1621). Dy breza pas dom
Gjon Buzukut, vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë,
ajo e ImzotPjetër Budit (17) (1566-1622), autorit të katër veprave fetare,
me përmbajtje të doktrinës së krishterë, në gjuhën shqipe. Imzot Pjetër Budi lindi
në fshatin Gur i Bardhë në krahinën e Matit. Po të rrinte në vendlindje nuk do
të kishte marrë shkollimin e nevojshëm të rregullt, prandaj vajti e mësoi për prift
në të ashtuquajturin Kolegj Ilirian të Loretos (Collegium Illyricum i Zonjës
Sonë të Lurias), në jug të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë e
dalmatë me emër. Në moshën njëzetenjëvjeçare shugurohet meshtar katolik dhe dërgohet
menjëherë në Maqedoni e Kosovë, në atë kohë pjesë të krahinës kishtare të Serbisë
nën juridiksionin e Argjipeshkvit të Tivarit (Antivari), ku dhe shërbeu në famulli
të ndryshme në dymbëdhjetë vitet e para. Më 1610 përmendet si 'kapelan i kristianizmit
në Shkup', kurse më 1617 si kapelan në Prokuple në Serbinë jugore. Një vit më
parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare
kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, Budi
erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme
dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare
kundër Portës. Më 1599 Budi u emërua Vikar i Përgjithshëm (vicario generale)
i Serbisë, vend që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i kishës katolike
në Ballkanin e pushtuar nga turqit, ai jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa
dyshim të nderë. Misioni i tij kishtar ishte nga shumë anë një veprimtari e jashtëzakonshme
për përforcimin e jetës shpirtërore të grigjës besimtare që kishte në udhëheqje e
nën mbrojtje si dhe kultivimin e vetëdijes kombëtare e të vlerave etnike e kulturore
të popullit. Imzot Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin
e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi.
Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko
Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin
për të përmbysur sundimin osman. Por Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë.
Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje
të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët
myslimanë. Më 1616 Pjetër Budi shkoi në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikëqyrur
botimin e veprave të veta. Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për
një shtegtim tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë, te shenjtërorja
e njohur e Shën Jakut Apostull. I kthyer në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq
të tërhiqte vëmendjen e Kuries Romake , çka do të thotë të Selisë së Shenjtë të Romës
kundrejt gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje
për qëndresë të armatosur. Më 20 korrik 1621 u bë ipeshkëv i Sapës dhe Sardës
(Episcopus Sapatensis et Sardensis), do të thotë. i krahinës së Zadrimës,
dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe njëkohësisht fetar e Kishtare
dhe e natyrës politike e kombëtare. Një nga synimet e tij ishte që të rriteshin
thirrjet meshtarake vendore, pra shqiptare, të rritej kleri vendas për të plotësuar
nevojat shpirtërore e posaçërisht edhe ato kombëtare, pasi për veprimtaritë ungjillëzuese
e apostolike, përkujdeseshin edhe misionarët e huaj, edhe pse jo gjithmonë arrinin
t’i plotësonin nevojat e shqiptarëve vendas, veprimtari kjo që nuk do të arrihet të
realizohet për shkakun e shumë vështirësive që ekzistonin, nga mungesa e strukturave
si Seminare, Kisha e shkolla filozofie e teologjike, deri te mjetet për mirëmbajtje
të studentëve e tjera. Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjeve, ipeshkvi
imzot Pjetër Budi u mbyt duke kaluar Lumin Drin. Është hamendësuar të ketë qenë
viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur këtë figurë të rëndësishme kombëtare e kishtare,
ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta (18). Të dhënat biografike që kemi
për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër
Budi ia drejtonte kardinalit Goxadinit (Gozzadini) në Romë, në të cilën ai parashtron
planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve. Në këtë letër
ai theksonte edhe: "... gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur
kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë,
me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë
të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët
tona." Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e
Maqedoni, ipeshkvi imzot Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit
të veprave me përmbajtje fetare të krishterë tashmë të humbura. Përndryshe, si mund
të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda
pesë vjetësh? Vepra e parë e imzot Pjetër Budit është Dottrina Christiana
ose Doktrina e Kërshtenë, një përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto
Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe një ndër kopjet origjinale
ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto
të dhëna: "Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente
VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale
di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever.
Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza
de' Superiori." (Vepra “Doktrina e Krishterë”, e hartuar për nder të kujtimit
dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së
Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën
shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti
1618. Me lejen e Eprorëve.) E shënuar me dorë në fund të faqes është "Autor dono
dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si
dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Shën Robert Belarmini
nga Montepulçano ishte Kardinal dhe Jezuit, i kanonizuar dhe deklaruar doktor i Kishës
më 1930, vepra Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij
të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin e në
mbrojtje të të vërtetave të Kishës katolike romake. Vepra Doktrina Kristiane 'e vogël'
e tij, një vepër që Kundërreforma kishtare e rekomandonte posaçërisht për përdorim
misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër
gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, uellse, arabe (1613) dhe greke (1616). Përkthimi
shqip i Doktrinës Kristiane prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe. Doktrina
Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregata Propaganda Fides e Selisë së
Shenjtë në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh
nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Kongregatës
Propaganda Fides kishte ende gjithsej 960 kopje të librit(19). Me interes të madh
letrar e fetar, si katekizëm, përmbajtje e doktrinës së krishterë, vepra ka edhe
pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare apo shpirtërore në shqip, rreth 3000 vargje,
shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin
gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një
pjesë janë origjinale. Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera.
Ballina mban titullin: "Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam
linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini
Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti.
1621. Svperiorvm permissv." (Ritual romak dhe Pasqyrë rrëfimi. Përkthyer në
gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp
me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621.
Me lejen e eprorëve.) Po në dorëshkrim në fund të faqes është "Autor dono dedit
Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës
së Vatikanit. 29 Janar 1622). Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56). Ky
botim përmban: 1)Rituale Romanum ose Rituali Roman, një përmbledhje
prej 319 faqe lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe; 2) një vepër
e shkurtër me titull Kush thotë Meshë keto kafshë i duhetë me shërbyem,
16 faqe shpjegime meshash, dhe; 3) Speculum Confessionis ose
Pasëqyra e t'rrëfyemit, një përkthim 401 faqesh ose, më saktë, një
përshtatje e Specchio di Confessione të Emerio de Bonis, i cilësuar
nga Budi si "një lloj bashkëbisedimi shpirtëror fetar shumë i dobishëm për ata që
nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe." Si Rituali Roman ashtu
edhe Pasqyra e të Rrëfyemit kanë shtojcë në vargje në gjuhën shqipe. Gjuha e përdorur
nga Budi në veprat e tij është një formë arkaike e gegërishtes që ruan disa tipare
fonetike interesante(20). Eqrem Çabej (1908-1980) ka vërejtur se Budi është munduar
më fort të ndjekë një farë norme letrare se të shkruajë thjesht në dialektin vendës
të tij, gjë që përsëri mund të merret si tregues i ekzistencës së një farë tradite
letrare në Shqipërinë veriore. Alfabeti i përdorur prej tij është i ngjashëm me atë
të paraardhësit, Gjon Buzukut, ndonëse Budi në asnjë vend nuk e zë në gojë Buzukun. Në
shikim të parë imzot Pjetër Budi mund të merret si përkthyes dhe botues tekstesh
fetare nga latinishtja dhe italishtja. Në të vërtetë rëndësia e tij si shkrimtar i
prozës e kapërcen këtë cak. Parathëniet e ndryshme, letrat baritore, shtojcat dhe
passhënimet e vëna prej tij e që arrijnë në mbi njëqind faqe prozë origjinale në shqip,
zbulojnë një stil dhe talent të konsiderueshëm. Krahasuar me Gjon Buzukun para tij
e me Pjetër Bogdanin një shekull më pas, gjuha e tij është më e mirëfilltë, më e gjallë
e idiomatike. Për shembull, për shumë terma të huaj që përdor, ai përpiqet të japë
sinonimet me origjinë nga shqipja. Edhe pse jo aq i hollë e i thellë sa Bogdani me
leksikun e tij më të madh, Budi mbetet shkrimtari më i vetvetishëm e më prodhimtar
i periudhës. Pjetër Budi është gjithashtu shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua
poezisë. Veprat e tij përfshijnë rreth 3300 vargje fetare, thuajse të gjitha në strofa
katër vargje me rimë të këmbyer. Kjo poezi, nëntëmbëdhjetë poema gjithsej, përfshin
si përkthime poetike ashtu edhe poezi origjinale nga Budi vetë, si edhe të paktën
një e ndoshta edhe dy vjersha(21) nga një Pal Hasi ose Pali prej Hasit. Pjesa
më e madhe e kësaj poezie është tetërrokëshe, që është dhe normë në poezinë popullore
shqiptare. Edhe pse poezisë fetare të Budit nuk i mungon stili, meqenëse përmbajtjen
e ka imitim të poezisë moraliste italiane e latine të kohës, ajo nuk është mjaft origjinale.
Atij i pëlqejnë më shumë temat biblike, panegjirikët dhe motivet universale si, fjala
vjen, ai i pashmangshmërisë së vdekjes. As rimat e tij nuk janë gjithmonë elegante,
gjë që vjen pa dyshim pjesërisht edhe nga leksiku i tij i kufizuar, që është llogaritur
deri në 2453 fjalë(22). Në parathënien e tij për Doktrinën e Kërshtenë, Budi thotë:
"Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit,
të shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit." Kjo Ditë e Gjyqit
ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh,
himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të murgut françeskan
Thoma nga Çelano (Thomas a Celano, rreth 1200-1255): "Dies irae, dies illa Solvet
saeclum in favilla, Teste David cum sibylla. Quantus tremor est futurus Quando
judex est venturus, Cuncta stricte discussurus. Tuba mirum spargens sonum Per
sepulcra regionum Coget omnes ante thronum..." "Ajo ditë me mënii Qi
të vinjë ndë e vonë Këtë shekullë të zii Ta diegë e ta përvëlonjë, Si
Profeta ban dëshmii Me sibilënë, po thonë, I madh gjyyq e mënii Të
vinjë për mkate tonë. Saa dridhmë e cokëllimë Të jeenë përgjithanë, E
n qiellshit shkepëtimë Nd'ajërit e madhe gjamë...(23)" Tërheqëse
në lutjen-poezi të Pjetër Budit e të Pal Hasit janë ndjenja e sinqertë, bindja në
forcën e uratës drejtuar Hyjit dhe shqetësimi i çiltër njerëzor për vuajtjet e një
bote të mbrapshtë. Një lutje-vjershë tjetër që përcjell bukur këtë dhembshuri është
ajo mbi vdekjen dhe madhështinë e njeriut që në saje të fesë në Hyjit do të ngadhënjejë
mbi vdekjen për të shijuar përjetësinë, duke mos kundërshtuar Zotin “Tinëzot me
kundrështuom” . Ajo nis kështu: "O i paafati njerii, Gjithë ndë
të keq harruom, I dhani ndë madhështii, Ndë mkat pshtiellë e
ngatëruom;
Ndo plak jee, ndo j rii, Përse s'shtie të kuituom, I
vobeg ndo zotënii, N ceije iee kriiiuom?
Balte e dheu cë
zii, E io ari cë kulluom, As engjiishi cë tii, Ndo
guri cë paaçmuom;
Kaha të vien n dore tyy, Mbë të madh me
u levduom, Ndë sqime e ndë madhështii, Tinëzot me kundrështuom?
Lavdinë
tand të levduom, Ti pa vene ree vetë, Ame cote idhënuom, Kuur
leve mbë këtë jetë,
Aty s'prune begatii, As vistaar të levduom,
As urtë a diekëqii, As gurë të paaçmuom;
Aty s'prune
madhështii, As dinje me ligjëruom, As vertyt as trimënii, As
vetiu me ndimuom;
Aty s'prune zotënii, Kual të bukur as të
çpeitë, As dinje gjak e gjeni, As të mirëtë as të keqtë;
Po
leve gjithë mëndryem, Ame n cote idhënuom, Tue qaam mallënjyem, Me
një zaa të helmuom(24)..." 17 kr. Zamputi 1965a, 1985, Domi 1966, 1967, Lacaj
1966, Riza 1979, Svane 1985b, 1985c, 1986b, 1986c, 1986d, 1986e etj., dhe Ismajli
1986. 18 kr. Zamputi 1958, 1985. 19 kr. Archivo storico della S. Congregazione
'de Propaganda Fide', SC Stamperia 2, f. 246. 1986. 20 Për gjuhën e Budit kr. Cipo
1952, Çabej 1966, Svane 1980, 1982, dhe Ismajli 21 kr. Riza 1979, f. 120. 22
kr. Ashta 1966. 23 Tekstet shqip këtu janë të transkriptuar. I madhi zot,qofsh
lëvduom I madhi Zot,qofsh lëvduom për gjithë kaqë të mirë që së kam u'
merituom me ndoonjë shërbetyrë;
qi më dhee kaqë hijr këtë kafshë me mbaruom, si
q paçë zanë fijll, gjithëherë tue shkruom.
Posi mendja më përcijll nd'Arbënë
me ua dërguom, për kishë e për munështjir pak ndë mend me i trazuom.
Ata
merrë mbë dëshijr mkatit me u peenduom, posi pemëtë ndë prijll ndë shpijrt
me lulëzuom;
e si zogzitë ndë pyyllt, Zoti im me të lëvduom, ndjerë vetë
nata mbyyllt, me një zaa t'amblëtuom. (1618) Madhështi e njerëzve
Ku
janë ata pleq bujarë, që qenë përpara ne, e ata trima sqimatarë, të shpejtëtë
si rrufe?
Ku janë ata djelm të ri, të bukur e të lulzuom, që pate pamë
me sy, me ta folë e ligjëruom?
Ku janë ata zotëninj, që dojin me zotënuom ndë
sqimë e ndë madhështi, këte jatë tue shkuom?
Ku janë ata perandorë gjithë
shekulli nalcuom, në krye me një kunorë gurëshi cë paçëmuom?
Ku janë
ata letërorë t'urtë e dijes të ndëgjuom, të bardhatë posi borë letëra tue
kënduom?
Ku janë ato gra e vasha ndë sqimë e ndë madhështi, me petëkat
të mëndafshta nalcuom mbë zotëni?
Gjithë mortja i rrëzoi, sikur i pret
me shpatë, për të ri s'i shikoi, as të vobegë,as të begatë.