2015-01-28 14:29:09

Papa Françesku: kur mungojnë etërit, pasojat janë të rënda


Kultura perëndimore në shumë fusha të jetës e ka shlyer figurën e “atit”, prandaj mund të themi se një mori fëmijësh e ndjejnë veten “jetimë”, vuajnë nga mungesa e dashurisë dhe e vlerave, që mund t’u përcjellë babai fëmijëve të tij. Ëshë vërejtja e ashpër, që bëri Papa Françesku gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Françesku u ndalua posaçërisht tek aspektet negative, duke njoftuar se do të mbajë edhe një katekizëm të dytë, në të cilin do të vërë në dukje bukurinë e atësisë.

Etërit, një herë e një kohë tepër hijerëndë, sot gjithnjë më shpesh janë gati të padukshëm. Papa shfrytëzoi, kështu, kontrastin dritë-hije, për të theksuar rolin e etërve në familje dje, kur sundonte babai-padron, e sot kur, posaçërisht në botën perëndimore, po kalohet në një familje, madje në një shoqëri, pa baballarë.
Etër mungues
Papa e nisi katekizmin me një analizë shoqëroro-familjare. “Atë” është sigurisht një fjalë universale e posaçërisht e dashur për të krishterët, sepse “atë” është emri, me të cilin Jezusi na mësoi ta thërrasim Hyjin. Problemet, që kanë lidhje me baballarët, shpjegoi Françesku, lindin nga kultura e sotme perëndimore në të cilën, vërejti me qortim, figura e atit shikohet simbolikisht si të mos ishte:
“Etërit nganjëherë janë të përqendruar aq shumë mbi vetveten e mbi punën e tyre e shpesh edhe mbi realizimet individuale, sa arrijnë ta harrojnë edhe familjen. E kështu, i lënë vetëm të vegjël e të rinj. Që kur isha ipeshkëv në Buenos Ájres, vëreja se fëmijët e sotëm jetojnë si të ishin jetimë. Prej këndej i pyesja shpesh baballarët e tyre nëse kujtoheshin ndonjë herë të luanin me fëmijët, nëse e kishin guximin e dashurisë për të humbur kohë me fëmijët. E përgjigjja ishte e prerë, eh? Në shumicën e rasteve: ‘Dua, po nuk mundem, se kam shumë punë’”.
Në të kaluarën, kujtoi Françesku, në disa shtëpi mbretëronte “autoritarizmi”, në disa raste, madje, edhe dhuna nga ana e prindërve, që i trajtonin fëmijët si të ishin shërbëtorë e ishin krejt të pandjeshëm ndaj kërkesve të tyre të rritjes, të paaftë për t’i edukuar me vlerën e vështirë të lirisë. Ndërsa tani, edhe kur janë të pranishëm, shumë etër nuk ndjehen fare në jetën e familjes, janë si të mos ishin:
“Në të vërtetë shmangiet e fëmijëve e të adoleshentëve nga rruga e drejtë, në shumicën e rasteve janë pasojë e kësaj mungese, mungesës së shembujve e të prijësve me autoritet në jetën e tyre të përditshme, mungesës së afërsisë, mungesës së dashurisë nga ana e etërve”.
Etërit, që pak e aspak flasin me fëmijët e, në përgjithësi, nuk e kryejnë detyrën e tyre edukative, nuk u japin fëmijëve shembullin e tyre, të shoqëruar me fjalë, me parime, me vlera, me rregullat e jetës, për të cilat kanë po aq nevojë, sa për bukën e përditshme. Rezultati? Të vegjëlve e të rinjve u krijohen boshllëqe, që zor se mund të mbushen; u hapen plagë, që vështirë se shërohen:
“Mungesa e figurës atërore në jetën e të vegjëlve dhe të rinjve krijon zbraztësi e hap plagë, që mund të jenë edhe shumë të rënda. E në të vërtetë shmangiet e fëmijëve e të adoleshentëve nga udha e drejtë, në shumicën e rasteve, janë pasojë e kësaj mangësie, e mungesës së shembujve, mungesës së dashurisë nga ana etërve. Është shumë më e thellë sesa mendojmë, ndjesia, që jetojnë shumë të rinj, jetimë me baballarë gjallë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.