2015-01-28 12:10:47

Me 28 janar kalendari kujton Shën Tomën e Akuinit


Sot me 28 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Tomën e Akuinit, meshtare doktor i Kishës. Domenikani i madh lindi në Rokaseka të Frozinones, rreth vitit 1225 e vdiq në Fosanova, Latina, më 7 mars 1274. “Rregulltar i Shën Dedës, i edukuar në manastirin e Montekasinos e në shkollat më të njohura të kohës, Toma i Akuinit dha mësim në Paris, Orvieto, Romë, Viterbo e Napoli, duke krijuar një metodë moderne të mësimdhënies, që shënoi një kthesë të vërtetë në arsimin e kohës. Shkroi shumë e posaçërisht kryeveprën ‘Summa Theologiæ’, sistemim gjenial i gjithë doktrinës filozofike e teologjike të mbledhur nga tradita kishtare. Ushtroi ndikim të madh mbi mendimin filozofik e teologjik të kohës e mbi kërkimet shkencore në shekujt që do të vinin”. Kështu paraqitet Shenjti i madh, Toma i Aukinit, në Mesharin Romak.
Në Martiriologun Romak për të shkruhet: “Përkujtojmë sot Shën Tomën e Akvinit, meshtar i Urdhrit të Predikatarëve e dijetar i Kishës që, i pajisur me zgjuarsi të jashtëzakonshme, ua transmetoi të tjerëve me fjalime e shkrime, dijen e tij të pashembullt. I ftuar nga Papa Gregori X për të marrë pjesë në Koncilin Ekumenik të Lionit, vdiq më 7 mars 1274 gjatë udhëtimit, në manastirin Fosanova të Lacios e pas shumë vjetësh, trupi i tij qe mbartur në Tuluzë. Përkujtohet më 28 janar”.
Kur Papa Gjoni XXII në vitin 1323 e shkroi emrin e Tomës së Akvinit në Librin e Shenjtorëve, atyre që vërejtën se nuk kishte bërë ndonjë mrekulli të madhe, Papa iu përgjigj me frazën e famshme. “Sa fraza teologjike shkroi, aq mrekulli bëri”.
E ky është vlerësimi më i madh që mund t’i bëhej teologut të shquar, i cili me veprën e tij madhore ‘Summa Theologiæ’ - “Përmbledhje e teologjisë’, vuri sistematikisht bazat shkencore, filozofike e teologjike të doktrinës së krishterë.
Në vitin 2007, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të festës liturgjike të Tomës së Akuinit, Papa Benedikti XVI e paraqiti Shenjtin si model i harmonisë ndërmjet arsyes e fesë, me vlerë për të gjitha kohët. E kjo sepse na mëson të vërejmë se njeriu varfërohet, kur mendon vetëm për sendet materiale, që mund të provohen, duke hequr dorë nga pyetjet e mëdha mbi jetën, mbi vetveten e mbi Zotin.
Në të vërtetë, zhvillimi modern i shkencave ka shumë pasoja pozitive, që duhen pranuar gjithnjë. Por njëkohësisht duhet pranuar edhe se prirja për të konsideruar të vërtetë vetëm atë që provohet, përbën një kufizim të arsyes njerëzore e prodhon skizofreninë e tmerrshme, tashmë të njohur, për të cilën bashkëjetojnë racionalizmi e materializmi, hiperteknologjia dhe instinktet e shfrenuara. Në qoftë se feja e krishterë është e vërtetë - shpjegoi Benedikti XVI - nuk e dënon lirinë dhe arsyen njerëzore, e cila nuk humbet asgjë në se bën të vetat mësimet e fesë. Feja e supozon dhe e përkryen arsyen, ndërsa arsyeja, e ndriçuar nga feja, gjen forcë të lartohet në njohjen e Zotit dhe të realiteteve shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.