2015-01-27 12:02:10

Dita e Kujtesës së Shoahut. Graziano Sonnino: më shpëtoi një meshtar


Kremtohet sot 70-vjetori i lirimit të të internuarve nga kampi i përqendrimit nazist të Auschwitz-it, e me të, Dita ndërkombëtare në kujtim të viktimave të Shoah, shfarosjes së hebrenjve nga nazistët. I palodhur, angazhimi i atyre pak dëshmitarëve, të cilët shpëtuan, për ta mbajtur gjallë kujtimin e një kërcënimi që vijon. Për të flet, në mikrofonin tonë, Graziano Sonnino që, në moshën 9 vjeçare, së bashku me të vëllain, Mario, dhe të kushëririn, Marco Pavoncello, mundi të shpëtonte nga spastrimi i 16 tetorit 1943, duke gjetur strehë në Kolegjin jezuit të Mondragone, pranë Fraskatit, falë mikpritjes së atit jezuit, Raffaele de Ghantuz Cubbe, i njohur, më pas, si “i drejtë ndër kombe”. Prindërit e mi, rrëfen Sonnino, gjetën strehë në Bazilikën e Vatikanit. Por, ta dëgjojmë rrëfimin e hebreut të shpëtuar nga një jezuit katolik:00:06:18:36

Përgjigje: - Nëse po flas tani, nëse jam ende i gjallë, është sepse, para 16 tetorit, nëna ime, që ishte shtatzënë e tmerrohej nga bombardimet e babai im, vendosën të largohen nga shtëpia jonë. Nuk kishim asnjë dijeni, atë ditë, për spastrimin e 16 tetorit, për internimet në masë, që do të ndodhnin pakëz më vonë. U nisëm, pra. E shkuam në Monte Porzio Catone, ku banonte një tajë plakë e motrave të tim eti, që na strehoi në shtëpinë e saj. Ndërkaq në shtëpinë tonë, në Rrugën romake Arenula 41, ia behën nazistët bashkë me fashistët. Gjetën motrën e babait, të cilën e internuan bashkë me tre fëmijët e saj. Që në atë minut u zhdukën e nuk i pamë kurrë më.

Pyetje: - Pastaj, me sa dihet, ju ikët edhe nga Monte Porzio…

Përgjigje: - U pushtua nga gjermanët edhe ky fshat. Duke dashur të ikim nga nazistët, ia mbathëm në fushat romake, ku ishte një çiflig, pronë e një miku të babait. Shkuam e mbetëm për një farë kohe….

Pyetje: - Ishte jashtë rrezikut nazist, kjo strehë?

Përgjigje: - Jo, absolutisht jo! Megjithëse e izoluar nga bota…. Në këtë pikë, im atë, falë miqësive të shumta që kishte në Romë, u lidh me disa katolikë të Fraskatit e arriti të na strehonte, mua e tim vëlla, në Kolegjin e Mondragones që, ndonëse në mënyrë shumë të kufizuar, vijonte të funksiononte akoma për fëmijët katolikë nga mbarë bota. Na u desh t’i fshihnim llagapet tona e në Kolegj u regjistruam me emrat Graziano e Mario Sbardella, si kolegjarë normalë, e askush, përveç atë Cubbe-s, nuk e dinte identitetin tonë fetar e faktin se ishim hebrenj.

Pyetje: - Jeta juaj familjare u trondit krejtësisht në këto rrethana…Apo jo?

Përgjigje: - Jo, nuk kishim më jetë familjare. Babai, më kujtohet si tani, kur na shoqëroi në këtë Kolegj, na tha: “Djema, rrini këtu, e rrini urtë-urtë, qetë-qetë. Nëse punët shkojnë mirë, do të përpiqemi të bëjmë diçka. Kështu tha e bashkë me nënën u zhdukën e s’u panë për një vit të tërë.

Pyetje: - A ju pritën mirë në Kolegj, e sidomos, atë Cubbe?

Përgjigje: - Atë Cubbe ishte i vetmi, që e dinte kush ishim. Rrethprerja jonë u kthye në dramë: ruheshim që fëmijët e tjerë të mos e shikonin se ishim të bërë synet. E fshehëm gjithnjë, gjithnjë, e me kujdes të madh, përkatësinë tonë fetare, e askush nuk e mori vesh se ishim hebrenj. U trajtuam njëlloj si gjithë nxënësit e tjerë. E të mendosh se me ne, në Kolegj, ishin fëmijët e Galeazzo Cianos, të Pio di Savoias, nipat e princit të Abisinisë... Ishim moshatarë e luanim së bashku. Unë ndihmoja meshë e rrija pranë meshtarit, që meshonte latinisht: e mësova krejt fenë katolike… Një ditë për drekë kishim proshutë. Një nga shokët, kur pa se e kishim lënë proshutën në pjatë, na tha: “Po ju si të ishit hebrenj, që nuk po na e hani proshutën!”. Natyrisht këtë çast nuk do ta harronim gjithë jetën. Si t’ia bënim? Unë e mora proshutën, e futa në gojë e bëra sikur po e haja. E me gojën plot i thosha shokut: - Budalla i madh qenke! Si s’e ngrënkam proshutën? E përtypesha, e përtypesha, por nuk e gëdhtisja dot, më mbeti në gojë. Fatbardhësisht, a fatkeqësisht, nuk e di si të them, atë çast nisi bombardimi i avionëve gjermanë e amerikanë mbi Romë e të gjithë djemtë dolën në tarracë për të parë avionët. Atëherë e nxora proshutën nga goja edhe e flaka në banjë, duke u kujdesur të mos më shikonte askush. .. E kështu përfundoi kjo ngjarje, por jo tmerri se mos diktoheshim…

Pyetje: - Atë Cube rrezikoi jetën…

Përgjigje: - Po, e rrezikoi! E morëm vesh më vonë se, po të na zbulonin, ai do të ishte vrarë i pari.

Pyetje: - E pastaj, u takuat me prindërit?

Përgjigje: - Po, shumë më vonë…

Pyetje: - Ku ishin fshehur?

Përgjigje: - Përveç nesh, katër fëmijë, dy meshkuj e dy femra, u fshehën, dy e dy, nga priftërinjtë e murgeshat. Kurse im atë, im më e im vëlla, Sergio, i sapolindur, hynë në Bazilikën e Shën Pjetrit; aty i fshehën e aty edhe mbetën, derisa u çlirua Roma… Pastaj erdhën e na morën edhe ne…

Pyetje: - Ç’do të thotë, në dritën e kësaj drame, të mbetesh i gjallë pas gjithë asaj stuhie gjakatare?

Përgjigje: - Si italianë të mirë e romakë të mirë, mbetëm në Romë, por gjithnjë me tmerrin e tragjedisë, që mund të na ndodhte nga çasti në çast…

Pyetje: - Dëshironi t’i transmetoni ndonjë mesazh breznive të reja?
Përgjigje: - Që bota, breznitë, njerëzit, të gjithë, të bëjnë diçka, në mënyrë që pësimi ynë, vetëm pse ishim të fesë hebraike, të bëhet mësim e të mos përsëriten kurrë më histori, si kjo që dëgjuat!







All the contents on this site are copyrighted ©.