Papa: feja është dhuratë e Shpirtit Shenjt e transmetuar veçanërisht nga gratë
Janë posaçërisht gratë ato, që e transmetojnë fenë: këtë pohoi Papa gjatë Meshës,
kryesuar në Kapelën e Shën Martës, ditën kur Kisha kremton festën liturgjike të shenjtorëve
Timoteu e Titi, duke komentuar, në mënyrë të veçantë, Letrën e 2-të të Shën Palit
drejtuar dishepullit të tij, Timoteut. Janë nënat
e gjyshet ato, që e transmetojnë fenë Pali i kujton Timoteut prej nga vjen
feja e tij e kulluar: e mori nga Shpirti Shenjt, përmes nënës e gjyshes. Janë nënat
e gjyshet, pohoi Papa, që e përcjellin fenë nga breznia në brezni. Feja është dhuratë.
Nuk mund të studiohet. Studiohen gjërat e fesë, po, për ta kuptuar më mirë, por me
studim nuk mund të arrish kurrë tek feja. Feja është dhuratë e Shpirtit Shenjt, është
dhanti, që shkon përtej çdo përgatitjeje. E është dhuratë, që kalon përmes punës
së bukur të nënave e gjysheve, punës së bukur të këtyre grave, në gjirin e familjes,
ku mësuese feje mund të jetë edhe gruaja, që vjen të ndihmojë në punët shtëpiake,
mund të jetë edhe njëra nga tetot a hallat. Mendoj me vete; po pse feja transmetohet
veçanërisht nga gratë? Thjesht sepse ajo, që na e solli Jezusin, ishte grua. Është
udha e zgjedhur nga Jezusi. Ai deshi të ketë një nënë: edhe dhurata e fesë kalon nëpërmjet
grave, si Jezusi nëpër Marinë. Të ruhet dhurata e fesë, që të mos meket E
duhet të mendojmë sot, nënvizoi Papa, nëse gratë e kanë ende vetëdijen e transmetimit
të fesë, të trashëgimisë, duke lënë mënjanë përgojimet pagane e thashethemet boshe
të botës. Të gjithë ne, pohoi Papa, e kemi marrë dhuratën e fesë. Duhet ta ruajmë,
që të paktën të mos meket, të vijojë të jetë e fortë, me pushtetin e Shpirtit Shenjt,
që na e dhuroi. E feja ruhet duke e mbajtur gjithnjë të gjallë këtë dhuratë të Hyjit: “Nëse
ne nuk e kemi çdo ditë kujdesin e gjallërimit të fesë, feja ligështohet, zbehet, përfundon
në kulturë. Po, po, jam i krishterë, po, kulturë e asgjë më. Ose bëhet gnozë, dije:
‘Po, unë i di mirë të gjitha gjërat e fesë, e njoh me themel katekizmin’. Po si e
jeton fenë tënde? Kjo ka rëndësi; ta jetosh, ta gjallërosh çdo ditë këtë dhuratë,
ta mbash gjallë”. Druajtja e turpi nuk ndihmojnë për rritjen e fesë Dy
janë gjërat, që i kundërvihen fesë, na kujton Shën Pali: shpirti i druajtjes e turpi.
Hyji nuk na dha shpirt të druajtur. Druajtja shkon kundër dhuratës së fesë, nuk të
lë të rritesh, të shkosh përpara, të jesh i madh. E turpi është ky mëkat: “Po, kam
fe, por e fsheh, që të mos duket shumë…”. E pak këndej e pak andej, kjo fe, siç thonë
paraardhësit tanë, bie erë ujë trëndafilash, kështu. Sepse më vjen turp ta jetoj fuqimisht.
Jo! Kjo nuk është fe: feja nuk është as druajte, as turp. Po ç’është atëhere? Është
shpirt i forcës, i dashurisë e i urtisë! Kjo është feja! Feja nuk tregtohet Shpirt
i urtisë, shpjegon Françesku, do të thotë të dish se ne nuk mund të bëjmë gjithçka
dëshirojmë, do të thotë të kërkosh udhë, shtigje, mënyra për ta çuar përpara fenë,
por gjithnjë me urti: “T’i lypim Zotit hirin, përfundoi Papa, të kemi fe të kulluar,
fe, e cila nuk nxiret në treg sipas nevojave, që na sjell fati. Fe, që ditë për ditë
përpiqem ta gjallëroj ose, së paku, i kërkoj Shpirtit Shenjt të ma gjallërojë, e kështu
të jap një fryt të madh”.