2015-01-24 17:12:18

Françesku: purpur e shërbim. Mendësia e botës të trullos më shumë se rakia esëll


Kardinalati është thirrje e shërbim në ndihmë të Papës, për të mirën e Kishës, jo shpërblim në kulmin e karrierës. Kështu shkruan Papa në një letër drejtuar 20 kardinajve të rinj, që do të krijohen në Koncistorin e ardhshëm të 14 shkurtit. Dokumenti, datuar 4 janar 2015, u botua pardje nga “Osservatore Romano”.
“Zoti, përmes Kishës, i shkruan Papa secilit nga kardinajtë e ardhshëm, të thërret edhe një herë për të shërbyer; e t’i bën mirë zemrës të përsëritësh në lutje fjalët, që vetë Jezusi ua pati këshilluar dishepujve të vet, për të mbetur gjithnjë të përvuajtur: “Thoni: ‘Jemi shërbëtorë të panevojshëm’, e këtë, jo thjesht për edukatë, por si e vërtetë pas punës, ‘kur ta keni kryer gjithçka ju urdhëruan’” (Lk 17, 10).
"Të mbetesh i përvuajtur në shërbim, vijon letra, nuk është e lehtë, kur e shikon kardinalatin si shpërblim, si kulm i karrierës, i dinjitetit të pushtetit ose i respektit të veçantë. Prej këndej, angazhimi yt i përditshëm - i nxit kardinajtë Papa Françesku - për t’i mbajtur larg këto mendime e posaçërisht, për të kujtuar se të jesh kardinal do të thotë të inkardinohesh në dioqezën e Romës që të japësh dëshmi për ngjalljen e Zotit e ta japësh plotësisht, deri në derdhjen e gjakut, nëse është e nevojshme”.
“Shumë, nënvizon Papa, gëzohen për thirrjen tënde të re e, si të krishterë të mirë, bëjnë festë (sepse është pikërisht karakteristike për të krishterin aftësia për t’u gëzuar e për të festuar). Pranoje me përvujtëri. Veç bëje në mënyrë që, në këto festime, mos të të miklojë fryma e botës, e cila të trullos më shumë se rakia esëll, të çorienton e të ndan nga Kryqi i Krishtit”.
“Mirupafshim, pra, më 14 shkurt, përfundon letra e Papës drejtuar kardinajve të ardhshëm. Përgatitu me lutje e edhe me pakëz pendesë. Kij shumë paqe e gazmend. E, mos harro të lutesh për mua. Krishti të bekoftë e Virgjëra e Shenjtë të ruajtë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.