Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit ‘B’!
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të
dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar,
ciklit të dytë. Tema kryesore e liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj të diele
është “THIRRJA e ZOTIT”, thirrja urgjente për t’u kthyer me shpirt e me zemër në udhën
e Hyji, për të besuar në Të e pranuar Mësimin e Tij. Edhe këtë të diele, kemi një
skenë apo ngjarje që rrëfen “thirrjen”, që tregon vokacionin e katër dishepujve të
parë të Zotërisë Jezus (Mk 1,14-20), pikërisht si në Ungjillin që dëgjuam të dielën
e kaluar nga Gjoni (Gjn 1, 35-42). Kësaj here, theksi i tërë kremtimit liturgjik,
pra i pjesë ungjillore, është vënë jo aq mbi “kuptimin” apo “domethënien” e thirrjes,
sa mbi “urgjencën” e apelit të Krishtit për t’u “kthyer” e për të fituar shpëtimin:
“Erdhi koha, mbretëria e Hyjit është afër; kthehuni e besoni në ungjill” (rr.15).
Në këto fjalë e në këtë thirrje të Jezusit, kemi një rast të veçantë që nuk do të
propozohet më: nëse anashkalohet nga njeriu, pra, nëse nuk pranohet kjo thirrje e
Jezusit, njeriu e humbas përgjithmonë mundësinë për të ndryshuar, për t’u përmirësuar,
për t’u kthyer tek lumturia e vërtetë, më të qenë i hapur ndaj dashurisë e ndaj jetës. Kështu,
leximet biblike të kësaj së diele të 3-të gjatë vitit kishtar, nënvizojnë vullnetin
e madh që Zoti ka për të ndarë bashkë me ne njerëzit të mirat e veta Hyjnore. Për
këtë Ai na thërret ta jetojmë këtë çast të thirrjes, si dhe tërë jetën, në përkim
me vullnetin e Tij Hyjnor, duke iu përmbajtur udhës që na tregon e planit që na propozon
Fjala Hyjnore. Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku, në mënyrë të thjeshtë
e thelbësore, na ofron një sintezë të predikimit të parë të Jezusit. Tri fjalë, “koha”,
“mbretëria” e “ungjilli”; e dy folje, “kthehuni” e “besoni”; gjithçka është e përmbledhur
në këtë fjali të thjeshtë: “Erdhi koha, mbretëria e Hyjit është afër; kthehuni e besoni
në ungjill”. E, sa pasuri e madhe, sa kuptim të thellë e sa pasojë kemi në këtë pohim,
po të dinim t’i lidhnim këto shprehje themelore e të thjeshta me atë që pason në historinë
e dëftimit të Zotit!
Leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë ta ndryshojmë
mënyrën e të jetuarit e të sjelljes sonë. Që sot, duhet të fillojmë një jetë të re,
një jetë sipas Ungjillit. Edhe ne jemi të ftuar, ta ndjekim Krishtin pas, sikur bënë
katër nxënësit e parë, pa hezitim dhe me gatishmëri të kthehemi tek Zoti e të ecim
rrugës së Tij, për të qenë kështu shenjë e besueshme e Lajmit të Mirë të Mbretërisë
së Hyjit. Kjo e diel bie në përkim me festën e kthimit të Shën Palit Apostull, i cili
qe vegël e përhapjes së Ungjillit të Jezusit në botën mbarë, e kështu, liturgjia shenjte
e kësaj së diele na fton të gjithëve, ta ndjekim Krishtin me entuziazëm e me guxim
gjithnjë e më të madh. Leximi i parë nga libri i Jonës (Jon3,1-5.10) flet për kthimin
e banorëve të Ninivës nga sjelljet e vepra e tyre të këqija. Libri i Jonës na kujton
se e keqja duhet çrrënjosur nga jeta. Hyji, përmes profetit, fton në pendesë e ofron
faljen. Leximi dytë nga Letra e parë e Shën Palit drejtuar Korintasve (1Kor 7.29-31)
na thërret të jetojmë në perspektivën e Zotit, për ta njohur kështu përmasën e vërtetë
e të thellë të jetës sonë. Ungjilli nga Marku (Mk 1,14-20) na sjell fjalët e Jezusit:
“Kthehuni e besoni në Ungjill!”. Pjesa ungjillore kësaj së diele na paraqet predikimin
e parë të Zotërisë Jezus me ftesën e urgjencës së kthimit tonë që lindë nga afërsia
e Mbretërisë së Zotit, e pranishme në vet personin e Jezusit. Liturgjia e
Fjalës së Zotit Leximi I-rë (Jon 3, 1-5.10) Ninivasit u kthyen
prej sjelljes së tyre të keqe. Lexim prej Librit të Jonës profet Fjala
e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha: “Çohu, shko në qytetin e madh të
Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!” Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit
të Zotit. E Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë
udhë! Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “ Edhe dyzet ditë e Niniva
do të rroposët!” Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore
prej më të madhit e deri në më të voglin. Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr
dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për dënimin, me të cilën
u ishte kërcënuar se do t’ua çoj dhe nuk ua çoi. Fjala e Zotit!
Psalmi
25 (24) Ref:
M’i mëso, o Zot, shtigjet e tua _________ Më
drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso, Sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im, Në
ty shpresoj gjithmonë. _________ Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot, Dhe
dashuria jote është e amshueshme. Mos i kujto fajët e paudhësitë e rinisë sime: Të
të bie në mend për mua sipas dashurisë sate -për hir të mirësisë sate, o Zot. _________ I
ëmbël e i drejtë është Zoti, Mëkatarët i kthen në udhë të drejtë, Të përvuajtëve
u prin në drejtësi, Të butëve ua mëson udhën e vet. _________ Leximi i
dytë (1 Kor 7, 29-31) Trajta e kësaj bote po kalon Lexim prej
Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve Ja, ç’dua të thëm,
o vëllezër: koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si
të mos i kishin, ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos
kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të veten; ata që e gëzojnë
këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon. Fjala
e Zotit!
Alleluja! Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, t’ju japë
syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja
e tij. Aleluja!
† UNGJILLI (Mk 1, 14-20) Kthehuni
e besoni Ungjillit! Lexim i Ungjillit shenjt sipas Markut Pasi e
burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. Thoshte:
“Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit!” Ndërsa
po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllain e
Simonit, duke gjuajtur peshk – ishin peshkatarë. Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do
t’ju bëj peshkatar njerëzish!” Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. Si
eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e të vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e
po arnonin rrjetat. Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në
lundër bashkë me mëditës dhe shkuan pas tij. Fjala e Zotit! Më tepër
mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit, mund të dëgjoni edhe këtu...