Françesku: purpur e shërbim. Mendësia e botës të trullos më shumë se rakia esëll
Kardinalati është thirrje e shërbim në ndihmë të Papës, për të mirën e Kishës, jo
shpërblim në kulmin e karrierës. Kështu shkruan Papa në një letër drejtuar 20 kardinajve
të rinj, që do të krijohen në Koncistorin e ardhshëm të 14 shkurtit. Dokumenti, datuar
4 janar 2015, u botua pardje nga “Osservatore Romano”. “Zoti, përmes Kishës, i
shkruan Papa secilit nga kardinajtë e ardhshëm, të thërret edhe një herë për të shërbyer;
e t’i bën mirë zemrës të përsëritësh në lutje fjalët, që vetë Jezusi ua pati këshilluar
dishepujve të vet, për të mbetur gjithnjë të përvuajtur: “Thoni: ‘Jemi shërbëtorë
të panevojshëm’, e këtë, jo thjesht për edukatë, por si e vërtetë pas punës, ‘kur
ta keni kryer gjithçka ju urdhëruan’” (Lk 17, 10). "Të mbetesh i përvuajtur
në shërbim, vijon letra, nuk është e lehtë, kur e shikon kardinalatin si shpërblim,
si kulm i karrierës, i dinjitetit të pushtetit ose i respektit të veçantë. Prej këndej,
angazhimi yt i përditshëm - i nxit kardinajtë Papa Françesku - për t’i mbajtur larg
këto mendime e posaçërisht, për të kujtuar se të jesh kardinal do të thotë të inkardinohesh
në dioqezën e Romës që të japësh dëshmi për ngjalljen e Zotit e ta japësh plotësisht,
deri në derdhjen e gjakut, nëse është e nevojshme”. “Shumë, nënvizon Papa, gëzohen
për thirrjen tënde të re e, si të krishterë të mirë, bëjnë festë (sepse është pikërisht
karakteristike për të krishterin aftësia për t’u gëzuar e për të festuar). Pranoje
me përvujtëri. Veç bëje në mënyrë që, në këto festime, mos të të miklojë fryma e botës,
e cila të trullos më shumë se rakia esëll, të çorienton e të ndan nga Kryqi i Krishtit”. “Mirupafshim,
pra, më 14 shkurt, përfundon letra e Papës drejtuar kardinajve të ardhshëm. Përgatitu
me lutje e edhe me pakëz pendesë. Kij shumë paqe e gazmend. E, mos harro të lutesh
për mua. Krishti të bekoftë e Virgjëra e Shenjtë të ruajtë!”.