2015-01-25 10:57:59

Pasquale Ferrara: rëndësia e feve për paqen


E gjithë Evropa është përfshirë nga psikoza e alarmit kundër terrorizmit. Ndërkaq, vendet myslimane janë në protestë për ripublikimin e karikaturave të “Charlie Hebdo”. Pavarësisht se pak kohë nga ngjarja, që shkandulloi Francën, ndjehet nevoja për t’u ndalur e për të menduar cilat mund të jenë përgjigjet më të përshtatshme kundër terrorizmit. Jo më larg se të enjten, u mblodhën në Londër ministrat e jashtëm të 21 vendeve perëndimore dhe arabe, për të përcaktuar strategjinë e përbashkët kundër kërcënimit të Shtetit Islamik. Ministrat theksuan se duhet pasur kujdes që të mos konsiderohet çdo emigrant si terrorist, por duhet punuar për një agjenci evropiane sigurimi. Nga ana e tij, sekretari i shtetit amerikan, Kerry, nënvizoi se në disa raste, në Irak e Siri, terroristët e Shtetit Islamik janë detyruar të tërhiqen, pra koalicioni i forcave të vendeve të ndryshme funksionon. Gjithsesi, do të duhen 1 ose 2 vjet, që terroristët të largiohen nga Iraku. Forcat e koalicionit, u theksua në konferencën e shtypit pas mbledhjes, po merren jo vetëm me luftën kudër terrorizmit, por edhe me ndihmën për viktimat e xhihadistëve, duke gjetur zgjidhje për sigurinë, infrastrukturat e ndihmat humanitare për popullsinë lokale. Ndër temat e diskutuara, ajo e “foreign fighters” (luftëtarët e huaj). Do të krijohet një grup pune për shkëmbimin e informacionit përsa u përket lëvizjeve të tyre. Ftuam në studio Sekretarin e përgjithshëm të Institutit Universitar Evropian të Firences, Pasquale Ferrara, diplomat karriere:

Dy janë elementet, që dua t’i theksoj në mënyrë të veçantë. I pari ka të bëjë me ripohimin me forcë se Evropa është vend i mendimit të lirë, prandaj nuk frikësohet nga dhuna; elementi i dytë është se fetë e pranishme në Evropë dënuan haptas fenomenin e terrorizmit, duke vënë në dukje se këto fraksione janë të izoluara.
Sipas mendimit të shumë vetëve, përgjigjja e botës pas 11 shtatorit nuk dha aspak rezultate. A ka rrezik që Evropa të përsërisë të njëjtat gabime?
Po, në këto çaste, demokracitë tundohen të përdorin “rastin e jashtëzakonshëm” dhe në thelb, të kufizojnë lirinë për hir të sigurisë. Ideja e “Global ëar to terrorism”, pra e luftës globale kundër terrorizmit, në të vërtetë, nuk bëri tjetër, veçse e thelloi hendekun ndërmjet Perëndimit e botës arabo-islamike. Besoj se ky pësim është bërë mësim për të gjithë. Për shembull, edhe në Itali, më ngushëllon fakti se thonë që nuk ka kuptim të pezullohet marrëveshja e Shengenit, sepse ky do të ishte një favor i madh që do t’u bënim terroristëve. Vërtet, nëse ka një objektiv politik që ata duan ta realizojnë, është pikërisht ai i radikalizimit të konfrontimit me sistemin politik e shoqëror perëndimor, pra, krijimi i dy kampeve të mirëpërcaktuara.
Sfida tjetër është integrimi, bashkëjetesa, pavarësisht nga ndryshimet. Pas 11 shtatorit, njerëzit filluan të kenë frikë nga tjetri…
Këtu duhet sqaruar një keqkuptim. Nuk kemi të bëjmë me fenomene kriminale, ose me shfaqje të terrorizmit, të importuara nga jashtë. Këto celula vepruan brenda shoqërisë franceze e kështu kanë bërë edhe në të kaluarën në vende të tjera perëndimore. Janë përsosurisht të integruara në këto shoqëri. Prandaj, duhet reflektuar pse brezi i dytë i emigrantëve ka hyrë në këtë proces radikalizimi dhe polarizimi. Gjithsesi, tema e integrimit është themelore. Integrim do të thotë që shoqëritë tona janë bërë më të ndërlikuara, prandaj identiteti i popujve evropianë është diçka që ndryshon e zhvillohet. Është udhë, të cilën duhet ta bëjmë së bashku, nuk është e njëanshme. Përsëris: integrimi nuk duhet ngatërruar me asimilimin.
Në bankën e të akuzuarve, Islami. Ndokush e ka barazuar këtë fe me konfliktet e luftën…
Para së gjithash, problemi nuk është Islami në vetvete e madje, as fundamentalizmi në vetvete. Këtu po flasim për integralizmin islamik të dhunshëm. Do të thotë se ka një rrymë – pavarësisht se pakicë – që nuk bën asnjë dallim ndërmjet sferës fetare, sferës civile dhe sferës politike e për ta imponuar këtë këndvështrim, përdor dhunën. Ndërkaq, ekziston një përmasë më pozitive e feve, e cila shpesh harrohet: në të vërtetë, ka shoqëri të tëra që mbahen pikërisht për hir të fesë, e cila kontribuon edhe në zgjidhjen e konflikteve. Mjafton të mendojmë për shumë vende afrikane e jo vetëm ato, ku feja ka pasur një rol themelor në pajtimin kombëtar, pas konflikteve të gjata shoqërore e luftrave civile. Fetë kanë një potencial të madh, që është ripohimi i dinjitetit të njeriut. Njeriu, i parë nga fetë, është vetje shpirtërore. Kjo është pika e takimit, që sjell respektin për të gjithë e pranimin e ndryshimeve, madje i sheh ato si pasuri për bashkëjetesën.








All the contents on this site are copyrighted ©.