2015-01-23 16:46:33

Papa gjykatës Rota Romana: të shqyrtohet vullneti martesor


Papa Françesku priti sot anëtarët e Gjykatës Rota Romana, në ditën e përurimit të Vitit gjyqësor. Gjykatësi, pohoi Papa, nësa peshon vlefshmërinë e miratimit, shprehur nga bashkëshortët, duhet të ketë parasysh kontekstin e vlerave e të fesë, në të cilat u formua martesa, ose të mangësive a të mungesës së tyre. E nxiti, prandaj Gjykatën për thellimin e angazhimit në të mirë të shumë çifteve, që i drejtohen Kishës për të hedhur dritë mbi situatën e tyre martesore, duke uruar që gjithnjë më shumë raste të zgjidhen falas.

Papa shfrytëzoi rastin për të ofruar një reflektim mbi kontekstin njerëzor e kulturor, në të cilin lidhen sot shumë martesa. Kriza e vlerave nuk është, sigurisht, fenomen i kohëve të fundit, pohoi Françesku. Edhe Pali VI pati folur për sëmundjen e njeriut modern, që e ka humbur perspektivën e fesë:
“Në të vërtetë, vijoi Françesku, braktisja e perspektivës së fesë çon në mënyrë të pashmangshme në njohjen e rreme të martesës, gjë që nuk mbetet pa pasoja në pjekurinë e vullnetit për jetë bashkëshortore”.
Përvoja baritore, vijoi Françesku, na mëson se jemi para një numri të madh besimtarësh në gjendje të parregullt, gjë që ndikon fuqimisht në përhapjen e mendësisë, që të shtyn të kërkosh , në vend të lumnisë së Zotit, mirëqenien personale.
Një gabim i tillë nuk minon vetëm qëndrueshmërinë e martesës, natyrën e saj të pazgjidhshme e lindjen e fëmijëve, por i shtyn bashkëshortët të mendojnë deri për përfundimin e bashkimit, nëse nuk realizohen dëshirat që priteshin prej tij. Papa iu drejtua gjykatësve me fjalët:
“Dëshiroj t’ju nxis për një angazhim plot pasion e gjithnjë në rritje në shërbesën tuaj, për mbrojtjen e unitetit të jurisprudencës në Kishë. Sa punë baritore për të mirën e shumë çifteve e fëmijëve, shpesh viktima të këtyre ngjarjeve! Edhe këtu ndjehet nevoja për kthesë baritore të strukturave kishtare (cfr ibid.,27) për t’u ofruar opus iustitiae atyre, që i drejtohen Kishës për të ndriçuar gjendjen e tyre bashkëshortore”.
Nuk duhet mbyllur shëlbimi i njerëzve brenda shtigjeve të ngushta të juridicizmit, por duke shmangur sofizmat larg jetës së njerëzve në vështirësi, duhet arritur tek e vërteta në çastin konsensual, është porosia e Françeskut.
Së fundi, një e dhënë pozitive, që Papa e kujtoi duke folur lirisht: një numër i ndjeshëm çështjesh pranë Rota Romana janë ndjekur falas, për ata që jetojnë në kushte të vështira ekonomike e, prej këndej, nuk mund të paguajnë një avokat.









All the contents on this site are copyrighted ©.