2015-01-23 16:46:50

Françesku: Hyji fal gjithnjë, fal gjithçka


Rrëfimi nuk është gjykim, por takim me Hyjin, që fal e harron çdo mëkat të njeriut, i cili nuk lodhet duke kërkuar mëshirën e Tij. Ky ishte mendimi kryesor, që përshkoi homelinë e sotme të Papës, gjatë Meshës, kremtuar pranë Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan.

Është puna e Zotit, punë e bukur: të pajtojë. Sepse Zoti ynë fal çdo lloj mëkati, fal gjithnjë, bën festë, kur ndokush i lyp falje. E i harron të gjitha. Françesku reflektoi mbi fragmentin e Letrës drejtuar Hebrenjve, në të cilin vihet theksi mbi Besën e re që Zoti lidh me popullin e zgjedhur. E homelia u bë meditim i apasionuar kushtuar faljes.
Hyji, që pajton, pohoi Papa, zgjedh Jezusin dhe e dërgon për të rilidhur një pakt të ri me njerëzimin. Themeli i këtij pakti është një: falja. Falje me një mori karakteristikash:
“Para së gjithash, Hyji fal gjithnjë! Nuk lodhet duke falur. Jemi ne, që lodhemi duke lypur falje. Po ai nuk lodhet së faluri. Kur Pjetri e pyet Jezusin: ‘Sa herë duhet të fal? Shtatë herë?’, merr përgjigjen: ‘Jo shtatë herë: shatëdhjetë herë shtatë’. Domethënë gjithnjë. Kështu fal Zoti: gjithnjë. Edhe nëse ti ke jetuar një jetë të ngarkuar me shumë mëkate, me shumë punë të këqija e në fund të fundit, nis të pendphesh e lyp falje, Ai të fal menjëherë! Sepse Ai fal gjithnjë!”.
E megjithatë dyshimi që mund të lindë në zemrën njerëzore është “sa herë?”. Zoti është i gatshëm të falë. Gjithnjë. Kështu përgjigjet Françesku, mjafton të pendohesh e të kërkosh ndjesë. E nuk duhet të paguash asgjë, sepse ka paguar Krishti për ty, për ne të gjithë. Modeli është djali plangprishës i shëmbëlltyrës që, i penduar, përgatit ca fjalë për t’ia thënë të atit, i cili nuk e lë as të hapë gojë, por i hidhet në qafë dhe e shtrëngon fort në kraharor:
“S’ka mëkat, që të mos e falë Zoti. Ai i fal të gjitha, të gjitha. Nëse ti shkon i penduar, fal gjithçka. Kur… eh, shumë herë nuk të lë as të flasësh! Ti nis e lyp falje e Ai të bën menjëherë ta ndjesh gëzimin e faljes, para se të kesh përfunduar së rrëfyeri me fund mëkatet tuaja”.
E, edhe një gjë tjetër, vijoi Papa: “Kur fal, Zoti bën festë. E, së fundi edhe harron”. Sepse çka i intereson Zotit, është takimi me ne. E këtu Françesku i këshilloi rrëfyesët për rrëmimin e ndërgjegjes: “A jam gati të fal gjithçka? T’i harroj mëkatet e këtij njeriu? Rrëfimi, përfundoi Papa, më shumë se gjykim, është takim”:“Shumë herë rrëfimet duken si praktikë, si formalitet: “Po, po, po, ashtu, shko”. Gjthçka mekanike, Jo! E takimi, ku është? Takimi me Zotin, që fal, që pajtohet me ty, të merr ngrykë e bën festë. Ky është Zoti ynë. Shumë i mirë. E duhet t’i mësojmë edhe fëmijët tanë, të rinjtë tanë, të rrëfehen mirë, sepse të shkosh në rrëfyestore nuk është njëlloj si të shkosh në ndonjë punishte pastrimi për të hequr një njollë. Jo! Në rrëfyestore shkon të takohesh me Atin, që fal, që pajtohet, që bën festë!







All the contents on this site are copyrighted ©.