2015-01-23 16:46:17

Françesku: familja, “shkollë e parë e komunikimit”


Në familje njeriu mëson e nxë të komunikojë. Kjo, zemra e mesazhit të Papës, paraqitur sot, me rastin e Ditës së 49-të Botërore të Komunikimeve shoqërore me temë: “Të komunikohet familja: mjedis i privilegjuar i takimit me dashuri, pa interes”, që do të kremtohet më 17 maj.

Niset nga dy Sinodet kushtuar familjes, atij të jashtëzakonshmit, tetorin e kaluar e këtij të zakonshmit, tetorin e ardhshëm Papa në mesazhin kushtuar familjes, vendi i parë ku nxëmë të komunikojmë, shpjegon Françesku, që nga prehëri i nënës, “shkolla e parë” e komunikimit, ku merret mësimi i dëgjimit dhe i kontaktit trupor.
Familja, shkollë e faljes
Takimi nënë-fëmijë është përvoja jonë e parë e kumunikimit, e barabartë për të gjithë. Në familje njeriu mëson të flasë, të përdorë fjalën e në familje përcillet edhe përvoja e lutjes, përmasa fetare e komunikimit. Në familje, shkruan Papa, kuptohet ç’është në të vërtetë komunikimi. E familja bëhet edhe shkolla a faljes, sepse kufizimet vetjake dhe të të tjerëve provohen pikërisht atje, ku njerëzit e duan njëri–tjerin. Nuk ka familje të përkryer, shkruan Papa, por nuk duhet patur frikë nga papërsosmëritë, brishtësitë e as nga konfliktet; duhet të mësohemi t’i përballojmë në mënyrë konstruktive.
Mesazh për familjet me aftësi të kufizuara
Edhe falja është dinamikë e komunikimit. Përmes saj, fëmija mëson t’i dëgjojë të tjerët, të flasë me respekt, të shprehë mendimet e veta, pa i mohuar të të tjerëve. Një fëmijë e tillë do të jetë në shoqëri kontruktor i dialogut dhe i pajtimit. Françesku kujton përvojën e familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, gjë që mund t’i shtyjë të mbyllen në vetvete, por me dashurinë e të afërmve, ashtu si edhe të miqve, nxiten ta hapin zemrën, të komunikojnë. E për këtë hapje ndihmon, pastaj, edhe shkolla, famullia, shoqatat, që duhet t’i mirëpresin të gjithë, pa pëjashtuar asnjeri.
Papa u bën thirrje mediave ta bëjnë gjithnjë të mundur frymën e takimit, t’i ndihmojnë njerëzit për t’u lidhur me të largëtit, për të falënderuar e për të kërkuar falje.
Familja nuk është terren për beteja ideologjike
Prindërit janë edukatorët e parë, shpjegon Papa, por duhen mbështetur nga bashkësia e krishterë, që të dinë t’i mësojnë fëmijët të jetojnë në mjediset e komunikimit sipas kritereve të dinjitetit të njeriut e të së mirës së përbashkët. E ja se arrihet tek sfida e sotme: “të rimësojmë për të treguar, e jo vetëm për të prodhuar e për të konsumuar informacion”, që shpesh i bie ndesh mendimit të përbashkët. Familja, shkruan Papa, nuk është objekt ku komunikohen opinione e as terren, ku luftohen beteja ideologjike, por mjedis në të cilin mësohet komunikimi e subjekt, që komunikon: është bashkësi komunikuese.
Familja: vend ku mësohet ta komunikosh dashurinë e marrë e të dhuruar
Familja vijon të jetë pasuri e madhe, e jo vetëm problem, apo institucion në krizë, pavarësisht nga mënyra si duan ta paraqesin nganjëherë mediat, si të ishte model abstrakt për t’u pranuar ose për t’u refuzuar, për t’u mbrojtur, ose për t’u sulmuar, ndërsa është realitet konkret për t’u jetuar, e jo ideologji e dikujt kundër dikujt tjetër, por vend ku të gjithë mësojmë ç’do të thotë ta komunikosh dashurinë, që na është dhuruar, që mund e duhet ta dhurojmë. Familja më e bukur është ajo, që di të komunikojë, duke u nisur nga dëshmia, nga bukuria e pasuria e lidhjes së burrit me gruan dhe prindërve me fëmijët. Nuk luftojmë për të mbrojtur të kaluarën, përfundon Mesazhi i Papës, por punojmë me durim e besim, në të gjitha mjediset ku banojmë ditë për ditë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.