2015-01-22 14:13:06

Papa: shëlbimi dhe ndërmjetësimi i Jezusit kanë më shumë rëndësi se shërimet


Gjëja më e rëndësishme nuk është hiri i shërimit fizik, por fakti se Jezusi na shëlbon e ndërmjetëson për ne; këtë theksoi sot Papa, duke rifilluar meshët e mëngjesit me grupet e besimtarëve, në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
Populli shikon shpresën në Jezusin
Duke kometuar Ungjillin e ditës, përplot me turma, që ngarendin drejt Jezusit nga të katër anët, Papa vërejti se “populli i Hyjit gjen në Zotin shpresën, ngaqë mënyra si i mëson, si vepron, si sillet, prek zemrat e njerëzve, arrin drejt e në zemër. Prek e arrin në zemër, nga që është forcë e Fjalës së Hyjit.
“Populli e ndjen këtë, populli shikon se në Jezusin premtimet përmbushen, lind shpresa. Popullit i qe mërzitur mënyra e mësimit të fesë nga doktorët e asokohshëm të ligjit. Nga ata, që e ngarkonin mbi shpatullat e të tjerëve barrën e urdhërimeve e të ligjeve, pa mundur të arrijnë në zemrat. E kur njerëzit e shikojnë Jezusin, e dëgjojnë Jezusin, propozimet e Jezusit, lumturitë… ndjejnë sesi diçka nis t’u lëvizë në shpirt. Ndjejnë praninë e Shpirtit Shenjt, që i zgjon nga dremitja e i shtyn të ngarendin drejt Jezusit”.
Pastërtia e ndjetit në kërkim të Hyjit
Turma shkon te Jezusi për t’u shëruar: shkon, pra, për dobi të vet. “Kurrë, pohoi Papa, nuk mund ta ndjekim Zotin me ndjete krejt të pastra, që në fillim. Gjithnjë e ndjekim me mendimin ‘pak për vete e pak për Zotin’…. Zemra pastrohet gjatë udhës që të çon te Zoti. “Njeriu shkon, e kërkon Zotin, por kërkon edhe shëndetin, kërkon shërimin. E i hidhet ndër këmbë për ta prekur, me bindjen se, duke e prekur, nga Zoti do të vërshojë forca, që shëron”.
Jezusi shpëton
Por gjëja më e rëndësishme “nuk është se Jezusi shëron”, shpjegoi Françesku; kjo është shenjë e një shërimi tjetër; e nuk është as fakti se Jezusi thotë fjalë, të cilat arrijnë në zemër; kjo sigurisht ndihmon për ta takuar Zotin. Por gjënë më të rëndësishme ta thotë Letra drejtuar Hebrenjve: “Krishti mund t’i shpëtojë plotësisht ata që, përmes Tij, i afrohen Hyjit. Ai është gjithnjë i gjallë për të ndërmjetësuar në favor të tyre; Jezusi shpëton e është ndërmjetës”, komentoi Papa. Këto janë dy fjalë kyçe:
“Jezusi shpëton! Këto shërime, këto fjalë, që arrijnë në zemër, janë shenjë e fillimit të shëlbimit. Kjo është udha e shëlbimit për turmat, që nisin të ngarendin pas Jezusit për ta dëgjuar ose për të kërkuar shërim, e pasatj rikthehen tek Ai e ndjejnë forcën e shëlbimit. Po a mund të themi se gjëja, që ka më shumë rëndësi, është se Jezusi shëron? Jo! Nuk është gjëja më e rëndësishme. Më e rëndësishmja është se Zoti shëlbon! Ai është Shëlbuesi e ne, të shëlbuarit prej Tij. E pikërisht kjo ka më shumë rëndësi se të gjitha. Është forca e fesë sonë".
Jezusi ndërmjetëson
Jezusi u ngjit te Ati e, që atje, vijon të ndërmjetësojë çdo ditë, çdo çast, për ne. E kjo është aktuale. Jezusi para Atit, ofron jetën e Tij, shpërblimin, i tregon Atit plagët, çmimin që iu desh të paguante për shëlbimin. E ditë për ditë Jezusi vijon të ndërmjetësojë…E kur ne, për një arsye a një tjetër, ndjehemi keq, të kujtojmë se Ai lutet për ne, ndërmjetëson për ne, vazhdimisht. Shpesh e harrojmë këtë: “Po Jezusi… po, po, Jezusi u ngjit në qiell, na dërgoi Shpirtin Shenjt, e historia mori fund”. Jo! Tani, në çdo çast, Jezusi vijon të ndërmjetësojë. E ne mund ta kërkojmë ndërmjetësimin, duke u lutur. T’i lutemi, pra: “Zot Jezus, kij mëshirë për mua. Ndërmjetëso për mua!”. T’i drejtohemi, pra, Zotit e t’ia kërkojmë ndërmjetësimin.
Nuhatja e popullit të Hyjit
Kjo është pika kryesore, pohoi Papa: Jezusi “është Shëlbues e Ndërmjetës”. Të bën mirë ta kujtosh këtë. Kështu turma e këkon Jezusin me nuhatjen e shpresës së popullit të Hyjit, që priste Mesinë, e kërkon që të gjejë në të shëndetin, vërtetësinë, shëlbimin, sepse Ai është Shëlbuesi e, si Shëlbues, edhe sot e kësaj dite, edhe në këtë çast, ndërmjetëson për ne. Uroj që jeta jonë e krishterë, tha në përfundim Papa, të jetohet gjithnjë më shumë me bindjen se u shpëtuam, se kemi një Shëlbues, Jezusin, më të djathtën e Atit, që ndërmjetëson. O Zot e ti, o Shpirti Shenjt, na e jep hirin t’i kuptojmë këto gjëra”.









All the contents on this site are copyrighted ©.