2015-01-22 14:17:26

Papa: katolikët e luteranët të dëshmojnë mëshirën e Zotit


Katolikët e luteranët, së bashku, të dëshmojnë mëshirën e Zotit në shoqërinë e sotme. Ky qe urimi i Papës Françesku në takimin me delegacionin ekumenik finlandez, që ndodhet në Romë për festën e shën Henrikut, sipas një tradite 30 vjeçare.RealAudioMP3

Dëshmi të përbashkët para persekutimeve
Në Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, Ati i Shenjtë u tha luteranëve të gjunjëzohen së bashku me të krishterët e tjerë e të luten për ta bërë të dukshme dashurinë e Zotit, sidomos aty ku ka më tepër ndarje, dyshime e madje edhe persekutime:
“Katolikët e luteranët mund të bëjnë shumë së bashku për të dëshmuar mëshirën hyjnore në shoqërinë tonë. Dëshmia e krishterë e përbashkët është veçanërisht e nevojshme para mosbesimit, pasigurisë, persekutimeve dhe vuajtjeve, provuar nga shumë njerëz në botën e sotme”.

Bashkim, vetëm përmes hirit të Zotit
Takimi i sivjetëm, në festën e Pajtorit të Finlandës, hyn në një seri të gjatë takimesh, që nuk mund të mos kujtojnë kontributin e Papës shenjt Gjon Pali II. Papa Françesku përmendi fjalët e Karol Vojtilës, kur delegacioni i parë ekumenik erdhi nga Finlanda në Romë:
“Fakti, që ju keni ardhur këtu së bashku, është dëshmi e rëndësisë së përpjekjeve për bashkim. Fakti, që luteni së bashku, është dëshmi e besimit tuaj se vetëm për hir të Zotit mund të arrihet bashkimi. Fakti, që thoni së bashku Besojmën, është dëshmi e fesë së vetme të përbashkët për të gjithë krishterimin”.

Dialog për konceptin e Kishës
Gjatë këtyre 30 vjetëve është bërë shumë në udhën e ekumenizmit. Papa Françesku foli për enciklikën “Ut unum sint” të Gjon Palit II, për nënshkrimin e Deklaratës mbi Doktrinën e Justifikimit, në vitin 1999, e cila pohon se mëkatet shpërblehen për hir të flijimit të Krishtit e përmes shenjtërimit të jetës, duke i dhënë kështu fund dilemave shekullore ndërmjet luteranëve e katolikëve. Por, udha vazhdon, nënvizoi Papa Françesku:
“Dialogu verior luterano-katolik në Finlandë e në Suedi, mbi temën e Justifikimit në jetën e Kishës, vijon me reflektime për çështje të rëndësishme, që rrjedhin nga Deklarata e përbashkët. Urojmë të arrihet konvergjencë e mëtejshme në dialogun mbi konceptin e Kishës, shenjë e mjet i shëlbimit, dhuruar nga Jezu Krishti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.