Papa: familjet e mëdha japin shpresë, kultura e përjashtimit krijon varfëri
Rikujtoi shtegtimin e tij në Azi, “kontinent me tradita të pasura kulturore dhe shpirtërore”,
Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot në Sallën e Palit VI. E u
rikthye tek temat kryesore, prekur në Sri Lankë e në Filipine, përballë turmave “oqeanike”,
kujtimin e të cilave, shtoi, e ruaj gjithnjë në zemër: nga roli i familjes në shoqëri,
tek dialogu për paqen, duke kujtuar edhe Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve. Familjet
me shumë fëmijë të ngushëllojnë Familjet e shëndosha janë “themelore” për jetën
e shoqërisë. U rikthye, kështu, tek një nga temat kryesore të shtegtimit të tij të
sapokryer në Azi, Papa Françesku, duke kujtuar etapën e Filipineve: “Të jep ngushëllim
e shpresë pamja e familjeve të mëdha, që i mirëpresin fëmijët, si dhuratë e Zotit.
Ata e dinë se çdo fëmijë është bekim. Ndërsa dëgjoj se familjet me shumë fëmijë dhe
lindja e fëmijëve të shumtë, janë një nga shkaqet e varfërisë”. Varfëri e shkaktuar
nga kultura e përjashtimit Ky, pohoi Papa, më duket opinion, që i thjeshton
gjërat në tepri. “Mund të them, e mund të themi të gjithë, se shkaku kryesor i
varfërisë është sistemi ekonomik, që e ka hequr njeriun nga qendra e, në vend të tij,
ka vënë hyjin para; sistemi ekonomik, që përjashton, gjithnjë: përjashton fëmijët,
pleqtë, të rinjtë pa punë… e krijon kulturën e përjashtimit, që po e jetojmë. Jemi
mësuar tashmë të shikojmë njerëz të përjashtuar. Ky është shkaku kryesor i varfërisë,
e jo familjet me shumë fëmijë. Familje të kërcënuara nga kolonizimi ideologjik “Duhen
mbrojtur, prandaj, familjet, që të mund t’i përballojë kërcënimet e ndryshme, kujtoi
Papa, e të mund ta dëshmojnë edhe bukurinë e tyre në planin e Hyjit”. “Duhen mbrojtur
familjet edhe nga kolonializimet e reja ideologjike, që cënojnë identitetin dhe
misionin e tyre”. Korrupsioni vjedh të varfrit Të rinjve, pastaj, Papa
u besoi përtëritjen e shoqërisë, posaçërisht përmes shërbimit ndaj më të varfërve
dhe mbrojtjes së ambientit. Kujdesi për të varfrit, theksoi në mënyrë të posaçme,
është element themelor i jetës sonë e i dëshmisë sonë të krishterë: kërkon refuzimin
e çdo forme të korrupsionit, që i vjedh të varfrit. Prej këndej, Papa kërkoi “kulturën
e ndershmërisë”. Solidaritet për viktimat e tufanit Më pas Ati i Shenjtë
kujtoi arsyen kryesore të vizitës së tij në Filipine: për t’u shprehur afërsinë viktimave
të shkretimit, shkaktuar nga tufani Yolanda e për t’i falënderuar të gjithë ata që,
nga të katër anët e botës, në këto ditë të zeza, iu përgjigjen me bujari thirrjes
së dëshpëruar për ndihmë. Kujtoi Taklobanin, zonë posaçërisht e dëmtuar, duke shprehur
admirimin ndaj popullsisë, që e përballoi situatën e vështirë me fe të gjallë e angazhim
të madh për të zhdukur pasojat e mynxyrës, përballë kushteve të rënda klimaterike
që, pikërisht atje, gjatë vizitës papnore, shaktuan një viktimë të re të pafajshme:
vullnetaren e re Kristel, shtypur e vrarë prej një sktrukture të shembur nga era. Kumtimi
i Ungjillit e respekti ndaj të tjerëve Nga Sri Lanka Papa deshi të kujtojë
shenjtërimin e misionarit të madh Jozef Vaz. Shembulli i shenjtërisë dhe dashurisë
së tij për të afërmin, nënvizoi Ati i Shenjtë, mund të merret si model për gjithë
të krishterët, që janë të thirrur sot të propozojnë të vërtetën shëlbuese të Ungjillit
me respekt ndaj të tjerëve, durim e përvujtëri, sidomos në kontekste ku takohen njerëz
me fe të ndryshme. E posaçërisht pas konfliktit të gjatë e dramatik civil, si ky që
tronditi rëndë vendin aziatik deri në vitin 2009, kujtuar edhe gjatë lutjeve në Shenjtëroren
mariane të Zojës së Madhu: “Nënvizova rëndësinë e dialogut, të respektit për dinjitetin
njerëzor, të përpjekjes për t’i angazhuar të gjithë në gjetjen e rrugëzgjidhjeve të
përshtatshme, në shërbim të pajtimit e të së mirës së përbashkët”. Bashkëpunim
ndërmjet feve Fetë e ndryshme kanë një rol domethënës për të luajtur. “Në rrethana
të tilla, desha të inkurajoj bashkëpunimin e filluar tashmë ndërmjet traditave të
ndryshme fetare, edhe me synimin për t’i shëruar, me balsamin e faljes, ata që janë
ende të sfilitur nga vuajtjet e viteve të fundit. Bashkimi i të krishterëve Gjatë
përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi javën e lutjes për bashkimin e të
krishterëve, që do të përfundojë të dielën e ardhshme në Bazilikën romake të Shën
Palit jashtë Mureve, me praninë e Atit të Shenjtë.