2015-01-21 13:19:09

Kryeipeshkvi i Nyamey-t: ju publikoni karikatura, këtu digjen kisha


Bashkësia e krishterë në Niger, në shënjestrën e ekstremistëve islamikë. Përveç 45 Kishave të djegura e 10 të vdekurve, rezultat i protestave kundër ripublikimit të karikaturave për profetin Muhamet nga e përjavshmja franceze “Charlie Hebdo”, burime humanitare njoftojnë se disa gra të krishtera janë përdhunuar nga fundamentalistët. Në manifestime janë parë flamujt e integralistëve të grupit Boko Haram. 90 vetë janë arrestuar, ndërsa 300 të krishterë mbrohen nga ushtria në kampe të pajisura keq. Të tjerë, janë shpërngulur në një kishë ungjillore. Dramatike, thirrja e kryeipeshkvit të Nyamey-it, imzo Michel Cartatéguy, në mikrofonin tonë:

Kisha të djegura, s’ka mbetur më asgjë

Ne, si bashkësi e krishterë, jemi akoma të shokuar. Të gjitha kishat tona – 12 ndër 14 – janë plaçkitur krejtësisht: nuk ka mbetur më asgjë. E kur them “të plaçkitura”, “të profanuara”, do të thotë se nuk ka mbetur më asgjë, asgjë: gjithçka është djegur. Vetëm katedralja është akoma në këmbë, sepse, me kërkesën time, është ruajtur gjithmonë. Por nuk e di deri kur do të jetë akoma e mundur kjo. Do të takohem me autoritetet politike: të angazhohen me çdo mjet që katedralja të mos merret me sulm. Përreth saj janë zhvilluar luftime për katër orë rresht e mundëm ta shpëtonim vetëm falë forcave të sigurisë. Katedralja është simbol, prandaj duan ta shkatërrojnë. Nuk po e marrim vesh se ç’ndodh. Kam thirrur të gjithë meshtarët dhe përgjegjësit e bashkësive për t’u lutur në heshtje. Medituam edhe mbi dashurinë për armiqtë. Ndoshta, po përgatitemi të përjetojmë agoninë e Jezusit në trupin tonë e, unë jam i lum. Çdo prift e çdo laik pohon: “Kemi pasur dëshmi të mëdha solidariteti nga ana e bashkësisë myslimane”. Shumë prej rregulltarëve, që sot kanë humbur gjithçka, janë mbrojtur e po mbrohen nga familje myslimane. U thashë autoriteteve më të larta: “nuk kemi asgjë me bashkësinë myslimane, përkundrazi”. Madje, duhet të forcojmë më tej lidhjet e unitetit e të vëllazërimit, që kemi krijuar. Kemi pasur shumë dëshmi vëllazërimi, përkrahjeje, …gjeste të vogla, që janë të mëdha në zemrat tona.

Sulme të qëllimshme
Si duhen kuptuar këto ngjarje? Sipas jush, kush është pas këtyre sulmeve?

Kemi pezulluar çdo veprimtari të misionit katolik; kemi mbyllur shkollat, depot me ushqime për të varfërit, sepse duhet t’i interpretojmë këto ngjarje të dhimbshme me qetësi. Është e vërtetë se gjithçka duket e manipuluar, e organizuar; ka shenja se ka qenë ky apo ai grup. Në Zinder është parë flamuri i Boko Haramit… Por nuk mund të them më shumë, sepse akoma nuk kam folur me njerëzit kompetentë, akoma s’kam reflektuar për elementet, që tregojnë se nga vijnë saktësisht këto sulme. Gjithçka është bërë pluhur e hi. Në mes të shkrumbimit, gjeta një kryq të vogël, brenda një shisheje me vaj të shuguruar. Ja, kaq na ka mbetur. Tani, të gjithë duhet t’i kthejmë sytë nga ai kryq.

Pse vazhdojnë të publikojnë karikatura blasfeme?
Të shtunën, rreth 20 ulema i bënë thirrje popullsisë të qetësohet. A jeni në kontakt me autoritetet myslimane?

Sigurisht: jemi në kontakt jo vetëm në këto situata, por gjithmonë! Kemi lidhje, të cilat janë krijuar që më parë, prandaj nuk arrijmë të kuptojmë. Nuk kemi asgjë kundër bashkësisë myslimane. Njerëzit, që kanë bërë këtë, manipulohen nga jashtë. …Çdo gjë manipulohet! E ta pret mendja, karikatura e Muhametit, shumëfishuar në dhjetra miliona kopje – e akoma vazhdojnë – i bën njerëzit këtu të thonë: “Janë të krishterët e Perëndimit, që na e bëjnë këtë!” Po pse? Pse vazhdohet akoma në këtë udhë? Ku është respekti për fenë e të tjerëve? Këtu, njerëzit nuk u përgjigjen më pyetjeve të gazetarëve evropianë, sepse janë të zemëruar e përgjigjen vetëm duke folur keq kundër kësaj lirie për të qenë blasfemë… Në nivelin e bashkësisë myslimane, këtu, në vend, ne nuk kemi asnjë problem. Përkundrazi, jemi të bashkuar: të gjithë ulematë folën në televizion, i njoh personalisht! Nuk kemi probleme me ta, por s’po marrim vesh ç’ndodh. Jam i detyruar t’i kërkoj qeverisë të na mbrojë gjithnjë, sepse ka njerëz, që pyesin nëpër rrugë: “Po ti, a je ‘Allah akbar’, apo ‘Aleluja’”?. Kjo do të thotë se po kërkojnë të krishterët… E ç’do të ndodhë më vonë? Pas 15 ditësh duhej t’ia kisha lënë detyrën një biri të këtij vendi, ipeshkëv nigerin. Natyrisht, do të kishte qenë një ceremoni e bukur, por s’mund ta bëjmë në këtë gjendje. Ato pak kacidhe që mblodhëm për festën, na duhen për tenda. Së paku, mund të lutemi me kokën në ndonjë tendë.







All the contents on this site are copyrighted ©.