2015-01-21 18:17:15

Kardinali Parolin: Papa, shumë i qartë kundër terrorizmit


“Papa Françesku është shumë i ashpër në dënimin e terrorizmit e të manipulimit të fesë me qëllim dhunën. Mbi këtë pikë, nuk mund të ketë pasiguri, ose keqkuptime”. Kështu pohon Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë me “L’Osservatore Romano”, në përfundim të udhëtimit të Papës në Sri Lankë e Filipine.
“Përveç kësaj – shton ai – u ka kërkuar vazhdimisht krerëve myslimanë, sidomos gjatë kësaj periudhe kohe, të prononcohen haptas kundër manipulimeve e të vënë në dukje fytyrën tolerante, paqësore dhe plot respekt të Islamit”. “Në sintoni të plotë me magjisterin e tij e përmes shumë kanaleve, kështu kanë bërë edhe bashkëpunëtoret e tij”, vë në dukje kardinali Parolin, i cili nënvizon se ka nga ata, që nuk janë dakord me linjën e dialogut e do të dëshironin qëndrime më të ashpra. “Por Papa është shumë i qartë – sqaron – për të luftuar fundamentalizmin e pasojat e tij duhet të dialogojmë, t’ia hapim zemrën njëri-tjetrit, të takohemi”.
“Në avion – tregon më tej Sekretari i Shtetit të Vatikanit – po reflektoja mbi këto çështje jo të lehta, kur në librin e lutjeve të ditës lexova këtë mendim të shën Injacit të Antiokisë: paqja çarmatos armiqtë materialë e shpirtërorë. Ndoshta kjo është përgjigjja për të gjithë ata, që pyesin veten e na pyesin nëse dialogu është kohë e humbur. Rezultatet nuk shihen menjëherë, por, me Papën, jam i bindur se kjo është udha e drejtë. Lutem që Zoti t’i shndrisë e t’u japë forcë, guxim e durim për ta përshkuar deri në fund”.








All the contents on this site are copyrighted ©.