2015-01-21 17:59:27

Ekspozitë e artistit Forstner në Katedralen ‘Nënë Tereza’


Në Katedralen katolike ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë vijojnë aktivitetet kulturore. Kështu më 19 janar, u shënua një ngjarje tjetër kulturore, hapja e ekspozitës së artistit austriak, Leopol Forstne kushtuar kulturës, traditave e vlerave të popujve në Ballkan. Ipeshkvi i vendit, shkëlqesia e tij imzot Dodë Gjergji ishte mikpritës i mbrëmjes së hapjes zyrtare të kësaj ekspozite. Të pranishëm, ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, kryetari i Bashkësisë Islame, myftiu Naim Tërnava, Peshkopi i Dioqezës Rashkë-Prizren, Teodosije, ambasadorë të tjerë në Kosovë, struktura të ndryshme ndërkombëtare e vendore, meshtarë e motra, si dhe qytetarë të shumtë.
Ipeshkvi imzot Dodë Gjergji, pasi i përshëndeti të pranishmit, tha se, shumë kush mund të pyet se pse ekspozita po hapet në Katedrale. ‘Them se kjo nuk na pengon, sepse ekspozita bartë në vete domethënie të forte, në punime po e vërejmë kulturën, traditën e vlerat e popujve në Ballkan, përfshirë edhe vlerat kulturore e fetare të popullit tone, të cilat na i ka prezantuar autori Leopol’, tha Ipeshkvi.
Por, hapja e kësaj ekspozite ishte më shumë se kaq, ajo vuri në lëvizje personalitete me ndikim për të përquar mesazhe paqeje, pikërisht tek e Shenjta e Kombit, Pajtorja e Katedrales, e Lumja Nënë Terezë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pasi foli për rëndësinë e ekspozitës, tregoi se kohë më pare një personalitet ndërkombëtar i ka kërkuar asaj të sqaroj se ne si Kosovë çka kuptojmë me konceptin e Evropës. “E kuptojmë se e ardhmja e juaj është në Evropë, por në cilën Evropë”? e ka pyetur ai. Sonte tha presidentja do të mundohem t’i jap kuptim kësaj pyetje. ‘Evropa të cilës ne duam t’i përkasim është Evropa e vlerave dhe unitetit, Evropa e diversitetit dhe multikulturalizmit, Evropa e përparimit. Është Evropa e cila përfaqësonte shpresë për miliona njerëz prapa perdes së çeliktë- ku edhe të ëndërrosh nuk ishte e lejuar. Për miliona të tjerë që janë të gatshëm të anashkalojnë urrejtjen e rrënjosur thellë dhe fatet tragjike që të bashkohen, jo për shkak të tokës dhe gjakut, por për shkak të ideve të cilat e kanë definuar kohën në të cilën ne jetojmë”, tha ajo.
Pas ekspozitës, në Rezidencën e Ipeshkvisë është mbajtur takim pa praninë e gazetarëve. Por, Presidentja në rrjetin social Facebook, ka shkruar "Në bisedë me liderët fetarë theksuam se vlerat e shoqërisë tonë si shtet sekular, janë kultivimi i vazhdueshëm i tolerancës ndërfetare dhe bashkëjetesa ndërmjet religjioneve të ndryshme në Kosovë’.







All the contents on this site are copyrighted ©.