Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 15 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes
së prof. Ernest Koliqit, poeti, prozatori, dramaturgu e studiuesi i madh i letërsisë
shqipe. Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 Maj 1903, në një familje
te njohur patriotike. Shkollën e filloi në vendlindje, për ta përfunduar më 1921 në
Bergamo dhe në Milano të Italisë, ku kreu studimet e mesme. I përgatitur me njohuritë
më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet me pas, së bashku
me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën "Ora e Maleve". Bashkëpunoi
me revistat më të rëndësishme të kohës, e themeloi njërën ndër revistat më interesante
të letërsisë shqipe “Shkëndija” të Tiranës.
Në vitin 1924 mori pjesë
në shoqërinë patriotike "Bashkimi", themeluar nga Avni Rustemi. Për t'i shpëtuar forcave
zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi
punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në universitetin e Padovës
me tezën "Epika popullore shqiptare". Më 1939 u emërua ministër i arsimit. Mblodhi
në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi
një veprimtari mjaft të dendur. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i
Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të katedrës
së gjuhës shqipe pranë Universitetit ‘La Sapienza’ të Romës. Pra nga viti 1939 qe
profesor Ordinar i Gjuhës e letërsisë shqipe pikërisht pranë këtij Universiteti romak. I
nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij,
prof. Ernest Koliqi klasiku i fundit i brezit letrar të viteve '30, mbylli sytë përgjithmonë,
si sot, më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (afër Romës),
i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit. U varros
në Romë. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër,
të dëgjonte prapë kambanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme
të Koliqëve në lagjen Gjuhadol. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm
në poezinë "Bijës sime", botuar në ‘Shêjzat’, që tingëllon si Testament poetik Krahas
ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, prof. Ernest Koliqi njihet
si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shêjzat”, rreth
së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i
publicistikës shqipe.
E nisi krijimtarinë me vjersha, të cilat i botoi në gjuhën
italiane, në të përjavshmen studenteske "Noi giovani" të Bergamos. Nga veprat e tij
kujtojmë poemthin dramatik "Kushtrimi i Skanderbeut" me përmbajtje patriotike
(1924); "Hija e Maleve" (1929) e "Tregtar flamujsh" (1935), novela
kushtuar jetës në Shkodër. ”Symfonia e Shqypeve” (1936), që përkujton lavditë
dhe fatkeqësitë e përjetuara nga Shqipëria e mes paqartësive të kohës Koliqi paralajmëronte
një të ardhme të lumtur për Vendlindjen; “Gjurmat e Stinve” (1933), “Pasqyra
e Narçizit” (1936). Me vlerë të madhe është edhe përkthimi i: "Poetët
e mëdhej t’ Italis" I (1932) Dante, Petrarka, Ariosto, Tasso, Parini, Manzoni
e tjerë. Më pas botoi"Kangjellat e Rilindjes" (1959) dhe romanin "Shija
e bukës së brume” (1960), ku ndjehet fuqimisht malli i mërgimtarit për
tokën e vet. “Epika popullore shqiptare” (1937), që ishte temë e doktoraturës
së tij.
Meritoi medaljen e artë të Shoqërisë "Dante Aligheri"; “Yllin e artë
për merita të shkollës"; ishte anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut", Anëtar nderi
i qendrës ndërkombëtare për studimet shqiptare në Palermo etj.
Pak vjet më
parë arbëreshët e Frashinetos, duke dashur të nderojnë kujtimin e Ernest Koliqit dhe
të vënë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që dha në studimin e traditave arbëreshe,
i vunë emrin e tij Shkollës së tyre të mesme shtetërore. Vepra e tij, e ribotuar disa
herë në Shqipëri dha jashtë saj, vijon të ndiqet me interesim të madh nga lexuesi. A
mund t'i mohohet Prof. Ernest Koliqit të madh kryevendi që zë në letërsinë shqipe? Në
përvjetorin e vdekjes, Ernest Koliqi riduket në kujtesën e atdheut të vet me atributet
e shkrimtarit, themeluesit të tregimit modern shqiptar, poetit, romancierit, eseistit,
përkthyesit, gazetarit, dramaturgut, mbledhësit dhe studiuesit të palodhur të folklorit,
veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të kulturës së shekullit XX brenda e
jashtë Atdheut. Do të duhej, prandaj, shumë hapësirë dhe kohë për të ndriçuar plotësisht
figurën e tij vigane, pa harruar se është edhe vëllai i kardinalit të parë shqiptar,
dom Mikel Koliqit. Po mjaftohemi, për shkak të mungesës së kohës, të kujtojmë vetëm
një nga poezitë e Koliqit, në të cilën ndjehet fuqimisht gjithë malli për vendlindjen,
që nuk mundi ta shihte sa qe gjallë e nuk po e shikon as për së vdekuri, në sa trupi
i tij do të mund të pushojë në paqe vetëm kur të rikthehet në Shkodrën, mëngjeset
e së së cilës i kujton kështu:
Shkodra në mëngjese
Kendojnë bashkë
në mengjese pesë kumbonare, kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë: mbi Maranaj
qet vetllen kureshtare agimi e hjedh në liqe synin e qetë.
Perhapë lajmin
e zgjimit rrezja e parë të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë, e shpejt
në at lavdi dielli, qi e veshë fare Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E
ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija udha e lulishta tue ngjallë ngjyra
e shkendija, tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:
skaj në skaj
si lum gzimi tue rreshqitë në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë kaçurrelat
e tyne kur shkojnë në shkollë.
Lutja e Dëshprueme
Ju qi keqas
t’vorrosun keq flêni nder murrâna mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase
n’breg lumi, deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna, nën dhé me
gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.
Ju qi n’vorre t’vetmueme keq
flêni e nuk pushoni e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli, qi
éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli, a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî
murân’s ndëgjoni,
ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun, ju qi burrnín
jetike e patët si mësuese, ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse, ju
qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,
sot n’murrâna t’harrueme kërkoni
kot pushim: ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq, plot vrumulisje
n’eshtna rrini tue bluem idhnimin, fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.
U
rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi; ato q’atdheut i kjené ndër mote
gardh çeliku, porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku por mâma e fatit,
mâma qi befas mbi né krisi.
N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ
njerit, prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën, por me sy t’papërlotun
plot shkndija mnije, strukën tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.
Jo
váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona, zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim
zâ-mbytun ngjanë, shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona q’atdheut
palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.
O Perëndí, na tokën pranuem qi
Ti na fale, n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet, jetuem m’kto
troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta, ngujve larg botës tjetër tue ruejtun
dhên mbi male.
Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha, n’kasolle
e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat, pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë
miradinat, pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha.
E, pra, t’ushqyem
n’kto gryka me bukë kollomoqe Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ
shum, sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe, qi me hiret e veta
na e bânte gjakun t’lum.
Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin Me
fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar, n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm
t’buzmit bujar, qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.
O Perendí,
ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi, shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për
fmín e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín na msyni, ia vûm para
at buk mikut kur erdhi.
Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata? Lírin
e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër: kto dy të mira zbritshin vobeksín
t’on‘ të vjetër. Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?
Vegimi
i Laures - Françesko Petrarka
Ky sonet , ashtu si shume te tjerë
, i kushtohet vashës me emrin Laura,qe Petrarka e njohu ne rini dhe qe vdiq e re.
Vegimi i saj i shfaqet ne vetminë e natyrës dhe ai nis te kuvendoje me te.
Me
ndie zogjt tue pingrue,a flladin n'vere tue luejtun ambelsisht neper t'njomat flete, a
prej nje bregu t'lulezuem e t'blere me m'ardhe nje shushuritje ujnash t'qete
ku
rrij n'mendim dashnije e shkruej,athere shof Ate,qe na e fali Qielli vete, e
dheu e mshefi,e i duket zemres s'mjere se t'fshameve Ajo iu gjegj si t'ish prap
n'jete.
"Deh,perse veten po don keshtu m'e shkri, - me thote tane dhimbje,
- e loten e deshprueme si lume po e derdh prej syve mbushe me idhni?
Per
mue mos qaj.pse m'bani t'lume edhe t'perjetshme,e keta syte e mi kur t'ngjau
se i mbylla, i çela n'drite t'amshueme."